Për një mëditje sa nuk janë grushtuar mes vete drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjakovë, Kujtim Zarari dhe mjekja me inicialet Z. O.
E gjitha ka filluar kur mjekja ka shkuar në zyrën e drejtorit për të kërkuar sqarime për meditjen.
“Shkova në zyrën e tij për t’i kërkuar disa sqarime. Ai me kërcënoi dhe më tha se nëse nuk i dal nga zyra do të me nxjerr nga dritarja”, ka deklaruar mjekja.
Ajo ka treguar se nga ajo ditë e deri me sot nuk ka shkuar më në punë.
“Jam shqetësuar nga sjelljet e tij dhe më nuk ka shkuar në punë. Tash jam në pushim mjekësor”, shtoi ajo.
Por drejtori mohon akuzat e mjekës, ndërsa thotë se ai është personi i ofenduar.
“Këto janë shpifje, nuk e kam kërcënuar personin në fjalë. Problemi ka qenë një mëditje, gjë që nuk ka qenë për padi”, tha Zarari, për Indeksonline.
Sipas tij, mëditja i është refuzuar për shkak të mungesës në punë.
Zarari shtoi se ka fakte që mjekja në fjalë e ka ofenduar atë dhe të pranishmit në zyrë, të cilët edhe janë dëshmitarë të rastit. Madje sipas tij, personi në fjalë e ka kontaktuar në orët e vona të mbrëmjes duke e sharë.
“Janë dëshmitarë të pranishmit në zyrë se mjekja në fjalë më ka ofenduar mu dhe të tjerët që ishin me mu dhe unë jam ai që duhet me e denoncu atë për fyerje”, ka thënë Zarari.
Rastin e ka konfirmuar edhe policia e Gjakovës, megjithatë thonë se është zgjidhur brenda punonjësve të QKMF-së, andaj nuk kanë hapur fare si rast.
“Rasti në fjalë ka qenë mosmarrëveshje për një meditje. Ky rast ka shku deri në polici, në fund nuk është paditë drejtori”, ka thënë komandanti i policisë për Gjakovë, Kristë Gjokaj. /tesheshi.com/