Dje Ukraina përkujtoi katastrofën e Çernobilit, të ndodhur këtu e 29 vite të shkuara, më 26 prill 1986. Në këmbët e një monumenti në Sllavutiç, një qytet 50 kilometra larg centralit, i ndërtuar për të strehuar banorët rreth tij pas shpërnguljes, u vendosën lule dhe u ndezën qirinj në nderim të atyre që humbën jetën.
Shpërthimi i reaktorit numër katër ngjau në orën 1:23 të 26 prillit, dhe e përhapi radiacionin në një pjesë të mirë të Europës, për të mos përmendur ish-Bashkimin Sovjetik, ku prania e tij ishte e kudogjendshme. Si rezultat i incidentit do t’i braktisnin shtëpitë e tyre mbi 300.000 njerëz.
Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, nga shpërthimi humbën jetën aty për aty 31 punëtorë dhe zjarrfikës. Ndërsa sipas një raporti të Greenpeace-it, aksidenti i Çernobilit bëri që 250.000 persona të prekeshin nga kanceri, e 100.000 prej tyre të kishin një fund tragjik.
Pjesë e ceremonive përkujtimore ishte dhe presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i cili theksoi në fjalën e tij se, “Rindërtimi dhe zhvillimi i Ukrainës së pavarur është i lidhur në mënyrë të pakthyeshme me historinë e luftës për t’i neutralizuar pasojat e katastrofës së Çernobilit.” /tesheshi.com/