Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, ka rezultuar të jetë në dosjen e përgjimeve me një prej Avdulajve të Shijakut, arrestuar së fundi nën akuzën e një bande që merrej prej vitesh me veprimtari kriminale.
Pasditen e së enjtes, ai u kthye në personazh kryesor të politikës, pasi në public doli një fletë nga dosja hetimore ku Dako komunikonte me Altin Avdulajn, e kjo në kohë fushate.
Bisedat në thelb nuk kanë patur asgjë konkrete në kuptimin kompromentues, veç faktit që është komunikuar me një person me precedent, duke u aluduar në blerje votash. Dako, i ftuar në Opinion, e ka pranuar bisedën e përgjuar dhe e ka konsideruar atë si normale, që më tepër në kohë fushate, ku siç tha ai, komunikon me çdokënd. Por kryebashkiaku socialist u përbetua se ishte tërësisht i pastër.
“I shikon këto duar? Janë akullore. S’kam prekur as pistoletë, as drogë, as lekë të pista. Unë në fushatë jam superman, bëj takime me 20 vetë, me 50 vetë”, tha Dako.
Vangjush Dako e udhëheq Durrësin për tre mandate rresht, që nga zgjedhjet e vitit 2007.
Ndërsa opozita e ka atë në shënjestër të akuzave, duke e përfshirë në “listën e zezë”, sipas saj, të politikanëve të lidhur me krimin. /tesheshi.com/