Të takuar për të dytën herë në pak ditë, Nicos Anastasiades, udhëheqësi qipriot grek, dhe Mustafa Akinci, homologu qipriot turk, nuk ia kanë dalë të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë fund ndarjes më tepër se katërdekadëshe të Qipros.
Një zëdhënës i OKB-së bëri të ditur se palët janë kthyer në Qipro për të reflektuar mbi të ardhmen e bisedimeve.
“Pavarësisht përpjekjeve të tyre, ata nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë pajtimet e mëtejshme të nevojshme mbi kriteret për rregullimin territorial që do të kishin hapur rrugën për fazën e fundit të bisedimeve,” njoftoi Aleem Siddique.
Sipas agjencisë turke të lajmeve Anadolu Agency, bisedimet dështuan për shkak të “qëndrimit të pakompromis” të palës qipriote greke.
Dy udhëheqësit e palës greke dhe turke të Qipros u takuan dhe mes 7 e 11 nëntorit për të diskutuar rirregullimet e mundshme territoriale.
Çështja e territorit mbetet një problem kyç në bisedimet për ribashkimin e Qipros, ngaqë çdo marrëveshje do të sjellë pashmangshmërisht një riskicim të kufijve ekzistues. /tesheshi.com/