Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar raportin e monitorimit të punës së Kuvendit gjatë vitit 2015.
Albert Krasniqi nga KDI ka treguar që gjithsej janë mbajtur 419 mbledhje dhe 38 dëgjime.
Ai në një konferencë për media tha se Komisionet më aktive kanë qenë Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për zhvillim ekonomik, ndërsa, ngecje ka në komisionin për Mbikëqyrjen e AKI – së dhe komisionin për Punë të Jashtme, të cilët kanë numër më të vogël të mbledhjeve.
Nga monitorimi konstatohet se janë mbajtur 31 seanca plenare, 20 kanë vazhduar në ditë të tjera. Ndërsa, 5 seanca kanë qenë të jashtëzakonshme dhe 9 solemne.
Sa i përket mungesave në seanca, Krasniqi theksoi se prin Lista Serbe me 185 mungesa që pasohet nga Lëvizja Vetëvendosje me 172 mungesa dhe PDK-ja nga 171 mungesa.
Po ashtu raporti prezanton edhe shpenzimet e partive për udhëtime jashtë vendit.
Kështu PDK ka shpenzuar 49,330.00 € për 76 udhëtime jashtë vendit shumicën prej tyre në Shqipëri. E dyta renditet LDK- e cila ka shpenzuar 26,871.52€ për 61 udhëtime ku 14 prej tyre në Gjermani. Në rend të tretë është VV e cila ka shpenzuar 16.877.37 euro.
Ndërsa, Jehona Loshaku-Sadriu tha se Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2015 ka qenë pre e interesave të partive politike. Ndërsa tha se presin që gjatë vitin 2016 kuvendi të jetë më transparent, llogaridhënës dhe të luaj rolin e vet mbikëqyrës ndaj qeverisë dhe të punoi në të mirën e përgjithshme të qytetarëve. /tesheshi.com/