Opozita reagoi ndaj fjalës së Ramës në Shkodër, duke thënë se ai mbrojti bunkerin dhe se nuk anulloi dekorimin e persekutorëve të regjimit komunist. Për PD-në.
“Edi Rama konfirmoi sot degradimin e tij të plotë politik e moral, duke u shfaqur i habitur dhe duke fajësuar popullin, që është në revoltë edhe për dekoratat e tij për xhelatët e diktaturës. Nga Shkodra, Edi Rama zgjodhi të merrte në mbrojtje bunkerin, simbolin e izolimit dhe të paranojës shkatërruese të komunizmit. Ai kishte mundësi të hiqte dorë nga dekorimi, t’i anulonte medaljet e tij për persekutorët, por zgjodhi sot t’i qëndrojë deri në fund këtij akti kriminal e provokues. Në vend që të kërkonte falje, ai zgjodhi Shkodrën për të fyer qytetarët, duke i quajtur të marrë përse nuk e duan bunkerin, përse janë kundër simbolit të regjimit më të egër komunist të lindjes. Ky çudan, i përçudnuar hajdut e arrogant bën të paditurin, edhe kur qytetarët revoltohen për deklaratat e tij raciste, përçarëse e nxitëse të urrjetjes mes shqiptarëve”, tha kreu i grupit përlamentar të PD-së, Paloka gjatë një dalje për mediat.