Për Partinë Demokratike, droga e kapur një ditë më parë në Derven të Krujës është meritë e prokurorisë dhe jo e policisë. Sipas deputetit Noka, duhet te shmanget Rama që të bëhet e mundur kapja e sasive të mëdha të drogës.
“Nëse Edi Rama ka dijeni për aksionin, droga shpëton, trafikantët shpëtojnë. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Inteligjent kapin drogë, Antimafia Italine ka ngritur alarmin, media ndërkombëtare raporton për rrezikun e kanabisit shqiptar, 8 vrasje kanë ndodhur këto 3 muaj për drogën, droga ka zbritur në shkollat e vendit, sipërfaqja e mbjellë është pesëfishuar sipas Guardia Di Finanza, kapanonet e përpunimit të hashashit kanë pushtuar malet, helikopterët e Mimit zbulojnë parcelat pa dashje, e përsëri Edi Rama thotë se nuk ka drogë. Vetëm dy vetë në Shqipëri dhe në mbarë globin e mohojnë drogën. Këta janë Edi Rama dhe Saimir Tahiri“, u shpreh Noka.
Deputeti demokrat shtoi më tej se me anë të drogës Rama kërkon të mbajë pushtetin.
Ndërkohë, një natë më parë, tek Studio e Hapur e Eni Vasilit, Rama tha se Europa kurrë nuk mund të çelë negociata me një vend të pushtuar nga droga. Dhe sipas tij, është vetë faktori ndërkombëtar që po e vlerëson qeverinë për luftën e saj kundër drogës. /tesheshi.com/