Pas takimit me kreun e Partisë Demokratike në kuadër të bisedimeve për reformën në drejtësi, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, doli në një deklaratë për mediat, në të cilën u shpreh se me zotin Basha diskutuan për miratimin e paketës kushtetuese dhe reformën në drejtësi, ndërsa bëri të ditur se mazhorancën e ndan nga opozita vetëm një pikë, për këto çështje.
“Si kryetar i Kuvendit zhvillova një takim me Lulzim Bashën. I shpreha ndjesën time për gabimin teknik në kalendarin e Kuvendit. E sigurova për përkushtimin tim për të garantuar një procedurë parlamentare legjitime dhe me integritet për miratimin e paketës kushtetuese të reformën në drejtësi”, – tha Meta.
Ai shtoi se i shprehu Bashës kënaqësinë dhe vlerësimin e tij për angazhimin e opozitës në procesin e hartimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mbështetjes që i kanë bërë reformës në drejtësi.
“I kërkova mbështetje për miratimin e paketës kushtetuese sa më shpejtë. Zoti Basha më njohu me të vetmen çështje parimore, që sipas opozitës, ndan palët në miratimin e draftit kushtetues: atë të formulës së zgjedhjes së institucioneve të reja”, – bëri me dije kreu i Kuvendit.
Meta deklaroi se ngelet i hapur për dialog me të gjitha palët, me qëllim që të miratohet sa më parë reforma më e rëndësishme për shtetin dhe të drejtën shqiptare. /tesheshi.com/