Pas përfundimit të mbledhjes së koalicionit qeverisës, në një deklaratë për mediat, kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me nenin e diskutuar ditën e djeshme në parlament, për protestat e tregtarëve, për zgjedhjen e ministrit të ri të drejtësisë si dhe për progres raportin.
Lidhur me propozimin e qeverisë si dhe me konkluzionin e gabuar që qeveria është tërhequr nga propozimi, Rama risqaroi se asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë një nisëm për të cenuar qoftë dhe në formën e një nisme ligjore, lirinë e plotë të fituar të shtypit në vite të tëra betejash dhe përpjekjesh.
“Nisma ka lidhje vetëm me një gjë: ata që paguhen nga taksat e popullit shqiptar nuk mund të përdorin votat e popullit dhe funksionet që burojnë nga populli për të shpifur. Ndjesa ime kurrë nuk do të cenojë asgjë çka ka të bëjë me fushën e lirisë së medias. Sa i përket shpifësve që marrin flamurin e lirisë së shtypit dhe flasin në emër të kësaj lirie, unë nuk do të lë mangët atë që mendoj për ta”,- tha Rama.
Sa i takon protestës së tregtarëve, kreu i qeverisë bëri thirrje që të mos përdoren dhe të mos lejojnë që gënjeshtarë dhe mashtrues ordinerë t’i përdorin duke thënë se po vjen një e keqe e madhe nga ligji për procedurat tatimore.
“Gjithë tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregjet e komuniteteve do të kenë lehtësim. Jo vetëm që s’do ketë rritje taksash, por edhe ndryshim të sistemit fiskal në interes të tyre”,- sqaroi kryeministri.
Më tej, ai bëri me dije se në mbledhje u diskutua progres raporti, të cilin Rama e cilësoi si më të mirin për Shqipërinë dhe që e vendos vendin në një nivel të vlerësueshëm lart, edhe në raport me vendet që tani janë në proces negociatash.
“Jemi në fund të një viti dhe në prag të buxhetit të ri. Mos prisni gjë tjetër veçse vendosmëri edhe më të madhe për të çuar reformat përpara, e konsolidim të koalicionit”,- deklaroi kreu i qeverisë.
I pyetur për ndryshimet e mundshme në qeveri, Kryeministri i deklaroi ato si fantazi që nuk kanë lidhje me realitetin, sikurse edhe zgjedhjet e parakohshme.
“Forcën e koalicionit dhe të qeverisë e përcakton ecuria e reformave. Ato kanë nisur të japin rezultatet e para. Kemi zgjedhur ministrin tjetër për ti dhënë një shtysë reformës në drejtësi. Zgjedhja e ministrit të ri të drejtësisë është bërë me vullnetin tim të plotë.
Për reformën në drejtësi diskutuam të ketë sa më shumë transparencë për publikun dhe gjithëpërfshirje”,- deklaroi Edi Rama.
Nga ana e tij, kreu i Kuvendit, Ilir Meta e cilësoi takimin si të dobishëm, ndërsa për koalicionin tha se është shumë i qëndrueshëm dhe që po funksionon në mënyrë mjaft konstruktive dhe të dobishme.
“Diskutimi mbi progres raportin ka qenë tema kryesore. Sa i takon ndryshimeve në qeveri, nëse i referoheni rastit të zotit Naço, ka qenë një dëshirë e tij. Sa i takon shpikjeve të tjera duken pa kuptim. Zoti Manjani ishte zëvendës ministër me të njëjtin kryeministër dhe një ekspert në fushën e drejtësisë. Cdo ndryshim është bërë në konsultim me kryeministrin sepse sipas kushtetutës i takon kryeministrit të marrë të tilla vendime”,- u shpreh Meta./tesheshi.com/