Aeroporti i ri në Pekin do të jetë më i madhi në botë dhe hapja zyrtare e tij është planifikuar të ndodhë brenda dy vitesh. Sipas mediave, ai do të kushtojë 12.8 miliardë dollarë.
Aeroporti do të hapet në vitin 2019 në pjesën jugore të qytetit dhe do të jetë në gjendje për t’iu përgjigjur nevojave në rritje të trafikut ajror në kryeqytetin e Kinës. Ai do të jetë një bazë e re për kompanitë China Southern Airlines dhe China Eastern Airlines.
Me hapjen e aeroportit të ri, stafi i SkyTeam (Aeroflot, Air France, Alitalia, Air Europa …) do të jenë nën një çati dhe do të mundësojnë lidhje më të lehtë të fluturimeve.
Aeroporti i ri i Pekinit ka një ndërtesë terminali të projektuar nga arkitektja Zaha Hadid. Ai do të jetë i mbushur me kopshte, dhe do të përfshijë hapësira të ndara për udhëtarët për fluturimet ndërkombëtare dhe vendore, të gjitha këto me qëllimin e krijimit të ndërtesave më kompakte dhe me qëllim që të shkurtojë kohën e udhëtimit.
Karakteristikat inovative të dizajnit në terminalin e ri prej 700.000 metra katrorë, përfshijnë nyjën qendrore për gjashtë krahët e lakuar dhe me një shëtitore, e cila bashkohet në një pikë për të lehtësuar navigacionin.
Gjatë fazës së parë të hapjes, aeroporti do të ketë katër pista, ndërsa në dy fazat e ardhshme do të ndërtohen pjesë tjera shtesë me qëllim të zgjerimit të kapacitetit të aeroportit për 100-120 milionë pasagjerë në vit.
Aeroporti duhet të ketë nëntë ndalesa, prej të cilave tetë përdoren për trafikun civil, ndërsa një pistë ishte menduar për qëllime ushtarake.
Gjithashtu, do të ndërtohet dhe stacioni i trenit me trena të shpejtë, si dhe metro dhe stacionet e autobusëve.
Aeroporti tashmë ekzistues në Pekin është aktualisht i dyti më i ngarkuari në botë./tesheshi.com/