Një kërpudhë vdekjeprurëse do të përhapet në pjesë të reja të Evropës ndërsa temperaturat rriten, sipas një studimi të ri mbi ndryshimet klimatike.
Aspergillus, një lloj myku që mund të shkaktojë probleme me mushkëritë dhe frymëmarrjen nëse infekton njerëzit, mund të infektojë miliona njerëz në vit, ndërsa përhapet në vendet më veriore në Evropë, Azi dhe Amerikë për shkak të rritjes së temperaturave, tregon një studim, shkruan Independent.com.
Norman van Rhijn, një bashkëpunëtor kërkimor i Wellcome Trust në Universitetin e Mançesterit dhe bashkautor i studimit, tha se bota po i afrohet një pike kthese për sa i përket rritjes së numrit të patogjenëve kërpudhorë, të cilët lulëzojnë në një gamë të gjerë mjedisesh, përfshirë brenda shtëpive.
Infeksionet kërpudhore do të jenë një faktor në miliona vdekje në mbarë botën çdo vit, tha z. Rhijn.
Duke folur për Financial Times, Van Rhijn tha: “Po flasim për qindra mijëra jetë dhe ndryshime kontinentale në shpërndarjen e specieve. Brenda 50 vjetësh, vendi ku rriten gjërat dhe me çfarë infektoheni do të jetë krejtësisht ndryshe.”
Aspergillus mund të ketë përfitime positive, pasi përdoret në prodhimin industrial dhe ushqimor, duke përfshirë fermentimin e salcës së sojës.
Thithja e sporeve të saj nuk i sëmur të gjithë, por kjo kërpudhë vdekjeprurëse mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për ata me sëmundje si astma, fibroza cistike ose me një sistem imunitar të dobësuar.
Por hulumtimet mbi kërpudhën tregojnë se Aspergillus fumigatus mund të përhapet në një 77 përqind shtesë të territorit të botës deri në vitin 2100 si rezultat i përdorimit të rëndë të lëndëve djegëse fosile në botë, duke ekspozuar potencialisht nëntë milionë njerëz në Evropë ndaj infeksionit, sipas Financial Times.
Kjo specie mund të rritet me shpejtësi në temperatura të larta në pleh organik, gjë që shpjegon pse lulëzon në temperaturën e brendshme të trupit të njeriut prej 37°C.
“Stili i tij i jetesës në një mjedis natyror mund t’i ketë dhënë Aspergillus fumigatus një avantazh në formë të nevojshme për të kolonizuar mushkëritë e njeriut”, tha profesoresha Elaine Bignell, bashkëdrejtoreshë e Qendrës MRC për Mikologji Mjekësore në Universitetin e Exeter.
Një specie tjetër, Aspergillus flavus, jeton në të korra dhe mund të përhapet në një shtesë prej 16 përqind të territorit në Kinën veriore, Rusi, Skandinavi dhe Alaskë deri në vitin 2100, shtuan studiuesit. Disa zona ekzistuese në vendet afrikane dhe Brazil mund të bëhen gjithashtu të papërshtatshme për jetesë, gjë që mund të jetë e dëmshme për ekosistemet lokale.
Darius Armstrong-James, profesor i sëmundjeve infektive dhe mikologjisë mjekësore në Imperial College London, i tha FT: “Ekzistojnë kërcënime serioze nga ky organizëm si për shëndetin e njeriut ashtu edhe për sigurinë ushqimore.” /tesheshi.com/