Ish-analisti i CIA-s, George Beebe, që aktualisht shërben si nënkryetari i Qendrës për Interes Kombëtar, beson se po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të parandalohen konfliktet e mundshme, duke thënë që është e nevojshme që së paku Rusia dhe SHBA-të të krijojnë kanale të mira të komunikimit.
Edhe pse raporti i Prokurorit Special Robert Muller për “çështjen ruse” kishte eliminuar dyshimet për “komplotin e Donald Trump me Moskën”, Beebe thotë se njerëzit ende besojnë se Rusia po përpiqet të “minojë demokracinë amerikane” dhe përgjithësisht të dëmtojë Amerikën në çdo mënyrë.
Ekziston një konsensus në Uashington ku pretendohet që Rusia kërkon të minojë rrënjësisht qeverinë demokratike në Shtetet e Bashkuara, por ky përfundim nuk bazohet në asnjë lloj analize të shëndoshë.
“Kjo është shumë e rrezikshme. Pikë. Ideja se SHBA është përballur me një rrezik që kërcënon ekzistencën e tyre e bën të vështirë menaxhimin e krizës. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë krijimi i kanaleve të komunikimit që janë të nevojshme për të menaxhuar krizën dhe për të parandaluar konfliktin”, paralajmëron Beebe.
Gjendja e rivalitetit, theksoi ai, nuk lejon që ekspertët dhe politikanët amerikanë të mbrojnë masa që do t’i lejonin ata të menaxhojnë marrëdhëniet dhe të eliminojnë rreziqet. “Rezultati i qartë është se ne nuk po bëjmë atë që është e nevojshme për të mos lejuar që situata të dalë nga dora”, shtoi eksperti.
Gjithçka ngjan me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore
Beebe, i cili shërbeu gjithashtu si këshilltar i Richard Cheney-t për Rusinë, Eurazinë dhe Inteligjencën, botoi një libër këtë muaj me titull: “Kurthi i Rusisë: Si lufta jonë hije me Rusinë mund të spiralizohet në katastrofë bërthamore”.
Në libër, George Beebe argumenton se “teknologjitë e reja të ndryshimit të lojës dhe perceptimet e shtrembëruara nga të dy palët janë kombinimi që mbyll Uashingtonin dhe Moskën në një spirale konflikti që nuk e kemi parë.
Eksperti përshkruan, sipas mendimit të tij, një situatë të ngjashme me atë para Luftës së Parë Botërore.
Siç shkruan Beebe, katastrofa në atë kohë ishte shkaktuar nga nënvlerësimi i ndërsjellë i kundërshtarëve të mundshëm, ambiciet e papajtueshme gjeopolitike dhe teknologjitë e reja që ushqejnë grushtin e parë dhe krijojnë iluzionin e epërsisë ndaj kundërshtarit.
“Ka shumë shkaktarë të mundshëm edhe sot që mund të shkaktojnë një krizë të ngjashme. Dhe ne nuk kemi kanalet e komunikimit, rregullat e lojës, apo masa kufizuese të nevojshme për t’u marrë me të. Duhet pranuar se kjo është një situatë e rrezikshme. nëse e njohim si të tillë, atëherë unë mendoj se mund ta luftojmë, por duhet të pranohet që rreziku ekziston”, përfundoi Beebe. /tesheshi.com/