Shteti shqiptar është përplasur keqaz me armiqtë e Teheranit, muxhahedinët e kampit Ashraf 3 në Manzë të Durrësit, pasi një kontrolli të imtësishëm të Policisë me urdhër nga SPAK.
Kjo nuk është pritur mirë nga banorët e atyshëm, të cilët, burra e gra, të cilët janë rebeluar ndaj kontrolleve policore me objekt infrastrukturë për sulme kibernetike, duke bërë që Policia të përdorë dhe gaz lotsjellës në raste të veçanta.
Kësisoj, dhjetra banorë të kampit kanë përfunduar për trajtim mjekësor, ndërkohë që raportohet dhe për një humbje jete.
Sipas ministrit të Rendit Blendi Çuçi, muxhahedinët kanë cenuar marrëveshjen me qeverinë shqiptare me aktivitete të jashtëligjshme brenda kampit.
“Kemi pasur shqetësim për mosrespektim të marrëveshjes. Aktiviteti i tyre politik kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen e SPAK e cila ka nisur më shumë se një çështje penale me këtë gjë. Asnjë nuk ka të drejtë të kundërshtojë vendimet e gjykatës.
Me veprimet që bënë sot treguan se nuk janë gati të zbatojnë ligjet. Marrëveshja vazhdon, do i mbrojmë përderisa kemi marrë përsipër këtë gjë por presim edhe reagimin e tyre në lidhje me marrëveshjen që ata vetë e kanë nënshkruar kështu që duhet ta zbatojnë”, tha Çuçi.
Sipas tij, dhuna ka qenë nga palë e tyre e jo nga Policia.
“Ndihem i keqardhur se Shqipëria u ka ofruar gjithçka që lidhet me strehimin e tyre për qëllim humanitar sipas marrëveshjes. Iu ka ofruar ndihmë, siguri, madhe iu ka ofruar edhe mbrojtje ndaj kërcënimeve që vinin nga shërbimet sekrete të Iranit. Ata për më shumë se tre mijë ditë kanë jetuar në siguri të plotë në garancinë tonë. E paimagjinueshme dhuna dhe reagimi që kanë bërë ndaj Policisë së Shtetit”, arsyetoi ministri i Rendit.
Nga ana tjetër, kreu i Policisë së Shetit, Muhamet Rrumbullaku, informoi mbi atë se çfarë u gjet gjatë kontrolleve policore.
“Janë sekuestruar 96 njësi komputerike, 46 laptopë, karta memorie që tentuan të asgjësoheshin me djegie nga anëtarët e MEK.
Gjatë kohës që kryenim veprimet, drejtues të MEK më kanë bërë me dije se në qendrën e tyre të emergjencës ndodhej një banor që kishte ndërruar jetë.
Ju sigurojmë që pas daljes së ekspertizës mjekoligjore do të nxirrni konkluzionin tuaj. Vendimi i GJKKO vjen si pasojë e veprimeve që bien ndesh me marrëveshjen e firmosur nga MEK me qeverinë shqiptare”, tha Kryepolici shqiptar.
Rrumbullaku kujtoi gjithashtu, në përgjigje të pretendimeve të opozitës iraniane, se kampi ku ata strehohen është territori shqiptar.
“Ai është territori totalisht shqiptar dhe aspak pronë e tyre”.
Kujtojmë se qindra muxhehedinët iranianë ndodhen në Shqipëri si pjesë e një marrëveshje mes Tiranës dhe Uashingtonit për strehimin e tyre. Ardhja e tyre nisi me Berishën dhe vijoi me Ramën. /tesheshi.com/