Izraeli dhe Polonia vendosën të rivendosin marrëdhëniet e dëmtuara vitin e kaluar, pasi Varshava miratoi një ligj që e bën të vështirë për hebrenjtë rikthimin e pronave të tyre të konfiskuara në Luftën e Dytë Botërore, por tani të dy vendet do të shkëmbejnë sërish ambasadorë.
Ky vendim është një kthesë për kryeministrin e ri izraelit Yair Lapid, i cili si shef i diplomacisë e quajti ligjin “antisemitik dhe imoral”.
Është një ligj që i referohet pronave të konfiskuara fillimisht nga pushtuesit nazistë gjermanë dhe të cilat më pas u mbajtën për vete nga pushtetarët komunistë të pasluftës.
“U ra dakord që marrëdhëniet tona do të rikthehen dhe do të vihen në rrugën e duhur,” tha zyra e presidentit izraelit Isaac Herzog pas bisedimeve me presidentin polak Andrzej Duda.
“Të dy presidentët shprehën shpresën se çdo problem i ardhshëm do të zgjidhet përmes dialogut të sinqertë dhe të hapur dhe në frymën e respektit të ndërsjelltë”, thuhet në deklaratë.
Zyra e Presidentit Duda ka njoftuar se ambasadori polak në Izrael, i cili u tërhoq gjatë mosmarrëveshjes, do të kthehet.
Zyra e Herzogut njoftoi se ambasadori i sapoemëruar në Poloni do të dorëzojë së shpejti kredencialet e tij.
“Ne po përpiqemi të përmirësojmë marrëdhëniet me Izraelin. Nuk ka humbës apo fitues. Ne po japim një tjetër shans për të vendosur marrëdhënie normale”, tha Jakub Kumoch, këshilltar i presidentit polak për politikën e jashtme. /tesheshi.com/