SPAK ka lëshuar një tjetër sinjal jo mëshire ndaj korrupsionit deri në nivele të larta, duke i vënë prangat kryebashkiakut të Lushnjes. Shkak, një tender për një kanal ujitës.
Fatos Tushes i janë vënë pranga në zyrën e tij, e ndërsa nga sa është mësuar deri më tani, kreu i aferës ishte Flamur Peqini, kreu i Ndërmarrjes së Pasurive Publike dhe njëherazi ish- kreu i Inspektoratit të Ndërtimit në Lushnjë.
Mes të arrestuarve të tjerë zyrtarë të tjerë të Bashkisë, mes tyre Gazment Cela, zv. drejtori i Ndërmarrjes së Pasurive Publike, Xhemal Hasko, përgjegjësi i ujit në bashkinë Lushnje, Blerta Turuku; Ani Simoni; Andri Mushaj; Margarita Gjermeni; Bujar Murati; Ibrahim Lami.
Në këtë hetim ka pasur përgjime dhe vëzhgime, kontrolle të financave dhe transaksione të zyrtarëve.
Zyrtarët lekët e tenderave i kalonin në kompani private në mënyrë fiktive
Reagoi menjëherë kryeministri Rama, duke u përbetuar të mos marrë në mbrojtje askënd.
“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre!
PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.
Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, shkroi i pari i qeverisë. /tesheshi.com/