Nga Ylli Pata
Ndonëse PD ka dorëzuar tani variantin e saj për reformën më të madhe politike në vend që pas vitit 2009, bocetat e saj mësohet se janë diskutuar prej kohësh me përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, ndërkohë që OSBE-ja pritet të jetë zbatuesi i këtij projekti apo reforme.
Një burim diplomatik i tha tesheshi.com se një nga variantet që është diskutuar mbi kërkesën e PD-së për implementimin e votimit dhe numërimit elektronik, është zbatimi i një variant pilot i këtij votim-numërimi në një nga bashkitë jo të mëdha të vendit, gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2019, ndërkohë që para kësaj periudhe po me votim elektronik do të bëhet çekimi apo kontrollimi i emigrantëve shqiptarë jashtë Shqipërisë, në bazë të një procesi simultan votimi.
Pikërisht ky variant mund të bashkojë dy të ashtuquajturat kushte të panegocueshme të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.
Ndërsa kreu i PD-së nuk pranon të tërhiqet asnjë centimetër nga votimi e numërimi elektronik, kryeministri e ka cilësuar si “vijë të kuqe” votën e emigrantëve.
Pikërisht ëto janë dy nga bazat ku do të nisë hartimi i punës së ndërkombëtarëve, të cilët edhe pse kanë rezerva për sistemin elektronik janë gati që të ofrojnë në Shqipëri strukturat europiane që e kanë bërë këtë punë.
I gjithë procesi i eksperimentimit të votimit dhe numërimit elektronik do të financohet nga Bashkimi Europian dhe do të zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë, e cila do të rekrutojë një numër të madh ekspertësh dhe inxhinierësh për të mirëmbajtur një sistem, i cili nga vendet kryesore të Europës cilësohet i rrezikshëm dhe i janë kthyer votimit klasik.
Siç mësohet, nëse eksperimentimi i elektronikës në zgjedhje nuk do të ketë probleme, atëherë ai mund të zbatohet në të gjithë zgjedhjet vendore të 2019-s si një “provë gjenerale”.
E nëse do të ketë kleçka gjatë testimit të parë, gjithsesi mësohet se për votën e emigrantëve do të aplikohet totalisht votimi dhe numërimi elektronik.
Por votimi i emigrantëve do të jetë një lloj apendiksi që të mos prishë sistemin në tërësi gjatë zgjedhjeve të ardhshme.
Kështu, vota e emigrantëve do të menaxhohet në mënyrë të tillë që në Parlament të lihet një vend i caktuar dhe jo që “thesi i votave të diasporës” të bashkohet me “thesin e madh”.
Në bazë të regjistrimit fillestar pritet të lihet një kuotë e caktuar përfaqësimi për diasporën sipas modelit italian, ku një numër prej 10 deputetësh i janë lenë votuesve që jetojnë jashtë vendit.
Formula megjithatë do të diskutohet dhe elaborohet për një kohë të gjatë nga OSBE-ja, palët dhe në fund çertifikimin final do ta japë Komisioni i Venecias.
Është ky i fundit skeptik për votimin elektronik dhe ka gjasa që në fund të vendoset votim i pjesshëm elektronik me mundësi për ta zëvendësuar me manualin, numërim kombëtar elektronik dhe administrim të zgjedhjeve sipas modelit të vettingut.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka nisur prej kohësh takimet dhe mësohet se do të bëhet thuajse në një dorë, reforma zgjedhore, ajo kushtetuese dhe ndryshimi i ndarjes administrative, që pritet të bëhet kërkesë politike e opozitës së shpejti, kur të nisë diskutimi në Kuvend për shkresën ku propozohet nisja e diskutimit për reformën zgjedhore.
Edhe pse Basha e quan një marrëveshje e re, në fakt kjo do të jetë pjesa e dytë e paktit të 18 majit, i cili kishte një aneks postzgjedhor, por që taktikisht nuk përqen ta përmendë si njëri ashtu dhe tjetri. /tesheshi.com/