Zyra e OSBE-së në Tiranë i ka dhënë një tjetër goditje opozitës, ku veç shpalljes së parlamentit si legjitim, pra edhe me deputetë të rinj që po marrin mandatin, prej saj është thënë se tashmë edhe reforma zgjedhore e cila kërkon 85 vota mund të votohet pa asnjë problem.
“Reforma zgjedhore kërkon 84 vota. Nuk e di nëse ata që janë futur në parlament janë në favor të reformës, por votimi i tyre është i ligjshëm nga pikëpamja juridike”, tha ambasadori Bernd Borchardt, gjatë një aktiviteti të përbashkët me KQZ-në.
Për ta përforcuar dhe më tej qëndrimin e tij, Borchardt tha se “anëtarët e parlamentit në çdo vend të botës janë të lirë dhe kanë të drejtë të zgjedhin nëse duan të jenë pjesë e parlamentit apo jo”.
Ai tha se inkurajon hyrjen e opozitës në zgjedhjet e qershorit, e që paralel duhet hetuar mbi aludimet për blerje votash, mbi të cilën është ngritur kauza e opozitës.
“Siç theksohet në raportin e fundit të ODIHR, autoritetet duhet t’i japin përgjigje akuzave për shitblerje votash pasi është vënë në rrezik besimi i publikut”, tha Borchardt. /tesheshi.com/