Pas ftesës që iu bëri presidentja Atifete Jahjaga krerëve të institucioneve si dhe të partive politike, këta të fundit kanë deklaruar se nuk do t’i ndryshojnë qëndrimet që kanë për marrëveshjet e arritura në Bruksel nga qeveria e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili ka pranuar ftesën e presidentes Jahjaga, e po ashtu ka shprehur qëndrimet që ai dhe kolegët e tij opozitarë do t’i mbajnë brenda në takim.
Haradinaj ka deklaruar se qëndrimi ynë është mos-thirrja e seancës dhe tërheqja e marrëveshjeve të qeverisë. Ai ka ritheksuar që të mos thirret seanca para tërheqjes së marrëveshjeve të qeverisë. “Ky është qëndrimi i tri partive opozitare ku edhe do të jemi bashkë nesër,” ka deklaruar Haradinaj.
Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, i cili kishte hedhur gazin lotsjellës në seancën e fundit, për KlanKosova ka komentuar ftesën e Jahjagë drejtuar spektrit politikë dhe koalicionit qeverisës PDK-LDK dhe opozitës së bashkuar në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada aktuale në institucionet e vendit, ka thënë se, ata janë gati të reflektojnë nëse Kryeministri Mustafa tërheqë nënshkrimet.
Ai ka thënë se kryeministri Mustafa është ai që është duke e bllokuar Kuvendin, sepse ai ka nënshkruar marrëveshje duke anashkaluar Kuvendin.
Për krizën e krijuar në Kuvend, Topalli ka deklaruar se që nga paslufta, kjo është kriza më e madhe që kërkon që të gjitha forcat politike të reflektojnë.
“Ne kemi treguar që jemi të gatshëm të reflektojmë, por që kryeministri të tërhiqet nga marrëveshjet”.
Sa i përket ftesës së presidentes ai ka thënë se nga ajo presim rol neutral. Një rol që pranohet nga të gjithë.
“Qe të mos ketë gaz lotsjellës dhe vezë, duhet kryeministri i Kosovës t’ia kthejë institucioneve mandatin,” ka theksuar Topalli.
Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, për televizionin publik ka folur për ftesën e Presidentes Jahjaga ku ka thënë se opozita është e vendosur që t’i shkojë deri në fund kundërshtimeve për marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë.
Sa i përket ftesës së Presidentes, Lekaj ka thënë se kjo nuk do t’i shtjerrë mundësitë e komunikimit, por kjo do të jetë pa rezultat nëse Mustafa nuk i tërheq nënshkrimet për marrëveshjen .
“Edhe pse shkojnë te Presidentja, opozita është e vendosur për qëndrimet e veta, derisa Qeveria është kokëfortë në këtë qëndrim që mos t’i kthej marrëveshjet, edhe opozita është e vendosur që ti shkohet deri në fund kërkesave të saj”, ka deklaruar Lekaj.
Lekaj ka potencuar se përmes një letre opozita e ka paralajmëruar përmes kryetarin e Kuvendit Veseli që të mos e thërrasë seancën pa i tërhequr Mustafa marrëveshjet për Asociacioni dhe për Demakracionin në të kundërtën opozita do të vazhdojë të mos lejojë zhvillimin normal të seancave./tesheshi.com/