Mazhoranca ka vendosur t’i japë opozitës drejtimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit duke arritur plotësuar kështu një prej kërkesave të parashtruara nga Partia Demokratike muaj më parë. Në Parlament është dorëzuar ligji i ri për integrimin, i cili parashikon edhe ngritjen e strukturës së re të Këshillit Kombëtar për Integrimin, i firmosur nga 3 deputetë të forcave kryesore politike, PS, PD dhe LSI.
Për Majlinda Bregun, e cila si Kryetare e Komisionit të Integrimit do të drejtojë edhe Këshillin Kombëtar të integrimit ky konsensus është vetëm një hap dhe jo domosdoshmërish përfaqëson një mentalitet të ri në politiken shqiptare.
“Epoka e re do te jetë prezente atëherë kur të kuptohet qartë se parim dhe cak i fundit për negociatat është pikërisht kompromisi dhe konsensusi. Përsa kohë që kjo do të mbetet një angazhim teorik apo buzëqeshje premtuese gjatë vizitave në Bruksel dhe të mos përkthehet në veprime konkrete për të zbatuar standardet evropiane në vend, kjo nuk do teë jetë e lehtë. Por vazhdoj të besoj dhe e përsëris se sado të kërkojmë shtigje të reja dhe dredhi për të mos mbërritur tek kompromisi, rruga e vetme për të mbërritur në Bashkimin Evropian është e përcaktuar; kompromis, konsensus politik, zbatim i ligjit.”
Por Bregu pranon se përgjegjësia për arritjen e konsensusit i takon edhe opozitës. “Opozita nuk shmanget nga ky detyrim, por e drejta për të ofruar konsensusin dhe kompromisin gjithmonë i takon mazhorancës.” Projektligji për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit synon të rregullojë edhe procesin e llogaridhënies se qeverise ne parlament.
“Pasi ligji përcakton afate të caktuara të raportimit në Kuvend të Kryeministrit, Ministrit të Integrimit sikurse detyrimet e gjithë ministrive të linjës për të raportuar për procesin e integrimit dhe zbatimin e detyrimeve në Komisionin e Integrimit.” Këshilli Kombëtar i Integrimit është një struktureë që e kanë ngritur edhe vende të tjera si instrument në ndihmë të procesit të integrimit.
Në Kroaci ky këshill u ngrit pas hapjes së negociatave për anëtarësim, por në Shqipëri, Brukseli kërkoi ngritjen e tij me herët për të forcuar kulturën e bashkëpunimit mes forcave politike. Mbledhja e parë e Këshillit do të mbahet në fillim të marsit kur në Tiranë do të mbërrijë komisioneri për zgjerimin Hann. Por roli i Këshillit është thjesht konsultativ dhe opozita ka ende dyshime nëse qeveria do t’i japë peshën e duhur kësaj strukture për sa kohë që ende Bashkimi Europian, nuk ka vendosur një datë për hapjen e negociatave dhe qeveria nuk e ka të domosdoshme kërkimin e kompromisit me opozitën.