Presidenti amerikan, Barack Obama ka pranuar se paaftësia e tij për t’i dhënë fund luftës civile brutale në Siri akoma po e ndjek atë.
Në një intervistë me historianen e njohur presidenciale, Doris Kearns Goodëin, të botuar të mërkurën për prestigjiozen Vanity Fair, kur u pyet për zgjedhjet e tij më të vështira gjatë tetë viteve sa ishte në detyrë, Obama përmendi Sirinë.
“Ka gjithmonë gjëra që unë mendoj se do kisha dëshirë që t’i zgjidhja ndryshe”, tha Obama, i cili tashmë i ka ditët e numëruara në Shtëpinë e Bardhë, e që për këtë arsye ndodhet në pozitën e njeriut që bën bilancet e reflekton mbi 8 vitet e qeverisjes.
“Dhe ka shumë situata, të cilat, kur i shikoj pas detyrohem të them se vendimi që kam marrë apo kursi që kam ndjekur ka qenë i gabuar. Shembull më i mirë për këtë është situata në Siri, e cila vazhdimisht më ndjek nga pas”, shtoi ai.
Më tej, Obama u shfaq edhe më tragjik në reflektimin e tij ku tha se: “Unë do të thoja se të gjitha gjërat që kanë ndodhur gjatë presidencës sime, fakti që kemi qindra e mijëra njerëz që janë vrarë, miliona tjerë të zhvendosur, më bën të pyes veten se çfarë mund të kisha bërë ndryshe gjatë këtyre pesë-gjashtë viteve të fundit”.
Obama shpesh është akuzuar për refuzimin e tij për të ndërhyrë ushtarakisht në një konflikt në të cilin kanë humbur jetën mbi 300,000 njerëz.
Ky refuzim, ka çuar në vazhdimin e konfliktit, lejimin e Rusisë dhe të Iranit që të shfaqin fuqinë e tyre në Lindjen e Mesme, si dhe ka krijuar një krizë me refugjatë që ka destabilizuar mbarë Evropën. /tesheshi.com/