Manchester United – Bournemouth ishte e vetmja ndeshje e paluajtur ende në Premier League-n e përfunduar tashmë. Lajmërimi për diçka të dyshuar si bombë të dielën e shkuar kishte sjellë boshatisjen e stadiumit dhe anulimin e ndeshjes. Një incident banal, që më tepër vuri në pah rrezikshmërinë e paaftësisë administruese të personave përgjegjës për stadiumin dhe për ndeshjet, sesa të “bombës” që nuk doli të qe e tillë.
Takimi është luajtur mbrëmë, e është dominuar tërësisht nga vendasit, karshi një skuadre që i mungonte çdo motiv për të luajtur.
Man. United ka fituar 3-1, për t’u renditur përfundimisht në vend të pestë në renditjen përfundimtare, me po aq pikë sa Man. City i vendit të katërt. “Djajtë e kuq” nuk ia dolën të sigurojnë pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm, por së paku garantuan mundësinë për të luajtur në Europa League.
Rashford, 18-vjeçari që u mblodh befasisht me kombëtaren angleze për në Euro 2016, spikati më së shumti në pjesën e dytë, kur edhe shënoi njërin prej golave. Rooney dhe Young ishin dy shënuesit e tjerë prë vendasit. Ndërkohë që Smalling shënoi një autogol në minutën e 93-të.
Man. United përgatitet tani për finalen e së shtunës të FA Cup-it, ndaj Crystal Palace-it. Nëse e fiton atë, ky do të ishte suksesi i parë që prej 2013-ës.
Van Gaal, trajneri holandez i Man. United-it, që ende nuk e ka të sigurt të ardhmen e tij, do të deklaronte pas ndeshjes: “Mund të them vetëm se kam një kontratë trevjeçare, e se dua ta përmbush atë. Periudha kalimtare nuk ka mbaruar ende. Unë jam ende trajneri.” /tesheshi.com/