E dizajnuar dhe e financuar nga arkitekti argjentinas, Eduardo Catalano, Floralis Generica, apo siç njihet ndryshe, lulja gjigante prej argjendi, është shndërruar në atraksion turistik në Buenos Aires qysh prej ditës kur është instaluar aty, në vitin 2002.
Lulja gjigante metalike lulëzon çdo ditë në një pishinë të vogël fare pranë Muzeut Kombëtar të Arteve Aplikative (Plaza de las Naciones Unidas) në kryeqytetin e Argjentinës. Çdo mëngjes ajo hapë petalet e saj, 13 metra të gjatë secila, për t’u mbyllur pastaj në mbrëmje.
“Secila lule është sintezë e të gjitha luleve në botë, dhe po ashtu është shpresë se një ditë e re po lind”, ka thënë projektuesi Catalano.
Lulja gjigante metalike është e ndërtuar prej betonit, aluminit dhe çelikut rezistent ndaj ndryshkut. Peshon 18 tonë, ndërsa është e lartë 23 metra. Në kohën kur hapen petalet e saj, lulja arrin diamterin prej 40 metrash. /tesheshi.com/