Ish-rektori i Institutit të Aviacionit të Moskës (MAI) Anatoly Gerashchenko vdiq në një aksident, njoftoi agjencia ruse e lajmeve TASS.
“Më 21 shtator 2022, Anatoly Nikolayevich Gerashchenko, doktor i shkencave teknike, profesor, këshilltar i rektorit të Institutit të Aviacionit të Moskës, vdiq si pasojë e një aksidenti.
Aktualisht është duke u zhvilluar një komision për hetimin e aksidentit, i cili do të përfshijë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Rusisë, Inspektoratit Shtetëror të Punës në Moskë dhe Institutit të Aviacionit të Moskës”, raportoi TASS.
Më herët në media u shfaqën informacione se 72-vjeçari Gerashchenko vdiq brenda mureve të universitetit pasi u rrëzua nga një lartësi e madhe.
Gerashchenko ishte rektor i Institutit të Aviacionit të Moskës nga 2007 deri në 2015, sipas faqes së internetit të universitetit. Theksohet se ai ishte një shkencëtar në fushën e disqeve të automatizuara, autor i më shumë se 100 punimeve shkencore dhe artikujve në fushën e sistemeve të ngasjes.
Media ruse Moscow Post shkruan se ata u kanë konfirmuar se Gerashchenko po zbriste shkallët, ka rrëshqitur dhe ka rënë disa kate dhe ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Nga ana tjetër, një pjesë e publikut rus shprehet se ai është “gjetur” vetëm në fund të shkallëve.
Kështu, vijon saga e vdekjeve të njëpasnjëshme dhe plot pikëpyetje e figurave të njohura të shoqërisë ruse, të cilat ngjajnë me një thriller konspirativ nën pushtetin e Putinit, famëkeq për shumëçka. /tesheshi.com/