Bullgaria po kryen një kontroll mobilizimi masiv, duke thirrur rezervistë deri në moshën 65 vjeç, ndërsa në të njëjtën kohë forcon aftësitë mbrojtëse përmes bashkëpunimit me SHBA-në dhe futjes në përdorim të avionëve luftarakë më të fundit F-16 Block 70.
Bullgaria, e cila nuk ka kryer kontrolle mobilizimi për më shumë se tridhjetë vjet, ka nisur një përditësim masiv të listave të rezervistëve.
Sipas informacioneve të portalit SafeNews, repartet ushtarake në të gjithë vendin po dërgojnë ftesa për qytetarët që këto ditë të paraqiten për kontrolle mobilizimi.
Thirrjet vlejnë për të gjithë meshkujt nga 18 vjeç deri në kufirin e sipërm të moshës në varësi të gradës: 58 vjeç për grada më të ulëta, 60 vjeç për rreshterët, 63 vjeç për oficerë të rinj, 65 vjeç për oficerë dhe gjeneralë të lartë. Për ekspertët mjekësorë nuk parashikohet asnjë kufizim moshe, shkruan NIN.
Qytetarët duhet të paraqiten me letërnjoftim, letërnjoftim ushtarak dhe dokument ftese. Në rast mos raportimi parashikohen sanksione ligjore.
Ministria bullgare e Mbrojtjes i është përgjigjur protestës publike, duke pretenduar se kjo është një “procedurë rutinë” dhe një përditësim i rregullt i bazës rezerviste dhe pajisjeve ushtarake. Megjithatë, analizat tregojnë një tendencë shqetësuese: numri i personave me trajnime të kryera ushtarake po bie me 5-7% në vit dhe parashikohet që pas 14 vitesh Bullgaria mund të mbetet pa rezervë funksionale.
Zyrtarët sigurojnë se mobilizimi nuk ka të bëjë me luftën në Ukrainë dhe as me ndonjë konflikt aktual. /tesheshi.com/