Kraja, një nga trevat etnike shqiptare në Mal të Zi po asimilohet dhe braktiset ditë pas dite. Jo vetëm janë ndryshuar toponimet dhe emrat e njerëzve, por po ndryshon edhe mënyra e festave dhe dokeve.
“Festa e Gështenjave” për shembull është një nga kremtimet më të lashta të shqiptarëve. Çdo vit, në këtë kohë bëhet një panair për frutin më të përhapur në malësinë e Krajës. Nëse shikoni me vëmendje këtë poster, vihet re se asgjë shqip nuk ka përveç, emrit të Gjyste Vulajt, që edhe ajo “shitet” si një nga këngëtaret malazeze të tallavasë.
Partia Forca për zonën e Krajës, që ka deputetin e vetëm në Mal të Zi e ka cilësuar këtë fakt, si një skandal. Përmes një deklarate, këshilli komunal ka bërë thirrje për bojkotim dhe të ndërhyhet menjëherë.
“Këshilli Komunal i Forcës se Re Demoratike përshëndet reagimin e diasporës në lidhje me organizimin e “Festës së Gështenjave” në Krajë. Ne si këshill, së bashku me anëtarët e “Koalicionit Shqiptar” kemi vite që kemi kritikuar mënyrën e organizimit të këtij manifestimi, i cili për nga natyra do duhej të ishte një panair i vlerave kulturore dhe bujqësore të kësaj treve dhe jo të promovojë politikat e vëllazërim-bashkimit, të cilat kemi shpresuar se i kemi tejkaluar që në vitet 90-të, apo të shfrytëzohet nga individë për tu promovuar personalisht dhe për shfrytëzime politike”,-thuhet në deklaratën e këshillit komunal.
Po ashtu, theksohet se kjo gjë ishte e pritshme dhe ka qenë kjo arsyeja se përse partitë shqiptare në Malin e Zi nuk u bënë pjesë e këshillit bashkiak lokal.
“Gjithësesi, nuk jemi të habitur sepse një gjë të tillë e kemi pritur dhe ishte një nga arsyet se pse ne sëbashku me anëtarët e të gjitha partive shqiptare nuk pranuam të jemi pjesë e këshillit të bashkisë lokale. Ne jemi pro çdo manifestimi, gjë që e kemi vërtetuar dhe me ndihmën e vazhdueshme brenda mundësive modeste, por kërkojmë që këto raste të jenë një mundësi e krajaneve, për të promovuar traditën kombëtare dhe bujqësore nën tingujt shumë vjeçare të folklorit shqiptar dhe jo më “gusle” nga Plevlja”, përfundon deklarata e këshillit komunal i Forcës së Re Demokratike. /tesheshi.com/