Media raportoi rastin e rradhës së një grabitjeje me shënjestër të moshuar në vetmi, një e jo dy. Pra jo çift. Bëhet fjalë për një grua të vetme, në një fshat të Korçës. Luljeta Hoxha quhet. Nën kërcënimin e armës iu vodhën 10 mijë euro fshehur poshtë krevatit ku flinte, siguruar nga shitje pronash, siç tha. Nga dhuna e personit që e grabiti ajo ka përfunduar në spital. Media ka nxituar t’i marrë dëshminë se si ndodhi. Dhe ia ka marrë. Ajo ka rrëfyer detajet e atyre momenteve dramatike. Por kaq. Asnjë prej mediave që e kanë intervistuar nënë Luljetën nuk ka shkuar më tej, apo në vend të detajeve të grabitjes të zgjedh diç tjetër, jo pak të rëndësishme për të tilla raste: Pse jetojnë vetëm? Nga kush janë braktisur? A kanë fëmijë, po të afërm?
Sepse pas dhunës e vjedhjes, vjen aspekti më i rëndë social: vetmia e tyre.
U bë lajm i madh vdekja në vetmi e të ëmës së Piro Dhimës në Himarë, gjetur e pajetë tre-katër ditë pasi kishte dhënë shpirt në banesën ku jetonte, por vetëm se ishte e ëma e një njeriu publik. Por sa e sa të moshuar shuhen në vetmi çdo vit, në çdo kohë e kudo nëpër Shqipëri, pasi fëmijët, jo një apo dy, por tre, katër, pesë, gjashtë, jetojnë në emigracion pa pranuar që së paku njëri të jetojë me prindërit e t’u shërbejë atyre.
Edhe nëse i duan, si prindër që janë, në realitet i kanë braktisur. Përndryshe nuk do ndodhte të grabiteshin apo të vdisnin në vetmi, për t’u gjetur rastësisht nga duhma e rëndë që lëshojnë trupat e tyre.
Pra, para krimit të grabitjes, ka një krim tjetër dhe më të tmerrshëm: lënia në vetmi e tyre, nga fëmijët apo të afërmit e tyre.
Po këtij lloj krimi media nuk i qaset, pasi ajo thjesht do gjak! /tesheshi.com/