Asambleja e Përgjithshme e OKB miratoi me shumicë votash një rezolutë që konfirmonte të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje.
Vëzhguesi i përhershëm i OKB-së në Palestinë, Ambasadori Riyad Mansour, i tha agjencisë palestineze WAFA se 176 shtete anëtare votuan për atë rezolutë.
Shtatë shtete votuan kundër rezolutës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa katër shtete abstenuan.
Mansour tha se ky votim bindës ka ndodhur vetëm një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vënë veton ndaj propozimit për një rezolutë mbi Jerusalemin në Këshillin e Sigurimit, dhe se kjo kishte një rëndësi të veçantë politike.
Ky propozim i rezolutës kundërshton vendimin amerikan për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.
“Bota po refuzon qëndrimin e ri amerikan lidhur me Jerusalemin, që rrit izolimin e atij vendi, sepse ka vendosur të qëndrojë në anën e shtetit okupues, në anën e Izraelit, duke shkelur kështu rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit”, tha Mansour.
Ai gjithashtu theksoi se Asambleja e Përgjithshme do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë që përcakton të drejtën e popullit palestinez për sovranitetin mbi burimet e saj natyrore në territoret e pushtuara, duke përfshirë Jerusalemin.
Votimi për rezolutën mbi Jerusalemin do të mbahet të enjten, shtoi ai.
Burime diplomatike turke më herët i thanë Al Jazeera-s se është siguruar shumica e kërkuar e dy të tretave të shteteve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme që kundërshtojnë vendimin e SHBA-së për Jerusalemin.
Një grup shtetesh arabe, Turqia dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) kanë bërë thirrje për një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme pas vetos së SHBA-së në Këshillin e Sigurimit. /tesheshi.com/