Lefter Koka, deputet i LSI-së, nuk ka pranuar që t’i bindet partisë së tij për të djegur mandatin, e pos kësaj ka akuzuar lidershipin demokrat se ai është pikërisht ai që po kërkon të tërhqë zvarrë të gjithë opozitën.
Njeriu që ka drejtuar Bashkinë e Durrësit si socialist para Vangjush Dakos, e që në qeverinë “Rama 1” ka qenë ministër Mjedisi, tha se ai vet nuk mund të tërhiqet zvarrë.
Ai ka bërë publik qëndrimin e tij, duke qenë i pari rast mosbindjeje nga radhët e opozitës, 24 orë pas shpalljes së djegies së mandateve.
Deklarata e plotë:
Opozita dje mori vendimin për të djegur mandatet e deputetit. Vendimi im i palëkundur është se unë nuk do të djeg mandatin e deputetit, që mijëra durrsakë më kanë besuar. I zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre. Parimet e mia në 2 dekada te jetës sime politike janë udhëhequr vetëm nga interesi i qytetarëve. Janë ata që me kanë treguar gjithmonë cila është e drejta dhe e vërteta, janë ata bashkëudhëtarët dhe udhërrëfyesit e mi.
Ky nuk është një vendim thjeshte i Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit. Dhe nese erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI, a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe une i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë.
Mandati im është besimi i mijëra qytetarëve. Është mandati i qytetarisë, kulturës dhe fisnikërisë durrsake , që as në ditët më të vështira të këtij qyteti nuk theu kurrë një xham. Qytetarët durrsakë kanë treguar në çdo kohë, se ata janë shembulli më i mirë i shoqërisë shqiptare. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar.
Thellësisht mirënjohës për të përfaqësuar sa më denjësisht zërin tuaj! /tesheshi.com/