Publikimi nga numri dy i qeverisë së Kosovës i faktit se na qenka kërcënuar nga vetë kreu i ISIS-it, el-Bagdadi, është shkurt e saktë vetëm politikë me frikën.
Hashim Thaçi, i cili nuk e ka mbështetjen e Uashingtonit për ëndrrën e tij presidenciale, u ka dërguar mesazh SHBA-ve nëpërmjet agjencisë franceze të lajmeve se ai është kandidati i duhur, pasi, veç të tjerash, është kërcënuar dhe nga ISIS-i. Dhe jo dosido, por nga vetë kreu i kësaj organizate, el-Bagdadi, edhe pse nuk dihet në çfarë gjuhe ka qenë e shkruar letra, pasi ish-oficeri i trupave speciale irakiane njeh shumë të tilla, përfshirë edhe hebraishten.
Dhe nëse letra është një realitet, numri dy i qeverisë së Kosovës e ka mbajtur dy vjet pa publikuar, dhe kjo është normale, madje edhe pozitive.
Në raste të tilla shtetarët u drejtohen agjencive të specializuara për të kryer hetimet e duhura, dhe nuk e stresojnë publikun. Kjo pasi një nga qëllimet e organizatave terroriste, madje ai më kryesori, është që të diktojnë dhe kushtëzojnë opinionin publik nëpërmjet frikës.
Që kur terrorizmi ka qenë mjet politik, të gjithë aktorët kanë kryer akte publike më shumë për të bërë bujë sesa për të goditur një shënjestër njerëzore.
Nëse ISIS-i ka pasur qëllim të trembë Thaçin dhe Kosovën që politika e këtij vendi të kushtëzohet jo nga planet dhe programet e shpallura, por nga frika prej akteve terroriste, nuk arriti dot ta bëjë këtë dy vite më parë, por pikërisht sot.
Dhe njeriu i cili e ka ndihmuar ISIS-in që ta plotësojë këtë synim politik është pikërisht “shënjestra” e tij, Hashim Thaçi, numri dy i qeverisë së Kosovës dhe kandidati potencial për president i vendit.
Thaçi, atë që nuk e kishte bërë për dy vjet, ndërsa, natyrisht, ka punuar me shërbimet e specializuara për ta analizuar dhe verifikuar letrën, e bëri tani.
Shkurt, mesazhi i terroristëve u përcoll, duke bërë realitet qëllimin final të letrës (nëse ekziston).
Dhe me këtë publikim, Thaçi sërish mbetet i kërcënuar nga ISIS-i, duke krijuar një precedent që edhe presidenti i ri i Kosovës, nëse zgjidhet ai, të jetë një shënjestër e vazhdueshme e terroristëve. E, sipas çdo logjike politike, rruga më e mirë për të shmangur një dramë apo katastrofë do të qe mënjanimi i Thaçit dhe zgjedhja e një kandidati që nuk është i kërcënuar.
Kësisoj, siç duket, plani i SHBA-ve, që pritet të bëhet i ditur edhe nga John Kerry, i cili do ta vizitojë Tiranën javën e ardhshme, është që kreu i PDK-së të mos jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës.
Hashim Thaçi e di mirë këtë, por ka dhënë një mesazh me qitje të largët, që edhe nëse nuk zgjidhet president, ai nuk duhet të jetë material për Gjykatën Speciale, por për qeverinë e Prishtinës.
Kjo sepse ai të “bën gjëmën”. Dje publikoi një letërkëmbim me vetë kreun e ISIS-it. Po ditët e ardhshme ç’dokumente, të mbajtura në sirtarin e tij plot mistere, do të publikojë kreu i PDK-së?!
Ja, ky ka qenë dhe mesazhi final i Thaçit. Jo për popullin e Kosovës, natyrisht, por për SHBA-të e BE-në, që nuk e do fare për president, dhe këtë e bën të ditur thuajse çdo ditë… /tesheshi.com/