Që ligji i plehrave do të bëhej debat politik, kjo dihej, pasi përbën një argument të thjeshtë për dembelët e debatit publik. Ka konotacion të qartë, dhe nxjerr erë të rëndë nga mbeturinat.
Dhe, natyrisht, këtu shikon hipokrizinë dhe lojën aktoreske, pa skenar, por me improvizime, të mjeshtrave të artit dramatik të politikës.
Foli Ben Blushi! Një fjalim brilant politik, që do ta kishte zili dhe Jul Cesari në Senatin e Romës së lashtë, por dikush i nxori një letër kur si ministër i Pushtetit Vendor kishte firmosur koncensionin e Francesco Bechetti-t për një furrë djegie plehrash në Kashar, në vitin 2004.
Siç i tha Espinosa Katanit në filmin Oktapodi për trenin radioaktiv drejt Sicilisë: “Askush nuk e ndal atë tren!”
Po le t’i lëmë debatet teknike që a duhet riciklimi, a bën dhe a s’bën, a vlen për ekonominë dhe vendin, dhe a do të sjellë regres për turizmin.
Por është shumë dramatik fakti se në këtë vend nuk diskutohet kurrë për problemet jetike ekonomike të vendit dhe resurset që Shqipëria ka, por duket trendy të flasësh për mbetjet, armët kimike, kafshët e sëmura, etj.
Pse politika shqiptare nuk bën kurrë debat për burimet bazë të Shqipërisë dhe mundësitë që ato të bëhen thelbi i zhvillimit ekonomik. Ka 25 vite dhe nuk flet kush për kromin e Bulqizës, Kamit, Rragamit, Kalimashit dhe Posjsës. Italianët dhe rusët e kanë quajtur vendin tonë si Afrika e Jugut e Europës.
Nëse Kosova ka linjitin, ne kemi kromin. Por menaxhimi i këtij minerali fitimprurës i është lënë mafies më të frikshme, më idiote, dhe njerëzve më të paaftë për ta nxjerrë, për ta përpunuar dhe për ta shitur.
Pse qeveria nuk ka një plan se si do ta bëjë që industria e kromit të dalë nga kriza dhe shitja e tij të prodhojë vende pune për nxjerrje, përpunim, transport dhe shitje?! Sepse leku i saj nuk vjen shpejt, do kohë…
Pse nuk flitet për naftën tonë, burimin e Shpiragut në Berat, që thuhet se do të sjellë një superprodhim të “arit të zi”? Të bëhet që ky prodhim të sjellë të mira, vende pune dhe para për njerëzit në Berat dhe në zonat përreth. Shumë e thjeshtë! Pasi të gjitha paratë do t’i marrë koncensionari, sipas një skeme tipikisht koloniale.
Shqipëria sot ka gati prodhimin e naftës së para djegies së Patos-Marinzës, çka bëri që Enver Hoxha prej zemërimit të uljes së burimeve të vrasë e të presë qindra specialistë, nga më të mirët e naftës në vend.
Meqë ra fjala, te Dibra që sapo u bënë zgjedhjet. Po mermeri i Muhurrit pse nuk aktivizohet, ç’po bëhet me të, a ka shpresë?
Ka qenë qindra herë më i mirë se ai kinez, që përdoret me shumicë nga shqiptarët, të cilët më shumë i kthejnë varret në monumente, si për të mbytur një ndjenjë faji që nuk janë kujdesur për të dashurit e tyre sa ishin gjallë.
Po të shkosh në varreza shikon monumente edhe më gjigande se ato të altarit të kombit, ku miliona e miliona euro shkojnë për idhujtari.
Në kohën e Zogut, Shqipëria eksportonte sasira marramendëse djathi, gjalpi, e të imtash, deri edhe në SHBA, dhe djathi i Radomirës dhe i Lazaratit konkurronin me Ementalin zviceran.
Pse nuk bëhet asnjë debat publik si ta gozhdojnë ministrin e Bujqësisë që të mos harxhojë para në financimin e projekteve që nuk sjellin fitime për bujqit tanë, por për disa latifondistë të rinj, që kanë marrë me qira ish-tokat e bejlerëve të mëdhenj në Fier e Lushnje. Latifondistët e rinj, të akaparuar nga LSI-ja, po mbjellin ca monstrume bujqësore, që vetëm emër nuk i sjellin prodhimit Made in Albania.
Jemi kthyer në vend call center-ash, qepës të brendshmesh të kompanive të mëdha me mall porositësi, dhe tani riciklues të mbetjeve të botës.
Po bakri ynë që përpunohej në cikël të mbyllur, dhe telat e prodhuar në Shkodër që shiteshin shumë dhe i blenin Sony e Toshiba japoneze? Dhe, për hir të vërtetës, kishin një nam prestigjioz.
Pse nuk bëhet debat për të riaktivizuar pasuritë kombëtare dhe resurset natyrore që mund të sjellin turistë, por edhe konferenca studiuesish etnologë, siç erdhi Miss Durhami dhe Bajroni në kohën e Perandorisë Osmane?
Ja, këto janë tema për debatin politik dhe publik, që do të sillnin vërtet një përfshirje të gjerë, dhe ndoshta edhe një shpresë për rimëkëmbjen e vërtetë të vlerave që Zoti i ka falur Shqipërisë.
Ku bazohemi ne sot?
Tek llafet e operatorëve të call center-ave, te brekët e fasonëve dhe te shkrirja e shisheve plastike.
Si do të përgjigjej një nxënës i klasës së pestë në gjeografinë ekonomike 10 vjet më pas, kur mësuesi ta pyeste se cilat janë pasuritë tona kombëtare?!
Natyrisht kësisoj: “Riciklimi i plehrave, qepja e të brendshmeve të grave, dhe call center-at!”
Po kromi, bakri, djathi, nafta?!
“Kanë qenë shumë e shumë vite më parë pasuri natyrore, por qenë llogaritur gabim nga drejtuesit e vendit, se Shqipëria nuk ka pse prodhon krom dhe ta shesë e të marrë para, por thjesht ofron shërbime për të tjerët: qep rroba dhe shkrin plehra….” /tesheshi.com/