Para meje qëndrojnë dy rrugë… Aty ku jam nuk mund të qëndroj më… e ndiej se ka përfunduar një etapë jete… kam ardhur këtu ku jam dhe duhet të vazhdoj… e shoh se dera ende është gjysmë hapur… mirëpo a ka kuptim?
Jam në një udhëkryq… të kthehem në Kosovë është një fillim i ri… asgjë më nuk është njëjtë si më parë dhe është vështir të pajtohet njeriu me një realitet të ri si ky… shumë më i egër sesa kujtimet e mija fëmijërore.
Shkoj në Kosovë dhe ndeshem me të rejat dhe të vjetrat, nuk e gjej vetën, nuk i shoh fytyrat e miqve të dashur që janë tretur diku nëpër botë… shkoj në vendlindjen time në Mitrovicë dhe dhembja ma ngushton gjoksin, nuk i ngjan qytetit tim të fëmijërisë, nuk e gjej ngrohtësinë e dikurshme, më kaplon nostalgjia për kohën kur kishte shije jeta dhe nuk mund të ndeshem me askënd dhe asgjë që ma heq mallin e ditëve të rinisë së hershme në Mitrovicë.
Si e humbur ndihem dhe përmallohem për Londrën, Në Kosovë më pengojnë thashethemet, dukurit e shfrenuara, pluhuri, balta, mbeturinat, restrikcionet e rrymës, varfëria…
Kthehem në Londër dhe mendja më rrinë në Kosovë…shpirti ndjenë zbrazëti, dritat e Londrës dhe mrekullitë e saj nuk ma ngrohin shpirtin.
Eci rrugës së asfaltuar, pa gropa, pa mbeturina…shikoj fytyrat e zbehta të njerëzve… të gjithë më duken si fantazma, pa shprehje, pa shpirt… nxitojnë gjithnjë dhe sikur e harrojnë vetveten.
Ku ta gjej vetën në këtë lëmsh, e humbur jam.
Shikoj gazetat… Mundësi për studime, kurse të ndryshme, shpallje pune, oferta udhëtimesh, një botë krejtësisht tjetër. Njerëzit këtu nuk ballafaqohen me rrymën, ujin, baltën… por kanë një instiktë primar- paranë.
Mundësitë si të fitojnë më shumë, si të mësojnë më shumë, të udhëtojnë më shumë… dhe prapë një përqindje e madhe vuan nga sëmundjet mentale dhe depresioni.
Bisedoj me njerëz dhe shumë prej tyre ankohen… nuk janë të kënaqur, edhe ata do të dëshironin të jenë diku tjetër- larg shiut dhe lagështisë së Londrës, larg streseve të përditshme të punës, trafikut të stërngarkuar, shtrenjtësisë dhe vetmisë shpirtërore.
O Zot ç’po ndodh me njerëzimin apo ç’po ndodh me mua?
Vij në përfundim se të gjithë njerëzit kudo që janë vuajnë nga pasiguria, depresioni dhe dëshira për diçka më të mire.
Kërkoj shtigje duke u kthyer në filozofit e ndryshme shpirtërore dhe them me vete se me siguri të gjithë ne jemi në një fazë tranzituese… prej një gjendje shpirtërore të përgjysmuar deri në një përcaktim tjetër… ndoshta një përsosje shpirtërore e ndryshme prej asaj që jemi mësuar.
Dhe në ndërkohë vuajmë e të humbur jemi, nuk shohim dritë.
Shumë nga ne nuk jemi në gjendje ta kuptojmë këtë shqetësim shpirtëror… por jemi të vetëdijshëm se diçka nuk është në rregull.
Ata të tjerët që kanë një zgjuarsi më të thellë shpirtërore e dinë se nuk ka kthim prapa në të vjetrën, e dinë se diçka po ndodh, e ndjejnë se duhet kërkuar një mënyrë tjetër, një rrugë tjetër të mbijetesës por nuk e dinë si dhe kur do ta gjejnë këtë rrugë, çka i pret në këtë horizont të ri?
Ndoshta diçka shumë misterioze po na prêt, një force në vete ta gjejmë, një lidhje më të afërt shpirtërore me universin… ndoshta!
Kjo shpresë më mban dhe jam e shqetësuar për një ardhmëri si kjo
Diçka më e mirë duhet të ekzistoj, diçka më përmbushëse, më fuqiplote duhet ta gjejmë.
Po shkojmë në një rrugë të panjohur, por ne budallenjtë optimistë shohim një dritë në fund të tunelit… një shpëtim pas stuhisë. Dhe ndonjëherë kur më zihet fryma nga ky pakuptim i ekzistimit, kjo disharmoni shpirtërore dhe shqetësim i vazhdueshëm sikur merr nga vetja harenë e shpirtit ose joy de vivre, dhe lodhem deri në paskajshmëri.
Kujt i përkasim atdheut apo botës? Tani pothuajse jemi as në tokë as në qiell, por diku midis reve, midis lotëve dhe shpresës…
A është kjo një sprovë për të gjithë ne që kemi humbur nëpër këto kohëra dhe rrëmuja rreth mbizotërimit, pasurisë dhe kemi harruar gjënë primare- lumturinë shpirtërore.
Cilat shenja të Universit tregojnë rrugën e ndritshme, ku jemi dhe kush jemi tani …..?
Një persiatje e vazhdueshme për të gjetur vendin të cilit i takojmë….. ose më mirë për të gjetur vehtën në tokën e premtuar.