Në një intervistë për RTK-në para tre ditësh, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kishte thënë se, “Kuvendi i Kosovës duhet ta përmbushë obligimin rreth themelimit të Gjykatës Speciale, në të kundërt, alternativa që ofrohet është e dëmshme për vendin”. Njësoj, në mars të këtij viti edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pati paralajmëruar se do të ishte rrezik shumë i madh mospërmbushja e “obligimit” nga ana e Kuvendit për themelimin e kësaj gjykate, sepse, siç kishte thënë ai, “e kemi porosinë e qartë, se nëse këtë nuk e bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, atëherë mund të vendoset në Këshillin e Sigurimit me kërkesën e anëtarëve specifikë”. Isa Mustafa kishte aluduar me të drejtë për Rusinë me anëtarë “specifikë”, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse me siguri vetëm një kundërshtar i Kosovës dhe i pavarësisë së saj do ta bënte një gjë të tillë, apo jo?
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte thënë se “Gjykata Speciale nuk do të merret me UÇK-në, e as nuk do ta dëmtojë imazhin e saj për luftën e pastër,” dhe se “është një çështje e cila i ndihmon Kosovës në mënyrë që ne të heqim të gjitha dyshimet” lidhur me “çështjet e ndryshme”. Aludime të tilla kishte patur dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ende nuk është sqaruar se cili do të ishte dallimi mes themelimit të kësaj gjykate nga ana e Kuvendit të Kosovës, në njërën anë, dhe nga ana e Këshillit të Sigurimit, në anën tjetër. Deri më tani nuk është thënë se do të kishte dallime në mandatin e saj, pra, me çështjet me të cilat pretendon të merret kjo gjykatë, por politikanët “mainstream” vendorë e ndërkombëtarë vetëm kanë kërcënuar gjer më tash me frazat, “në të kundërtën e dëmshme”, apo, “në të kundërtën e rrezikshme”. Por cili është ky rrezik? Në qoftë se po flitet vetëm për themeluesin, pra, mes Kuvendit të Kosovës dhe Këshillit të Sigurimit, ndërkaq jo për mandatin, atëherë, pa marrë parasysh se kush do ta krijonte këtë gjykatë, ajo “nuk do ta dëmtonte imazhin” e UÇK-së, dhe do t’i “ndihmonte Kosovës”, siç kanë thënë z. Isa Mustafa dhe zj. Atifete Jahjaga në disa raste. Pra, nëse një gjykatë e tillë do të merret me individët (sipas mandatit të saj, pavarësisht prej themeluesit), e jo me UÇK-në, atëherë më mirë t’ia lëmë Rusisë ta shtyjë themelimin e kësaj gjykate në nivel ndërkombëtar, që të pastrohet kësisoj imazhi i UÇK-së në nivel ndërkombëtar.
Përtej këtyre kontradiktave, spektri politik e intelektual në Kosovë po dështon të merret me një problematikë edhe më të madhe, të shpalosur nga procesi i themelimit të kësaj gjykate, e që secili po mundohet disi ta fshehë nën qilim. Kjo problematikë ka të bëjë me Kosovën, në prizmin e marrëdhënieve të saj ndërkombëtare me të ashtuquajturit (deri më tani) partnerë të përhershëm dhe strategjikë. Kur z. Isa Mustafa ka dashur ta paraqesë si një rrezik të madh krijimin e kësaj gjykate nga Rusia përmes Këshillit të Sigurimit, spektri politik e intelektual në Kosovë është munduar me shpejtësi ta fshehë e mos ta diskutojë rreshtimin e SHBA-së me Rusinë në këtë “rrezik të madh” për Kosovën. P.sh., para disa ditësh, ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, kishte thënë se, “nëse dështojnë këto përpjekje dhe Kuvendi nuk e voton Gjykatën Speciale, vendi im nuk do ta bllokojë më atë [pra, Rusinë]”. Kujdes! Mos të çuditemi. Mos të mundohemi që një rirreshtim të një aktori në marrëdhëniet ndërkombëtare ta marrim si çudi, por çka duhet të bëjmë është të çuditemi me ata të cilët edhe e mohojnë një rirreshtim të tillë të SHBA-së, e aq më shumë të çuditemi me ata të cilët nuk duan ta shohin e të merren me këtë rirreshtim.
Ta marrim për një moment këtë rirreshtim të këtij partneri të Kosovës si një rast specifik e të izoluar. Diskutimi për këtë rirreshtim nuk duhet të bëhet as duke e arsyetuar atë, e aq më pak duke e fajësuar atë, pra, SHBA-në. Diskutimi dhe debati që duhet të nxitet në Kosovë është ai i cili merret me dy pyetje. E para, çka nuk shkoi mirë? E dyta, a mund të presim rirreshtime të tjera të SHBA-së që nuk i shkojnë për shtat interesit strategjik të Kosovës? Pra, të dyja këto nuk merren me SHBA-në si shqetësim, por me Kosovën si problem!
Të merremi me të parën, çka nuk shkoi mirë? Sot sërish vizitova faqen elektronike të Ambasadës së Kosovës në Uashington. Në stafin e saj diplomatik kishte të renditur 4 diplomatë në tërësi, përfshirë këtu dhe vetë ambasadorin, si dhe një staf administrativ. Dhe me të vërtetë mendojmë se zhvillohen e mirëmbahen partneritetet e “përhershme” me 4, 5, apo 6 diplomatë? Apo kemi menduar se partneriteti strategjik i përhershëm mirëmbahet duke dalë në televizor për ta recituar frazën e famshme, “SHBA-ja, partneri i përhershëm i Kosovës”? Të merremi tani me të dytën, a mund të presim rirreshtime të tjera të SHBA-së, që nuk i shkojnë për shtat interesit strategjik të Kosovës? Nëse vazhdojmë të bëjmë shpërfillje spektakolare të atyre që i konsiderojmë dhe dëshirojmë t’i kemi si partnerë ndërkombëtarë, duke i “ofenduar” marrëdhëniet me ta me nga 4-5 diplomatë, atëherë afërmendsh që duhet të presim rirreshtime të tilla jo vetëm të SHBA-së, por edhe të Mbretërisë së Bashkuar e të Francës, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Sipas faqeve elektronike të ambasadave të Kosovës në këto dy vende, kori diplomatik në Londër e Paris përbëhet nga 4 diplomatë, përfshirë dhe vetë ambasadorët.
Është kjo shpërfillje spektakolare e Kosovës, dhe trushpëlarja mbarëshoqërore rreth partneriteteve të “përhershme” e “strategjike” vetëm me fjalë e në ajër, që po e bën pikërisht, çfarë është më e keqja, edhe shpërfilljen e mosdallimin, apo futjen nën qilim, të rirreshtimeve të akerëve ndërkombëtarë, që po ndodhin para syve tanë, e që nuk po duam t’i shohim. Çështja e Gjykatës Speciale, dhe rrethanat e reja që po shpalosen me të, janë vetëm paralajmërim i radhës për shoqërinë në Kosovë, me të cilën është punuar shumë në 15 vitet e fundit për t’ia shpëlarë trurin. Në anën tjetër, Gjykata Speciale nuk ka të bëjë vetëm me këtë, por dhe me atë se çka është 15 vite pas luftës Kosova për partnerët e saj, të konsideruar si të tillë? Kjo u shpjegua mirë nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, kur vizitoi Kosovën tani së fundi, i cili tha për Gjykatën Speciale, “Mendoj që Kosova po i bën një favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja, me përgjegjësinë që t’i sqarojë çështjet përmes kësaj gjykate. Nga përvoja gjermane mund të them se ballafaqimi me të kaluarën është baza që njeriu të jetë i vetëdijshëm dhe të lëvizë përpara drejt së ardhmes së tij.” Pra, Kosova ka arritur tashmë të shihet si agresore, e Serbia si viktimë, e luftës së vitit 1999, siç na kujtoi Steinmeier-i me krahasimin e Kosovës me Gjermaninë naziste dhe pendimin e kësaj të fundit, që duhet ta ndjekë si shembull edhe Kosova. /tesheshi.com/