Të vesh në jetë altruizmin në kuptimin e drejtë të kësaj fjale, do të thotë të ndihmosh të tjerët deri në atë shkallë sa të shkaktosh “dorëzimin e vetvetes”. Kjo do të thotë, dorëzim i kuptimit të vetvetes si një qënie njerëzore me të drejta dhe liri civile, në një thjesht “shkak” dhe “burim” i të mirës për të tjerët. “Altrui” është tjetri tek vetja në një formë të pazbërthyeshme, i cili merr ndihmë pa tendencën e rikthimit të ndonjë favori a merite. Pra interesi vetjak i cili si promotor ka gjithmonë egon vetjake, në këtë rast hunbet kuptimin e vet dhe transformohet në të kundërtën e saj me një drejtim të ndryshëm tashmë, i cili merr kënaqësi në ndihmën që i shkakton të tjerëve edhe pse për këtë i është dashur të dëmtojë veten.
Por ama duhet të jemi të ndërgjegjshëm që “interesi vetjak” dhe “altruizmi” nuk janë të kundërt me njëri-tjetrin. Edhe pse në dukje të tillë, ata përplasen në mënyrën se si e angazhojnë individin në shoqëri. Dallimi mes tyre është “Motivimi Primar”. Nese motivimi primar është altruizmi në një vepër individuale apo kolektive, atëhere edhe pse nuanca të interesit vetjak mund të duken si sfond, përsëri ai akt, nuk del nga kategoria e altruizmit. E nëse interesi vetjak kthehet si motivim primar i nje vepre, atëhere ajo del nga kategoria e të qënurit një vepër altruiste.
P.sh. kur një individ nget makinën e tij me kujdes në qytet dhe shpejtësi të kufizuar gjatë rrugës, i shtyrë nga motivi primar se mund të dëmtojë njerëz me makinën e tij, ky atëhere mund të quhet një akt altruizmi sepse ai kujdeset jo vetëm t’u bëjë mirë të tjerëve por edhe të mos i dëmtojë ata, pavarësisht faktit se ecja ngadalë i shkakton vonesa në axhendën e tij. Por, nëse individi e nget makinën ngadalë nisur nga motivi primar i frikës së shkuarjes në burg nëse dëmton dikë, kjo ndjesi e nxjerr veprimin nga të qënurit altruist edhe pse akti është i njëjtë në të dyja rastet.
Por a mundet vetëm frika e ligjit (vet-interesi) me kalimin e kohës të transfomohet në kulturë altruiste? Në fakt më së shumti kjo mund të shkaktoje ”Inerci kulturore” të altruizmit, sepse sapo faktori ligj të zhduket, njeriu kthehet përsëri në gjendjen e mëparshme. Atëhere themi se duhet një komponente e “brendshme” dhe jo e “jashtme” që t’i japë altruizmit konsistencë dhe vërtetësi.
Në fakt, ne duhet të kuptojmë qartë dallimin mes veprimeve tona morale dhe veprimeve tona altruiste. Të sillesh për të mirën e të tjerëve është ndryshe nga të sjellurit korrekt me të tjerët. Të qënurit korrekt është një normë morale ndërsa të sjellurit për të mirën e të tjerëve duke sakrifikuar edhe nga vetja, është një normë altruiste. Në rastin konkret korrektesa është detyrë sociale, ndërsa altruizmi është dëshirë.
Le ta ilustrojmë me një shembull të thjeshtë që na vjen nga e shkuara jonë jo e largët. Në kohën kur unë isha fëmijë, por si duket kjo ka qenë normë edhe më përpara, gjyshet tona, nënat tona qëllonte që për shkak të varfërisë uniforme t’i kërkonin borxh komshijeve dhe anasjelltas, enë të ndryshme gatimi për një periudhë kohore që nuk e kalonte një ditë. Kthimi pas i këtyre enëve ndodhte në formë korrekte brenda ditës, pra tamam në kohë. Kjo është një vepër e motivuar moralisht, pra vepër korrekte dhe këtu nuk jemi akoma në altruizëm. Por kur disa gjyshe, apo nëna e kthenin enën e marrë borxh dhe brenda saj vendosnin dy mollë, apo vezë apo diçka që dihej se i bënte mirë shoqeve të tyre, atëherë ky është një veprim i thjeshtë altruist i cili udhëhiqet nga sakrifica e vetes për t’i bërë akoma më mirë tjetrës.
Kur një akt mirësie ndërmerret nga dikush duke ditur se do të shkaktojë humbje në mirëqënien e tij, atëhere kemi të bëjmë me një “altruizëm të fortë”, bile për më tepër nëse motivet e interesit vetjak nuk ekzistojnë fare, atëhere ai transfomohet ne “altruizëm të pastër”. Nëse një person nuk i tregon nënës apo gruas së tij për sëmundjen që ka sepse kjo gjë do t’i shkaktonte dëm atyre për shkak të merakut që ata do të ndjenin, ky është një akt altruist i pastër edhe pse mbajtja fshehtë e kësaj gjëje shkakton dëmtim të mëtejshëm shëndetësor. Kjo sepse mirëqënia e nënës dhe gruas për këtë njeri është më e rëndësishme se vetja e vet.
Mendimtarë të ndryshëm kanë thënë se nëse gërmojmë thellë në vetdijen e njeriut do të gjejmë gjithmonë silueta të interest vetjak edhe kur ai sillet si altruist. Madje ata thonë se këto motive të interest vetjak janë aq të fshehura brenda psikës sonë saqë nuk do të gjenim kurrë një akt të pastër altruizmi në qënien njerëzore. Kjo qasje mund të konsiderohet në një farë mënyre e drejtë.
Është interesant fakti që grupe të ndryshme njerëzish reagojnë njësoj kur bie fjala për altruizimin dhe sakrificën që duhet bërë për të në momente të caktuara. Altruizmin e gjen në çdo kulturë në të katër cepat e botës, është një vlerë universale në të gjitha format e shoqërisë njerëzore. E gjitha kjo tregon për një vlerë të njëjtë që i përshkon të gjithë në nivele të ndryshme, por ama që i përshkon të gjithë individët, një tipar transkulturor (përtej kulturave të ndryshme) dhe transkohor (mbi kohën njerëzore dhe periudhat e saj).
Ngjan me një software të instaluar në shpirtrat tanë që aktivizohet me fuqi të ndryshme në individë të ndryshëm. Kjo është prova më autentike, e ekzistencës së frymës unike dhe mbinjerëzore altruiste, e cila përthyhet në miliarda individë të ndryshëm. Ky është një argument se altruizmit vjen nga një burim i vetëm i pandashëm i cili përshkon të gjithë individët. Këta të fundit janë përgjegjës për zhvillimin e kësaj fryme drejt shoqërisë apo tkurrjen dhe mpakjen e tij brënda vetes dhe unit të vet.
Ekziston një balancë tek të gjithë njerëzit e cila shfaqet mes shkallës së sakrificës që dikush duhet të bëjë dhe shkallës së të mirës që duhet bërë tjetrit. Kjo balancë përmblidhet apo përkufizohet me “ekuilibrin” mes të dyjave. Pra, ka një ekuilibër tek individët i cili përcakton masën se sa duhet bërë sakrificë dhe sa duhet bërë vetëm mirë në raport me të tjerët. Në rastet e gjendjes normale, ky ekuilibër karakterizohet nga racionalitetit i vlerësimit të gjërave. Në rastin e gjendjeve të jashtëzakonshme, ky ekuilibër e humb racionalitetin dhe bie duke i dhënë hapësirë më shumë sakrifikimit të vetes. Në rastet e luftrave, tërmeteve, përmbytjeve dhe fatkeqësive të të gjitha llojeve, ekuilibri mes sakrificës dhe thjesht bërjes mirë bie, dhe atëherë niveli i sakrifikimit dhe vetsakrifikimit arrin deri aty sa nuk njeh më kufinj. Në fakt në raste të tilla qytetarët me sensin e tyre të altruizmit kthehen në personelin më efektiv në ndihmë të të tjerëve. /tesheshi.com/