Shqipëria vuan prej vitesh nga sindroma e një tregtie të jashtme të pazhvilluar. Pavarësisht resurseve natyrore dhe pozitës gjeografike, nuk është bërë e mundur që vendi ynë të zhvillohet ekonomikisht duke rritur tregtinë e jashtme në favor të tij. Tregtia e jashtme është liberalizuar që në vitin 1990 dhe ndjek standardet e vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata Botërorë e Tregtisë. Gjithashtu, Shqipëria ka në fuqi 37 marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen dhe nxitjen reciproke të investimeve. Marrëveshje të rëndësishme në të cilat aderon janë: Marrëveshjet e Tregëtisë së Lirë, Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), Marrëveshja me shtetet e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qëndrore (CEFTA), Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Turqinë etj.
Nga të dhënat e INSTAT për tregtinë e jashtme në muajin Qershor 2017, eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 0,3 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,1 % në krahasim me muajin Maj 2017. Importet e mallrave në Qershor 2017 arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 8,4 % në krahasim me një vit më parë dhe me 1,3 % në krahasim me muajin Maj 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u rritur me 15,1 % krahasuar me muajin Qershor 2016 dhe me 7,9 %, në krahasim me muajin Maj 2017. Në gjashtë muajt e pare të vitit, eksportet e mallrave arritën vlerën 133 mld lekë, duke u rritur me 13,5 % krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 295 mld lekë, duke u rritur me 5,6 %, krahasuar me një vit më pare. Deficiti tregtar arriti vlerën 162 mld lekë, duke u ulur me 0,1 %, krahasuar me 2016, një zbritje shumë e vogël e cila nuk ka ndikim të konsiderueshëm në bilancin tregtar pasi importet vazhdojnë të mbizotërojnë dukshëm në krahasim me eksportet.
Në muajin Qershor 2017, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me muajin Qershor 2016 janë: Kosova me (+36,6 %), Spanja me (+218,4 %) dhe Gjermania me (+49,1 %). Ndërsa, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm janë: Italia me +3,8 %, Greqia me +25,2 % dhe Gjermania me +8,8 %.
Ajo çfarë vlen për tu theksuar është se shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 66,3 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Qershor 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76,8 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61,6 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (37,3 %), Gjermania (7,2 %), Greqia (7,0 %) dhe Kina (6,2 %).
Ndërkohë, me Kosovën marrëdhëniet tregtare në vlerë monetare mbeten të ulëta pavarësisht rritje së madhe të eksporteve në përqindje në muajin Qershor 2017 (përkatësisht vetëm 1.839 mln lekë). Marrëdhëniet në fushën ekonomike midis dy vendeve shqiptare nuk janë shumë të zhvilluara dhe ndonjëherë nga pala shqiptare ka pasur reagime të pastudiuara mirë si në rastin e vendosjes së çmimit referent të patateve nga Kosova (që fatmirësisht u hoq shpejt) apo sjellja ndaj turistëve kosovarë në qytetin e Durrësit. Në kushtet e sotme, dy vendet shqiptare duhet ta fuqizojnë pozitën e tyre në Ballkan dhe kjo arrihet nëpërmjet bashkimit ekonomik, pra ndërtimi i një startegjie afatgjatë të zhvillimit ekonomik duke mbështetur prodhimin vendas për krijimin e markave shqiptare “Made in Albania” dhe “Made in Kosova” të cilat, të synojnë me të gjitha standardet e kërkuara edhe tregun evropian përveç tregut në trojet shqiptare.
Kryeministri i Shqipërisë ka shansin për të rritur faktorin shqiptar në Ballkan dhe për të qenë Lideri Ballkanik që BE kërkon. Për të arritur këtë gjë, nevojiten bashkëpunime në funksion të zhvillimit ekonomik midis vendeve si: Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria e cila do të jetë ura lidhëse e këtyre bashkëpunimeve. Nevojitet përmirësimi i bilancit tregtar, përdorimi dhe mirëmenaxhimi i resurseve natyrore, zhvillimi i infrastrukturës në funksion të zhvillimit të turizimit, investimi në prodhimin e produkteve që vendi ynë ka si avantazh krahasues, rritja e investimeve publike cilësore etj. në mënyrë që Shqipëria të ecë drejt një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe të jetë faktor kyç në Ballkan. Fuqia e një shteti është ekonomia e tij dhe tregtia ndërkombëtare është ushqimi i kësaj ekonomie! /tesheshi.com/