Është më e vështirë nga ç’duhej të ishte, të shpjegosh përse njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit është një ide e keqe. Qyteti ka qenë qendër e qeverisë së Izraelit që prej vitit 1948. Ndërkohë që pjesa më e madhe e vendeve janë përmbajtur, Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi Aktin e ambasadës në Jeruzalem në vitin 1995, që përfshin edhe një rresht për njohjen e qytetit si kryeqytet të Izraelit. Presidenti Trump fushatoi mbi premtimin për ta zbatuar Aktin, dhe edhe pse deri tani ai ka ndjekur rrugën e presidentëve të tjerë për të nënshkruar urdhëra që e pezullojnë vendimin; këtë javë ai ka tejkaluar dy afate për ta bërë këtë, duke sugjeruar se është tepër i joshur nga ideja për t’i dhënë dritën jeshile.
Nëse ai e bën këtë, do të shpërbëjë edhe shpresën e fundit për paqe, sipas Autoritetit Palestinez, dhe do të degradojë ndikimin amerikan në botë, siç kanë paralajmëruar vende si Turqia. Këto mund të mos jenë argumente që të bindin. Shtetet e Bashkuara me vullnet kanë dorëzuar shumë gjëra nga pozicioni i tyre: nuk ka proces paqeje dhe Autoriteti Palestinez e Turqia janë vetëm dy subjekte. Por, njohja e versionit aktual të Izraelit për Jeruzalemin do të krijojë probleme të jashtëzakonshme dhe të pazgjidhshme pa adresuar ende çështjet aktuale që përndjekin qytetin.
Izraeli e mori qytetin e Vjetër dhe periferitë palestineze vetëm në vitin 1967. Një ligj i shkruar me nxitim u miratua në Knesset që e shpallte territorin të aneksuar nga Izraeli dhe qytetin e Jeruzalemit “të ribashkuar”. Sipas konventës së Gjenevës, territori i marrë përmes luftës është “nën pushtim” në një formulë që ka zgjatur që prej fashizmit. Qeveri të njëpasnjëshme izraelite kanë debatuar se termat e konventave nuk zbatohen në rastin e Jeruzalemit. Sidoqoftë, në dhjetor 2016, OKB rivotoi duke konfirmuar se territoret palestineze janë nën pushtim armiqësor. Përpjekja e Izraelit për të vendosur nën presion ekipin Trump të tranzicionit për të rikryer votimin tashmë është futur brenda qëllimit të hetimeve Mueller.
Kur organizatorët e xhiros së Italisë 2018 deklaruan javën e kaluar që gara e çiklizmit do të hapej edhe në Izrael, e do të niste në “Jeruzalemin perëndimor”, ata morën kritika të forta nga ministrja izraelite Miri Regev. “Në kryeqytetin e Izraelit, tha ajo, nuk ka lindje dhe perëndim”. Të gjithë që vizitojnë Jeruzalemin do të shihnin shpejt sesa gabim e ka ajo. Prania e ushtrisë dhe policisë kufitare, xhandarmëria e militarizuar, nënvizojnë që pjesa më e madhe e qytetit është nën kontroll ushtarak. Kur kërkoja në arkivat e shkollës së katedrales së Shën Xhorxhit, sekretarja më tha sesa e frikësuar ishte kur binte zilja e shkollës për shkak se nuk e dinte nëse nxënësit do të shkonin të sigurtë në shtëpi, apo do të rrëmbeheshin, rriheshin apo arrestoheshin. Rekrutët e policisë kufitare janë pak më shumë sesa adoleshentë. Sjellja e tyre dhe trajtimi që u bëjnë fëmijëve të arrestuar, ishte subjekt i një ligji paraqitur në Kongresin amerikan, muajin e kaluar. Por problem nuk është thjesht trajtimi i njerëzve në Jeruzalem.
Qyteti është zgjeruar dyfish në 50 vjetët që nga aneksimi i tij, një vendim i marrë çdo herë përmes akteve të parlamentit. Versioni mutant i Izraelit për Jeruzalemin është shumë më i gjerë sesa çdo version historik i qytetit. Në të përfshihen qyteza, fshatra palestineze dhe kampe refugjatësh, sikundër edhe vendbanime izraelite. Konventat e Gjenevës ekzistojnë paralelisht me legjislacionin për të drejtat e njeriut, duke e bërë Izraelin përgjegjës për mirëqënien e shumë qindra mijë njerëzve. Brenda limiteve të qytetit, Izraeli ka kontroll mbi komunitetet të margjinalizuara thellësisht, të pasunduara nga ligji, ku abuzimet janë të zakonshme dhe shërbimet shëndetësore janë të këqija ose nuk ekzistojnë fare. Këto zona nuk kanë kanalizime të përshtatshme dhe po ashtu nuk kanë as zonat izraelite. Rrymat e kanë shndërruar rrjedhën e Kidronit në një kënetë të hapur, që ndot shkretëtirën dhe detin e Vdekur.
Jeruzalemi nuk është i ndarë, i varfëruar dhe i nënqeverisur për shkak të ligjit ndërkombëtar: është situata që rrjedh nga ambicjet territoriale që pasuan luftën. Qeveri të njëpasnjëshme izraelite e kanë pasur të pamundur të përballen me problemet që janë krijuar dhe kanë pasur mungesë vullneti politik për të bërë paqen që do të lejonte palestinezët të kontrollonin vetë jetën e tyre.
Në vend që të shohin ndershmërisht situatën, liderët izraelitë janë përpjekur të baltosin kornizën ligjore që përcakton statusin e qytetit.
Ne jetojmë në një klime ku ligji ndërkombëtar është vendosur nën kërcënim. Të drejtat njerëzore sulmohen si një industri e sponsorizuar nga OKB-ja për të pasuruar të korruptuarit dhe dembelët, ndërsa u lidh duart shpikësve të pasur dinamikë. Përpjekje të vazhdueshme për të degraduar rendin ndërkombëtar i kanë bërë politikanët izraelitë më të dashurit e së djathtës politike, dhe kanë fituar zemrat e biznesmenëve që i përbuzim kufizimet ligjore.
Trump është krijesë e së djathtës dhe mik i financierëve toksikë. Të gjithë mund ta kuptojnë përse ai do të argumentonte zbutjen dhe të legjitimonte pushtimet e Izraelit. Por do të ishte një kthesë e ndyrë në kaos dhe vrasje që do të nxiste katastrofën morale dhe politike në një qytet që e do e gjithë bota.
*Nicholas Blincoe është autor i “Bethlehem: biografia e një qyteti”. Artikulli është botuar në “The Guardian”.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/