Ishte mjaft interesante të shihje disa reagime, në Europë dhe përtej saj, pasi Komisioni Europian javën e kaluar ndërmori hapin e paprecedent të aktivizimit të mekanizmit kundër Polonisë, duke kërcënuar për herë të parë një vend anëtar për t’i hequr të drejtën e votimit brenda klubit.
Brukseli vendosi të veprojë kundër rrëshqitjes në standardet demokratike të Polonisë, më saktë ndaj dhunimit të pavarësisë së gjyqësorit – një proces që së fundmi u përshpejtua nga qeveria populiste e vendit, zgjedhur në vitin 2015. Në median sociale, e djathta ekstreme u tërbua. Aty gjeje përbindëshin europian që i kthehej kundër një vendi, zgjedhjet sovrane të të cilit nëpërkëmbeshin, imazhi i të cilit përlyhej padrejtësisht. E gjitha kjo mund të tingëllojë e dëgjuar dhe më parë?
Në Britaninë e Brexit, “Leave.eu” në Tuiter apelonte Theresa May të bllokonte “BE-në që ngacmon Poloninë”, “thuaj BE-së të mbushet” dhe “nderoje aleancën e farkëtuar nga sakrificat heroike të pilotëve polakë në mbrojtje të vendit tonë” – me hashtagë të tillë si “WWII” dhe “beteja e Britanisë”.
Duke lexuar komente të tilla online, disa prej të cilave nga simpatizantë amerikanë, m’u kujtua po ashtu sesi Donald Trump ishte bërë lirik për qeverinë e Polonisë gjatë vizitës në Varshavë, verën e kaluar: një president nacionalist amerikan që i serviloset një qeverie nacionaliste polake shoqëruar kjo me plot përbuzjeje ndaj projektit europian.
Mbizotërimi i së djathtës ekstreme në Poloni, shumë e dukshme së fundmi, panoramon një komb që trimërisht po i reziston një kërcënimi “civilizimi” nga Perëndimi në të cilin të bardhët, identiteti i krishterë rrezikojnë të përmbysen nga emigracioni musliman, orkestruar nga BE. Në Hungari, kryeministri Viktor Orbán, kampion i vetëshpallur i “demokracisë jo-liberale” deklaroi se një “sulm mbi Poloninë” do të ishte “një sulm mbi Europën Qendrore”. Ai është në kërkim të kapitalizimit të gjithçkaje me të cilat të ndajë problemet e veta brenda Bashkimit Europian.
Ka pak rëndësi se asgjë nga këto mbart ndonjë lidhje me vendimin e komisionit të BE-së së javës së kaluar. Veprimi i Brukselit fokusohej vetëm në nevojën për të mbajtur gjykata dhe gjyqtarë të pavarur si një kolonë parësore e anëtarësisë në BE. Nuk kishte të bënte fare me kuotat e emigrantëve. Fjalët që kundër Polonisë po përdoret “opcioni bërthamor” janë ekzagjerim. Është e vërtetë që BE ka hyrë në territor të panjohur, mirëpo rregullat e unanimitetit me gjasa do ta mbrojnë Poloninë nga pasoja të mëtejshme, si për të drejtën e votimit apo aksesimin e fondeve europiane.
Fronti Nacional i Francës, liderja e të cilit, Marine Le Pen ka marrë pjesë ditë më parë në një takim të liderëve të së djathtës ekstreme në Pragë, e kritikoi “si një vendim skandaloz” që “kërcënon më tej vende që guxojnë të përballen me absolutizmin e BE-së”. “Sot Polonia, nesër Hungaria dhe më pas Austria”, shtoi ajo.
Nuk është e habitshme që punët e Polonisë tashmë shërbejnë si një motiv tubimi për forca që shpresojnë se në fund, BE do të shpërbëhet pas Brexit. Por artikulime të tilla nuk mund të anashkalohen thjesht pasi vijnë nga pjesë të ndyra të spektrit politik. Le ta pranojmë, rasti i BE-së mund të duket normal për besnikët, por me siguri nuk është edhe aq i tillë për të gjithë, përfshirë edhe të majtën. Kujtojmë sesi Brukseli u përball me kritika të zjarrta pasi mbylli njërin sy ndaj shtypjes nga policia spanjolle mbi protestuesit katalanas në tetor, dhe ndaj burgosjes së politikanëve pro-pavarësisë (një çështje që nuk ka gjasa të mbyllet pas zgjedhjeve të javës së fundit në Katalonja). Dhe çfarë mund të thuhet për azil-kërkuesit që mbahen në kushte të tmerrshme në ishujt grekë?
Ka nga ata që mund të hartojnë një listë të gjatë të vendeve europiane që nuk plotësojnë standardet që duhej të ishin të shenjta për klubin. Përse – mund të pyesin disa – të ndërmarrësh hapa kundër Polonisë kur të tjerët lihen të lirë?
Përgjigja ndaj kësaj ka të bëjë me mënyrën sesi funksionon BE-ja. Duhet pranuar se kjo nuk është diçka që vihet re shpesh nga qytetarët e saj. Komisioni është rojtari i traktateve. Nuk është trupë monitorimi e të drejtave të njeriut. Kjo detyrë specifike zbatohet nga institucione të tjera, si Këshilli i Europës. Ashtu si thotë Heather Grabbe, nga fondacioni për Shoqërinë e Hapur: “Sundimi i ligjit është çështje vlerash po aq sa edhe një themel i BE-së. Pa të, thjesht nuk ekziston terreni ku të funksionojë tregu i përbashkët”.
Komisioni nuk po kritikon vetëm qeverinë polake për sjelljen e saj. Po përpiqet të ruajë një trupë të ligjit europian që shqetëson të gjithë qytetarët europianë, pa përjashtim. Në të vërtetë, nëse Brukseli nuk do hiqte një vijë të kuqe këtu, mund të përfundohej në një situatë ku, le të themi, një gjerman apo një shtetas portugez që jeton apo viziton Poloninë, apo një biznesmen që investon atje, do ta gjejë veten një ditë duke u përballur me një gjyqtar të kontrolluar politikisht e jo me një gjyqtar të ndershëm dhe të pavarur. Shumë gjëra do të nisnin të shthureshin.
Mbrojtja e “integritetit” të tregut të përbashkët është ngjashëm një arsye e rëndësishme përse Britania, ndërsa negocion rrugën e saj jashtë BE-së, nuk mund të shpresojë të gdhendë përjashtime njëvaktëshe. Po, ky episodi polak ka të bëjë me Britaninë – jo vetëm sipas mënyrës sesi e mendojnë mbështetësit e linjës së ashpër të Brexit.
Lëvizja e Komisionit duket pastërtisht politike, por është në fakt, shumë më tepër pragmatiste sa ç’ta pret mendja. Nuk bëhet fjalë për të ndëshkuar Poloninë. Ka të bëjë po aq shumë me ruajtjen e parimeve demokratike. Hungaria, me gjithë të metat e saj, nuk duhet të guxojë të kalojë të njëjtën vijë të kuqe. Qeveria e saj, dhe qeveria e re e Austrisë, ndoshta, tani do të jenë në dijeni se, nëse e bëjnë këtë, do të kenë pasoja.
Sidoqoftë, ky kapitull i fundit i konflikteve në BE ngre një problem. Për të parandaluar që rrëfimet për “standardet e dyfishta” të zënë vend, duhen shpjegime më të fuqishme përse BE veproi siç veproi apo siç vepron ndonjëherë. Për të gjykuar mes shumë komenteve, na pret një rrugë e gjatë.
*Natalie Nougayrède është kolumniste, shkrimtare dhe komentatore për çështjet e jashtme në të përditshmen londineze “The Guardian”.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/