“Allahu Ekber”, një frazë jo më shumë se, “Zoti është më i Madhi”. Vërtet njerëz, gjithçka ka një kufi. Ç’ngjau me dashurinë tuaj për lirinë e fjalës?
Ajo që ndodhi në Turqi në natën e 15 korrikut 2016 ishte e tmerrshme. Qytetet tona të qeta, në veçanti Stambolli dhe Ankaraja, panë kaos të madh ndërsa terroristët gylenistë në forcat ushtarake turke u përpoqën të marrin plotësisht kontrollin e administratës së vendit. Njerëzit po kalonin një natë të zakonshme të premteje në kafene, xhami, kinema apo në shtëpi, kur dëgjuan për përpjekjen për grusht shteti dhe vërshuan në rrugë.
Përpjekja e dështuar e grushtit të shtetit, e cila nuk pati sukses falë reagimit të madh të njerëzve, me më shumë se 200 prej tyre që sakrifikuan jetën për t’i ndaluar terroristët, duhet shqyrtuar me kujdes. Të gjithë terroristët e përfshirë në këtë sulm të fëlliqur duhen gjetur menjëherë dhe duhet të dalin para gjyqit për krimet e tyre. Qeveria dhe shteti i kanë detyrim drejtësinë popullit.
Por, gjatë natës, gjer në mëngjes, teksa njerëzit përplaseshin në rrugë me terroristët komplotues të puçit dhe i dërgonin ata në polici, ishte krejtësisht e çuditshme dhe e dyshimtë çfarë bënë disa llogari të medias ndërkombëtare në Twitter dhe Facebook. Ne ende shohim një sërë raportesh dhe analizash jashtë Turqisë që tregojnë se dështimi i përpjekjes për grusht shteti i ka zhgënjyer shumë figura dhe institucione që e përkufizojnë veten si mbrojtëse të demokracisë, të të drejtave njerëzore, të paqes dhe drejtësisë.
Ata qarkulluan atë natë të tmerrshme në median sociale një numër pamjesh filmike ku tregoheshin disa turma tek thërrisnin, “Ja Allah, bismil’lah, Allahu Ekber”. Duke i treguar këto thirrje si dëshmi, e duke mos i dhënë në mënyrë përzgjedhëse momentet kur njerëzit këndonin himnin e Turqisë apo lëshonin slogane të tilla si, “Kthehuni në kazermat tuaja”, “Ushtarët e kujt jeni?”, “Jo grushtit të shtetit”, ca figura deklaruan pa turp se islamistët, ose më keq, radikalët e lidhur me DAESH-in, po luftonin ndaj ushtarëve shekullarë, e u rrekën ta justifikojnë përpjekjen për grusht shteti të terroristëve.
Veçse mjafton të kesh njohuri bazë mbi Islamin dhe muslimanët që t’i kuptosh thirrjet si “Allahu Ekber”. Turqit përgjithësisht nuk e njohin arabishten, por fjalët dhe frazat e tilla si, “bismil’lah”, “elhamdulil’lah”, “inshaAllah” dhe “Allahu Ekber” janë të zakonshme në gjuhën turke. Madje dhe ateistët i përdorin fjalët “inshaAllah” dhe “mashaAllah” për të treguar dëshirën e tyre të mirë.
“Allahu Ekber” nuk është një frazë e përdorur vetëm në luftëra apo në operacione ushtarake. Ne nuk e vrasim mendjen nëse el-Kaeda apo DAESH-i e përdorin atë ndërsa kryejnë sulme terroriste. Ata thonë se janë muslimanë, por a duhet ta braktisim ne Islamin vetëm sepse deklarojnë kështu? Ata flasin anglisht apo arabisht, por a do të ndaloni së foluri gjuhën tuaj për të mos patur të përbashkët të njëjtën gjuhë me ta? Ata hanë, pinë e flenë si çdokush tjetër; a do të ndaloni së bëri këto gjëra për të mos u ngjarë atyre? Pra, pse duhet të ndalojmë së përdoruri fjalët tona në jetën e përditshme vetëm sepse ata përpiqen t’u vendosin një njollë atyre?
Muslimanët besojnë në paracaktimin. Ata kanë besim të thellë se asgjë nuk ekziston apo nuk ngjet pa vullnetin e Zotit. E njëjta gjë është përgjithësisht në fetë e tjera. Muslimanët thonë shpesh, “InshaAllah,” që do të thotë, “Në dashtë Allahu”, kur u kërkohet apo urdhërohen të bëjnë diçka. Ajo nënkupton, “Do të bëj më të mirën time. Në dashtë Allahu, do ta bëj atë.” Ne përdorim fjalën, “Bismil’lah”, me kuptimin, “Në emër të Allahut,” kur nisim të bëjmë diçka. Ne na pëlqen të fillojmë të hamë, të pimë, të punojmë apo të ngasim makinën duke e përshpëritur këtë fjalë në krye të herës, e besojmë se nëse e themi emrin e Tij, Zoti do të na mbrojë nga të këqijat, si nga sëmundjet apo aksidentet. Muslimanët thonë, “Elhamdulil’lah”, me domethënien, “I gjithë lavdërimi dhe falënderimi i takon Allahut,” kur dëgjojnë diçka të mirë apo kur mbarojnë pa telashe diçka si ushqimi, puna, a një provim.
Ne themi frazën, “Allahu Ekber” kur ngjet diçka e mirë apo e keqe. Fraza është tekbiri, e do të thotë, “Zoti është më i Madhi”. “Allahu Ekber” tregon besimin e thënësit te paracaktimi!
Siç e thashë më sipër, është e lehtë të shohësh si dhe pse muslimanët i përdorin këto fraza në shumë raste, jo vetëm në luftëra, por gjithashtu në provime, teksa udhëtojnë, në nisje të diçkaje, apo kur ngjasin gjëra të mira ose të këqija, kur ndodh një katastrofë natyrore a kur fiton ekipi ynë. Për ne janë ngjashëm me një thjesht po ose jo. Kësisoj, e çfarë nëse grupe të lidhura me el-Kaedën i thonë këto fraza siç thonë po ose jo? Ne nuk mund të heqim dorë prej atyre fjalëve!
Gjatë përpjekjes për grusht shteti nuk ishin në rrugë vetëm meshkuj me mjekra apo femra me hixhab; çdokush ishte jashtë atë natë. Unë jam një femër me pamje shekullare, e jam muslimane. Unë isha në rrugë, si qindra e mijëra si unë. Thirra, “Ja Allah, bismil’lah, Allahu Ekber”. Po mbroja vatanin tim ndërsa i kërkoja Zotit të më ndihmonte, të na ndihmonte. Pra, a jam kërcënim për ju tani? A meritoj të jetoj në një regjim puçi vetëm sepse ju ndjeheni të kërcënuar nga lutjet tona? Do të na bombardoni vetëm sepse themi, “Allahu Ekber”, një frazë jo më shumë se, “Zoti është më i Madhi”? Vërtet njerëz, gjithçka ka një kufi. Ç’ngjau me dashurinë tuaj për lirinë e fjalës?
Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/