Javën që po e lajmë pas, Kosova kishte zgjedhjet lokale, të cilat ishin të gjashtat me radhë që nga pas lufta e këtej. Padyshim se këto zgjedhje u cilësuan si demokratike nga ana e faktorit ndërkombëtar dhe atij vendor. Duket se gradualisht partitë politike në Kosovë kanë krijuar një pjekuri politike, duke krijuar kështu një pluralizëm demokratik, duke respektuar kandidatët tjetër. Sido që të jetë, e rëndësishme është fakti që Kosova dha një test të rëndësishëm i cili ndërlidhet edhe rrugëtimin e saj drejtë aspiratave euro-atlantike. Prandaj, mund të themi se disa nga mësimet e nxjerra nga zgjedhjet lokale 2017 janë:
- Për dallim nga zgjedhjet e kaluara nacionale dhe lokale, këto zgjedhje konsiderohen si zgjedhjet më demokratike në vend;
- Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2017 ka pasur një fushatë zgjedhore e cila ka promovuar një kulturë demokratike dhe ka shpërfaq diskurse sociale me interes të përgjithshëm shoqëror. Edhe pse herë ka pasur premtime megalomane të cilat nuk janë lidhur aspak me kompetencat komunale, megjithatë diskursi ka qenë në nivel.
- Këto zgjedhje shpërfaqen një realitet se bastionet e dikurshme të betonuara partiake, mund të ndryshojnë dukshëm me votën e lirë demokratike të qytetarit;
- U vërejtë po ashtu se ka nevojë për një unitet në mes të partive politike në Kosovë, që në të ardhmen të ketë një reformë zgjedhore të përgjithshme;
- Zgjedhjet po ashtu qitën në pah një kulturë të qytetarëve për të votuar, gjë që nëse bëjmë një krahasim më zgjedhjet e lokale të vitit 2013 do të shohim se të dhënat flasin se në këto zgjedhje ka qenë numri i pjesëmarrësve 811,489 votuese kurse në vitin 2017 (në zgjedhjet e fundit lokale) ky numër ka qenë 819, 865, gjë që nëse krahasohet me zgjedhjet nacionale, atëherë shohim se në zgjedhjet lokale ka rritje të pjesëmarrjes së qytetarëve në raport me ato nacionale;
- I rëndësishëm është fakti se zgjedhjet lokale u mbajtën po ashtu në 38 komunat e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu komunat e pjesës veriore.
- Zgjedhjet e para për pushtetin lokal, u mbajtën më 28 tetor të vitit 2000. Numri i votueseve në këto zgjedhje ishte 913.179, kurse pjesëmarrja në votime 79%. Në këto zgjedhje është votuar me lista të hapura, për një kandidat të vetëm. Votimet u zhvilluan në 30 zona elektorale. Nga 920 ulëse, u zgjodhën 869 këshilltar dhe në tri komuna u emëruan. Nuk kishte vende të rezervuara. U votua në 1.464 vendvotime dhe pati 380 qendra votuese. Këto zgjedhje i vëzhguan 13.976 vëzhgues”. Kurse, numri i vëzhguesve të akredituar nga KQZ-ja për vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit 2017 sipas të dhënave është rreth 32 mijë e 500” (http://www.kqz-ks.org/sq/zgjedhjet-komunale-2000 & http://www.kqz-ks.org/sq/lajme/Details/362).
- Zgjedhjet lokale treguan se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për ndryshime dhe kësisoj kishte ndryshime në pjesën më të madhe të komunave, e cila në fakt ndërlidhet me kulturën politike në demokracitë e zhvilluara, të cilat kanë ndryshime pothuajse çdo herë. Këto ndryshime ndikojnë që të ketë zhvillim të demokracisë, kulturë politike dhe mbi të gjitha respektim të votës së lirë të vetë qytetarëve.
- Këto zgjedhjet po ashtu pasqyruan edhe disa karakteristika interesante në disa komuna, të cilat kanë fituar pa balotazh siç janë komunat: Drenas, Lipjan, Hani i Elezit, Vitia, Skenderaj, Obiliq edhe pse Obiliqi pret edhe numërimet e fundit për të përcaktuar a do të ketë balotazh apo jo?, Peja dhe Fushë Kosova.
Gjithashtu, gjatë këtij refleksioni të shkurtër mbi zgjedhjet lokale 2017 në Kosovë, kemi parë edhe mësime të tjera siç ka qenë rasti me fuqizimin e raportit të barazisë gjinore, sidomos me rastin e ndryshimeve ligjore nga 40% në 50 me 50%, gjë i ka dhënë edhe një kolorite zgjedhjeve lokale të vitit 2017. Kësisoj pritet që premtimet rreth përfaqësimit gjinor të jenë më aktive dhe të avancuara në përputhje me legjislacionin në fuqi në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Karakteristikë tjetër e rëndësishme e zgjedhjeve lokale ka qenë edhe fakti që partitë politike kanë respektuar më shumë Kodin Etik të Mirësjelljes. Megjithatë, sipas disa mediave sociale “shumë parti janë penalizuar për përdorimin e fëmijëve në materialet e promovimit dhe ngjarjet për kampanja. Këto janë gjobat që partitë kanë marrë në zgjedhjet e mbajtura vitet e fundit: zgjedhjet lokale 2013 – 190,550 euro, zgjedhjet qendrore 2017 – 352,000 euro dhe zgjedhjet lokale 2017 – 153,000 euro. Gjuha e kandidatëve ka qenë e kujdesshme. Kjo ka rezultuar në reduktimin e tensioneve dhe incidenteve që mund të dëmtojnë procesin e përgjithshëm zgjedhor. Janë 17 incidente të raportuara në Policinë e Kosovë, ku janë ngritur katër vepra penale. Edhe pse gjuha ka qenë e kujdesshme, ka pasur akuza dhe padi për shpifje në mes të kandidatëve” (shih: http://localhost/tesheshi/analiza-ja-si-shkoi-fushata-per-zgjedhjet-lokale-ne-kosove/ ).
Pa hyrë në detaje të tjera, si përfundim i kësaj analize të shkurtër, medoemos duhet theksuar se zgjedhjet e mbajtura lokale të vitit 2017 konsiderohen si zgjedhjet më demokratike të cilat janë mbajtur deri më tani, zgjedhje këto të cilat kanë pasur një sërë karakteristikash të reja dhe zgjedhje të cilat kanë respektuar jo vetëm kodin etik të mirësjelljes, por edhe votën e qytetarëve e cila në analet e demokracisë konsiderohet si diçka e shenjtë. Demokracia si koncept ka të bëjë edhe me pluralizmin politikë dhe si e tillë ajo nuk i kënaq të gjitha palët, kështu vota e qytetarëve është ajo e cila tek e fundit vendos për orientimet e së ardhmes së një vendi në këtë rast Kosovës. Me fjalë të tjera, këto zgjedhje janë ato zgjedhje të cilat kanë pasur një sukses të lartë në promovimin e vlerave demokratike dhe të cilat kanë ndikim edhe në orientimet e përgjithshme të Kosovës kah rrugëtimet euroatlantike. /tesheshi.com/