Recension i librit “Imagjinata sociologjike dhe bota jonë sociale”, i sociologut Fatos Tarifa
“Imagjinata sociologjike dhe bota jonë sociale” është njëri ndër librat më të mirë të sociologut Fatos Tarifa nga Shqipëria. Libri ka gjithsej 342 faqe dhe është botuar nga shtëpia botuese Onufri në vitin 2014.
Profili i librit “Imagjinata sociologjike dhe bota jonë sociale” fillon me një parathënie nga prof. Jay Weinstein nga Universiteti i Miam-it, i cili flet për brendësinë e librit, për biografinë e sociologut Fatos Tarifa, për kontributin e dhënë për zhvillimin e sociologjisë në Shqipëri, për studimet e bëra në SHBA dhe përvojën që ka sjellë në Shqipëri, si dhe filet e njohjes me Fatosin, përshtypjet e para dhe bashkëpunimet me të.
Libri, në fakt, është një trajtesë e eseve sociologjike, që në konstruktin e tij trajton fenomene të rëndësishme bashkëkohore, duke gërshetuar fenomenet globale me ato të kontekstit shqiptar. Qysh në fillim duhet theksuar se autori i këtij libri, pjesën e parë të tij, imagjinata sociologjike, e ka huazuar nga sociologu i famshëm amerikan Wright Mills, dhe një ndër sociologët më të mirë të shekullit XX-të, për shkak të ndikimit të madh që ai ka pasur tek Fatosi. Libri është përmbajtjesor dhe ngërthen katër kapituj me tema të ndryshme shumëdimensionale, ka një përmbajtje bukur të gjerë, si dhe shihet se autori, me një eksperiencë të madhe në fushën e shkencave sociale, ka eksploruar një literaturë të gjerë dhe në gjuhë të huaj, e cila edhe më shumë e komplimenton këtë libër. Disa nga temat më kryesore që gjejnë hapësirë në këtë libër janë: imagjinata sociologjike si aftësi dhe preokupim intelektual, sociologjia, sfera publike dhe krijimi i shoqërisë civile në Shqipëri, dialogu dhe kritika e lirë si emancipim shoqëror, burimet intelektuale të mendimit sociologjik, Veberi dhe tradita veberiane në sociologjinë amerikane, globalizmi, të drejtat e njeriut dhe roli i sociologjisë publike, teknologjia e informacionit dhe e komunikimit dhe teoria sociologjike, liria e besimit, pluralizmi i sferës publike dhe totalitarizmi ideologjik, etj. Libri trajton edhe shumë tema të tjera dhe mjaft aktuale, të cilat mund të shihen nga një prizëm tjetër kritik. Prandaj, pasi libri ka një përmbajtje të gjatë, fokusi ynë në kuadër të këtij recensioni do të jetë në disa tema të caktuara.
Imagjinata sociologjike dhe sociologjia shqiptare
Autori Fatos Tarifa në këtë pjesë flet më shumë për konceptin e Mills-it dhe trajtimit të tij mbi imagjinatën sociologjike, që e shihte atë si, “aftësi e mendjes, e cila na lejon të kuptojmë historinë dhe biografinë, si edhe marrëdhëniet midis tyre në shoqëri, si një kusht për të kuptuar ç’ndodh në botën shoqërore që na rrethon dhe për të shpjeguar atë që ndodh”. Sipas këtij koncepti, imagjinata sociologjike është ajo që i mundëson individit të kuptojë kontekstin më të gjerë të problemit apo fenomenit social. Më tej, Fatosi në mënyrë brilante shtjellon edhe analizën e Mills-it mbi atë se çfarë duhet të dijë një studiues dhe çka është e mirë për jetën e individit dhe të shoqërisë, duke spikatur mendimet dhe eksperiencat e mira, pastaj që një libër vërtet të keq ta vlerësojë si të dobishëm, tjetër që përveç qëndrimeve dhe sjelljeve të njerëzve të mundohet që t’ju japë kuptim edhe fjalëve të tyre, imagjinata e një studiuesi duhet të jetë edhe nga këndvështrimi i botës nga të tjerët, si dhe elemente të tjera. Mbi bazën e këtyre elementeve sociale, Fatosi thellohet në ontologjinë historike të zhvillimit të sociologjisë në Shqipëri në kohën e komunizmit dhe pas pluralizmit. Ai flet për narracionet personale, kur një mike e tij kishte ardhur për vizitë në Tiranë dhe në një leksion i kishte pyetur studentët se kush prej tyre është marksist. Ndërsa asnjë student nuk kishte ngritur dorën lart nga kompleksi i inferioritetit. Atëherë mikja e tij, njëherësh profesoreshë, kishte thënë që nëse dikush dëshiron t’i shohë marksistët e vërtetë, le të vijë në SHBA, duke pretenduar kështu se atje e njohin mirë Marksin. Ky fakt ka të bëjë me atë se marksizmi ishte i paragjykuar dhe paragjykohet edhe sot, e se mungon qasja kritike racionale për të. Ndërsa në universitetet prestigjioze analizohen dhe çmohen teoritë e tij, duke i kontribuar zhvillimit të shkencës dhe shoqërisë. Autori më tej flet për filet e para të shoqatës sociologjike në Shqipëri, zhvillimin e mendimit sociologjik, si dhe tema të tjera që kanë të bëjnë zhvillimin e sociologjisë në Shqipëri pas pluralizmit.
Dialogu, kritika në shoqëri dhe kultura e debatit
Në këtë libër esesh, autori rëndësi i kushton edhe aspektit të dialogut dhe interdialogut tek shoqëria shqiptare, duke ngritur “kryesisht dy gjëra: (1) krijimi i njëmendtë teorik në fushën e shkencave dhe (2) debati i gjallë në çdo fushë të krijimtarisë intelektuale”, që në fakt ndërlidhet shumë edhe me mungesën e kulturës së debatit si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë. Në këtë drejtim, autori shtjellon teoritë e ndryshme të Habermasit dhe Poperit mbi debatin pozitivist dhe konstruksionet se si duket një kulturë debati i tillë. Më tej, ai flet edhe për mënyrën e shtjellimit të gjuhës në debat, ku si shembuj praktikë merr Adornon, Horkheimer, e të tjerë, të cilët janë të mendimit se përmes debatit racional njerëzit mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet. Në fund, autori shprehet se: “Qëllimi kryesor i një debati intelektual duhet të jetë mirëqenia dhe prosperiteti intelektual i përbashkët. Ashtu sikurse në plan global, lufta në fushën e ideve synon të gjejë zgjidhje për të parandaluar konfliktet dhe luftërat e përgjakshme, po kështu, debatet intelektuale duhet t’i shërbejnë pikërisht evitimit të përplasjeve politike, sociale dhe emocionale”. Gjë që është një leksion për shqiptarët, se debati duhet të ketë një dialog racional, të ketë kritikë racionale, si dhe të ketë një kulturë ashtu sikurse në vendet të cilat kanë një demokraci të konsoliduar.
Vlera e teorive sociologjike në shpjegimin e realitetit shoqëror
Shpeshherë në diskursin publik, por edhe në përgjithësi, në shoqëri, kur flitet për rolin e sociologjisë në shoqëri, ka paragjykime të shumta, duke i etiketuar sociologët si “filozofë apo njerëz të cilët më shumë kanë teori/fjalë sesa praktikë”. Pikërisht autori Tarifa, përmes eseve të shtjelluara në këtë libër, cek shumë autorë, si Comte, Habermas, Marks, Weber, Foucult, Parsons, Peter Berger, e të tjerë, të cilët kanë dhënë leksione mbi rolin e familjes, shoqërisë, kulturës, religjionit, si dhe shumë leksione të tjera, duke bërë kështu që studimet e tyre të kenë rol me rëndësi në zhvillimin e shoqërisë. Në këtë drejtim, autori i vlerëson lart këto teori dhe pohon se, “Teoritë sociale (ndër to edhe teoritë sociologjike), pasqyrojnë mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të shoqërisë, si edhe ndërveprimin dhe marrëdhëniet mes anëtarëve dhe institucioneve të saj, por ato nuk janë një realitet proksi, një surrogat i shoqërisë. Mua më pëlqen t’i krahasoj teoritë sociologjike me hartat, sepse ato na mundësojnë të ‘udhëtojmë’ përmes realitetit shoqëror dhe të kuptojmë ‘terrenin’ social në të cilin jetojmë. Sidoqoftë, ‘rrugët’ që ofron një ‘teori-hartë’ jo vetëm mundësojnë ‘lëvizjen’ tonë në terrenin e këtij realiteti shoqëror në të cilin jetojmë, por edhe na kufizojnë se deri ku mund të shkojmë ne në këtë journey.” Ndaj, duhet potencuar se eksplorimet dhe shpjegimet e tilla përveç që shmangin paragjykimet për sociologët, mundësojnë që përmes teorive sociale të njohim realitetin dhe mjedisin tonë social, si dhe përmes këtyre teorive, sociologët japin një diagnozë për problemet shoqërore, ashtu sikurse mjekët për pacientët.
Zhvillimi i teknologjisë informative dhe teoria sociale
Një dimension tjetër i esesë i zhvilluar në këtë libër është edhe epoka e informacionit në (post)modernizëm dhe zhvillimi i globalizmit të informacionit, i cili dikur ka qenë i paimagjinueshëm. Autori flet për zhvillimet e fundit të teknologjisë informative dhe transformimet e jetës së njeriut si rezultat i këtyre zhvillimeve. Por gjithsesi se tërheq vërejtjen për një kontroll social të mediave dhe në përgjithësi të internetit, duke bërë kështu që të ketë probleme me sigurinë, ID-në, kartat e ndryshme të bankave, Wikileaks-in dhe shpërndarjen e informacioneve sekrete, si dhe për shumë çështje të tjera, që sipas tij kanë të bëjnë me atë që, Marshall McLuhan formuloi idenë se bota po bëhej gjithnjë e më shumë një ‘fshat global’ (global village), e që sipas Fatosit sot mund të thuhet se jetojmë në një ‘fshat prej qelqi’, në të cilin çdokush mund të shihet online. Kjo teknologji ka zhvilluar edhe forma të reja të komunikimit, të cilat sot përdoren shumë, sidomos përmes rrjeteve të ndryshme sociale, për të cilat autori flet në kontekstin sociologjik. I një rëndësie të veçantë është edhe trajtimi i informacionit, i cili gjen hapësirë tek esetë e Fatosit. Sipas tij, “Çështja e autoritetit mbi vërtetësinë e informacionit të shkruar nuk është diçka e re; ajo e ka preokupuar njerëzimin për shekuj me radhë. Ajo çfarë është e re sot ka të bëjë me faktin se ‘zbulimi’ i hapësirës kibernetike e ka ndërlikuar në mënyrë të jashtëzakonshme këtë çështje në dy aspekte paradoksale: së pari, për shkak se një informacion shumë i madh dhe i rëndësishëm mund të humbasë në të qindtën e sekondës, nëse sistemi pëson një dështim—ose aksidentalisht, ose si rrjedhojë e një veprimi keqbërës, të qëllimshëm apo terrorist—dhe, së dyti, për shkak se Interneti mundëson ‘përjetësimin’ e një informacioni të pavërtetë dhe që mund të jetë realisht i pakorrigjueshëm.” Ndërsa, si rast të tillë merr Wikipedia-n, të cilët e quan si “memorie anarkiste”, në të cilën secili individ mund të postojë informacione të ndryshme, por që administratorët e këtij sajti në internet nuk e konsiderojnë veten përgjegjës për info. Kjo në fakt tablon gjendjen e sigurisë së informacionit në botë, duke bërë kështu që njeriu modern të ketë “një konformizëm prej automati”, në gjuhën e Fromit, e që nënkupton se me vetë krijimin e një teknologjie të tillë dhe me mosgatishmërinë për një kontroll social, pasojat mund të jenë të paparashikuara.
Si konkluzion i përgjithshëm, mund të themi se autori Fatos Tarifa ofron një qasje shumëdimensionale të opusit sociologjik, duke bërë kështu që publikut shqiptar t’i jepet një gërshetim i sociologjisë amerikane të kombinuar me atë shqiptare. Në përgjithësi, shihet se libri e ka arritur qëllimin e tij, sepse është i kapshëm për publikun shqiptar, trajton një qasje racionale, dhe secili individ në një ose në tjetrën mënyrë mund ta gjejë veten në të. Libri po ashtu ofron ese të shumta për lexuesin shqiptar, duke analizuar problemet shoqërore dhe mjedisin social në të cilin po jetojmë. Edhe pse libri ngjason më shumë me profilin e librave të sociologëve amerikanë, në formën e eseve sociologjike, do të duhej që libri më shumë të fokusohej në një ose dy tema të rëndësishme dhe të merrej më shumë me to. Rreth Mills-it dhe sociologëve të tjerë ka libra të shkruar dhe të përkthyer që janë në dollapët e bibliotekave dhe librarive të ndryshme, por jo në këtë formë/trajtesë. Diskutimet e tilla nga një mendësi sociologjike ofrojnë një qasje shumë disiplinare për publikun shqiptar, duke trajtuar shumë tema që ndërlidhen edhe me shkenca të tjera, të cilat i japin kuptime impresiononte këtij libri. Prandaj, në pika të shkurtra jemi munduar që të hartojmë një recension të shkurtër mbi këtë libër, si model dhe imazh i një sociologjie bashkëkohore, mirëpo shumë tema të tjera i kemi prekur kalimthi, në mënyrë që lexuesi shqiptar të ambientohet me këtë libër, të dialogojë dhe interdialogojë, si dhe të krijojë një pasqyrë më të qartë mbi problemet, dilemat sociale e mjedisin social që na rrethon. /tesheshi.com/
*Sociolog