Manifestimi i kulturës së debateve në shoqërinë kosovare
Shoqëria postmoderniste ka specifikat e saj konform organizimit të jetesës në të cilën ajo jeton. Trendet e globalizmit kanë bërë që zhvillimi i diskurseve dhe komunikologjisë të zhvillohet edhe përmes mediave sociale, që nënkupton një piedestal të lartë në zhvillimin e përgjithshëm të njerëzimit. Nëse analizojmë më gjerësisht diskurset, si në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni, shohim se shpeshherë gjatë zhvillimit të debateve ka mungesë të kulturës së debatit, çka sjell që debatet nuk prodhojnë ndonjë efekt konkret konkludimi. Në rastin e debateve të zhvilluara ka mungesë të respektimit të kodit të etikës, ka mungesë të njohurive themelore mbi temat e caktuara, panelistët shpeshherë janë jo adekuatë dhe pa përvojë, ose ndodh që të njëjtit analistë/studiues të marrin pjesë në dhjetëra tema të zhvilluara në emisionet televizive, në këtë mënyrë media ka një mbulueshmëri. Por zhvillimi i diskursit apo arritja e përfundimeve pothuajse është nën pikë zero. Karakteristikë tjetër e manifestimit të kulturës së debatit është edhe trajtimi i temave të ashtuquajtura më shumë politikë ditore, sesa tema të mirëfillta, që do të kishte dobi shoqëria. Sot njeriu bashkëkohor ka arritur pothuajse në piedestalet më të larta të zhvillimit të përgjithshëm, andaj ka nevojë për informata të shpejta dhe të sakta. Në këtë rast, në debatet e tilla shpeshherë temat personalizohen dhe informatat që mund t’i marrë publiku janë të mangëta, gjë që tregon se qasja duhet ndryshuar si nga ana e panelistëve, po ashtu edhe nga mediat.
Debati mbi religjionin
Jemi dëshmitarë të asaj që feja çdo herë e më shumë është duke u konsideruar si individuale, shpirtërore, identitare dhe introspeksionale. Ndërsa ndikimi i fesë në shoqëri pa dyshim se është i lartë, duke marrë parasysh edhe ndikimin e ndjenjës grupore, sipas Ibni Haldunit, mobilizimin, kohezionin social dhe integrimin shoqëror. Kjo është vetëm një pjesë e asaj që ndryshe njihet si rol i fesë në shoqëri. Kurse pjesa tjetër ka të bëjë më shumë me shpërfaqjen e lëvizjeve fetare, sekteve fetare apo kulteve fetare në të gjitha religjionet, të cilat në gjuhën veberiane kanë një lloj pushteti karizmatik dhe tradicional. Andaj, për të parë për së afërmi polarizimet rreth religjionit dhe ndikimit të tij në shoqëri, shpeshherë ka pasur debate të cilat janë zhvilluar në mediet tona. Mirëpo, në bazë të vlerësimeve apo metodës së absorvimit, del se debatet e tilla kanë treguar shumë pak rezultat. Kjo për shkak se në debatet e tilla së pari nuk janë ftuar personat adekuatë që kanë rol dhe ndikim në shoqëri, së dyti, në debate të tilla, në shumicën e rasteve, më shumë është paragjykuar për religjionin sesa janë ofruar argumente konkrete, dhe, së treti, gjuha e përdorur në debate të tilla tregon për një kulturë të ulët komunikimi. Rastet e tilla po ashtu tregojnë se shoqëria jonë (shoqëria shqiptare në përgjithësi) vuan nga kompleksi i identitetit fetar, sidomos kur bëhet fjalë për Islamin, si fe që ka përqindjen më të madhe në trojet shqiptare. Shoqëria shqiptare ka nevojë për debate të tilla mbi identitetin fetar, mbi problemet rreth rrymave fetare dhe destruktivitetin, i cili së fundi i ka atakuar religjionet në përgjithësi, duke bërë kështu që pozicionin e predikuesve dhe studiuesve të fesë ta marrë çdokush, pa qenë kompetent.
Debati mbi problemet shoqërore
Shoqëria jonë në përgjithësi konsiderohet si një lloj mali i pa eksploruar, i cili ka nevojë për mjekë të shoqërisë, që japin diagnoza në mënyrë që të minimizohen problemet në fjalë. Edhe debatet mbi këto probleme/fenomene shoqërore, në bazë të metodave sociologjike të observimit, vërehen që kanë probleme të theksuara, të përcjella me mungesë të kulturës së debatit. Si në televizionet nacionale, po ashtu edhe në ato lokale, ka mungesë të debateve të tilla. Ndërsa, nëse ato realizohen, kanë një minutash shumë të vogël në raport me politikën ditore. Kjo normalisht që vjen si rezultat i disa faktorëve, ndër to është fakti se mediat financohen dhe kontrollohen pikërisht nga financuesit në fjalë, andaj edhe ndikojnë në politikën redaktuese. Pastaj faktorë të tjerë janë prioritizimi i politikave ditore në raport me temat mbi problemet shoqërore, mungesa e një platforme mbi menaxhimin e programit ditor, etj. Kurse, kur jemi tek mediat e shkruara dhe portalet e ndryshme, temat e tilla janë vetëm ashtu të shkrepura sa për të zënë vend si lajme, por jo të konkretizuara.
Tipologjia e debateve/diskurseve të zhvilluara
Kur flasim për kulturën e komunikimit gjatë zhvillimit të diskurseve të zhvilluar në shoqërinë tonë, shpeshherë ka raste edhe kur moderatorët e emisioneve nuk i trajtojnë në mënyrën e barabartë të gjithë të ftuarit, gjë që ndikon dukshëm dhe në performancën e tyre. Madje, sipas prof. Fatos Tarifës, “Qëllimi kryesor i një debati intelektual duhet të jetë mirëqenia dhe prosperiteti intelektual i përbashkët. Ashtu sikurse në plan global, lufta në fushën e ideve synon të gjejë zgjidhje për të parandaluar konfliktet dhe luftërat e përgjakshme, po kështu, debatet intelektuale duhet t’i shërbejnë pikërisht evitimit të përplasjeve politike, sociale dhe emocionale”. Sido që të jetë, në kuadër të kësaj analize të shkurtër jemi munduar që në pika të shkurtëra të paraqesim një tipologji të mundshme mbi kulturën e debatit, si vijon:
- Tipi konformist – gjatë zhvillimit të debateve në shoqërinë kosovare, realiteti pasqyron qartë se shoqëria kosovare është shoqëri më homogjene, ku pothuajse secili e njeh tjetrin, dhe në këtë drejtim edhe zhvillohet mënyra e debatit. Andaj, shpeshherë ndodh në këto debate që panelistët, për shkak të asaj që e njohin njëri tjetrin, pajtohen në debate dhe nuk debatojnë për problemin. Kjo nënkupton një konformizëm/përshtatje për shkak të mosprishjes së miqësisë, por që në realitet ndikon dukshëm tek publiku.
- Tipi moskonformist – konsiderohet tipi që gjatë zhvillimit të debatit fillimisht nuk lëshon pe, pra, nuk pajtohet me zhvillimin e hipotezave të parashtruara në debat nga të tjerët. Por më vonë, si rezultat i ndikimit të faktorëve siç është koha (menaxhimi i kohës në debat) apo edhe i faktorëve të tjerë, ky tip shndërrohen në konformist dhe përshtatet si kameleon në debate.
- Tipi antikonformist – ky tip, për dallim nga të lartpërmendurit, që nga fillimi është mospërshtatës, dhe herë pas herë i jep ngjyrë debatit, sepse argumenton faktet dhe e racionalizon debatin. Mirëpo, pika e dobët e tij është se me çdo kusht mundohet që vetëm t’i paraqesë argumentet e tij si më të avancuara në raport me të tjerët (panelistët).
- Tipi euforik – karakteristikë e këtij tipi është fakti se është i ndjeshëm; edhe pse ka oratori, ka argumente faktike, ai shpeshherë, si rezultat i euforizmit, humb nga rrjedha e debatit dhe ka shpërfaqje të emocioneve, të cilat ndikojnë në ecurinë e debatit.
- Tipi egocentrik – tipi i tillë gjatë zhvillimit të debateve e konsideron veten si superlativ në raport me panelistët e tjerë; ai ka një vetëbesim në vetvete dhe konsideron se të gjitha përgjigjet i ka të njohura, andaj edhe dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes.
- Tipi racional – në fund të kësaj tipologjie, kemi edhe tipin racional, i arsyeshëm, paqësor, argumentues. Ky tip ka një qasje më kredibile, ka informacionin që konsiderohet si burim i pashtershëm, pasi i përket natyrës jomateriale, ka njohuri për debatin, ka kulturë të zhvillimit të debatit, nuk ofendon, por argumenton në bazë të fakteve, pavarësisht që në kuadër të debateve ai mund të mos vërehet edhe aq për shkak të rrjedhshmërisë së debatit.
Si përfundim, mund të themi se kultura e debatit ka një rëndësi të madhe në kuadër të zhvillimit të tij. Pjesa më e madhe e mediave dhe e panelistëve kanë probleme të theksuara gjatë pjesëmarrjes në këto debate, sepse shpeshherë emocionohen dhe rrjedha e debatit merr konotacione të tjera. Madje, ka raste kur edhe ofendojnë njëri-tjetrin dhe debati pothuajse arrin në kulmin e tij, gjë që ndodh edhe të ndërpritet. E sa për publikun, ai është një lloj monitoruesi dhe vlerësuesi, dhe të gjitha debatet bëhen për të. Prandaj, në raste të tilla shpesh publiku nuk përfiton asgjë, dhe është vetëm si një lloj spektatori i cili shikon. Pra, debati ka për qëllim trajtimin e problemeve dhe fenomeneve shoqërore, dhe nuk është duel idesh apo njohurish. Ndaj debatet e tilla duhet të jenë të argumentuara dhe me një kulturë të lartë të komunikimit, që do të ndikonte tek publiku i gjerë. /tesheshi.com/