Partitë politike organizohen tradicionalisht dhe veprojnë mbi baza ideologjike. Kjo do të thotë se ato funksionojnë rreth ideve apo koncepteve që në harmoni dhe bashkëveprim me njëri-tjetrin krijojnë një sistem i cili konsiderohet i aftë t’u përgjigjet nevojave për zhvillim të një shoqërie të organizuar politikisht, duke ofruar rrugëdaljen “ideale” për jetën. Përveç ideologjisë, apo, në terma marksistë, superstrukturës, partitë duhet pashmangshmërisht të trupëzojnë edhe aksionin, ose sipërmarrjen, dhe përkryerjen e proceseve që mundësojnë jetësimin e ideologjisë, shndërrimin e saj në politikë. Është pikërisht aksioni që i jep kuptim politikës dhe që i dallon partitë nga shkollat filozofike, qëllimi i të cilave është kryesisht njohës dhe interpretativ. Në një parti politike, shkrirja e ideologjisë me aksionin supozohet të jetë e tillë që përvijimi i kufijve mes tyre të jetë thuajse i pashqueshëm. Pra, tej ofrimit të një vizioni mbi shoqërinë, partitë angazhohen edhe për arritjen e tij, duke lobuar dhe propaganduar, si pjesë e misionit që i kanë vënë vetes. Nëse do të bënim një paralelizëm, ideologjia është pikërisht tërësia e këtyre parimeve që duhet të udhëheqin drejt përmbushjes me sukses të misionit, çka do të mundësonte që vizioni të mos mbetej thjesht një mirazh i turbullt në nxehtësinë e shkretëtirës sociale të një bote pa alternativa.
Paçka botëkuptimit tradicional mbi partitë dhe atë që përfaqësojnë, sot realiteti politik shqiptar, sikurse në vende të tjera, karakterizohet nga zvetënimi ideologjik, nga spastrimi prej genit ideologjik që duhet të përcaktonte tiparet e tyre mbizotëruese. Kjo ka bërë që partitë moderne të gjallojnë përgjithësisht si krijesa amorfe, efekti i të cilave është i pamundur që të përcaktohet/parashikohet. Si ilustrimi lokal më domethënës i kësaj janë dy partitë kryesore shqiptare, të cilat përveç emërtimit dhe nostalgjisë që sa vjen e fashitet, nuk i lidh asgjë me ideologjitë që supozohet, apo pretendohet, se përfaqësojnë. Madje, ndonjëra prej tyre e ka nisur rrugëtimin politik në pluralizëm duke kryer një akt që në rrethana normale do të konsiderohej vetëvrasës. Të gjithë e kemi parasysh ligjin zhurmëmadh 7501 “Mbi tokën”, të miratuar nga një parti e djathtë, por që i zhveshi pronarët nga pronësia sipas parimit “toka i takon atij që e punon”. Ndërkohë që akoma më të freskëta jehojnë në veshët e shqiptarëve thirrjet e Edi Ramës para se të bëhej kryetar i Partisë Socialiste për një politikë hermafrodite, përtej së majtës dhe së djathtës.
Një situatë e këtillë është sa rezultat i faktorëve të jashtëm, po aq i realiteteve dhe specifikave të brendshme. Është gjerësisht e pohuar se, përgjatë 30 viteve të fundit, trendi politik në nivel global e ka zhvendosur qendrën e gravitetit politik gjithmonë e më djathtas. Kjo ka imponuar përafrimin ideologjik dhe ngushtimin e hendekut mes forcave politike dikur të konsideruara si ideologjikisht të kundërta. Rënia e bllokut komunist nuk pati ndonjë ndikim domethënës në këtë aspekt, përderisa forcat e konsideruara të majta në vendet perëndimore kishin krijuar prej kohësh një shkëputje doktrinare me të majtën ekstreme, të ngritur politikisht përmes akteve revolucionare, duke krijuar alternativën e kompromisit, të ashtuquajturat parti socialdemokrate, apo të qendrës. Ndër figurat themelore që priu ndarjen me socializmin revolucionar ishte gjermani Eduard Bernstein, që e zhvilloi veprimtarinë e tij në fillimin e shekullit të XX. Argumenti i tij kryesor ishte evidentimi i mundësive që vetë kapitalizmi ofronte për fuqizimin e të drejtave të punëtorëve.
Kur flasim për ideologji politike, pa dashur të përkufizojmë apo të shtjellojmë të gjithë nomenklaturën ekzistuese në këtë fushë, çka do të përbënte një sipërmarrje thuajse sizifike, do të ishte e mjaftueshme të pranonim se kemi të bëjmë jo detyrimisht me dy botë përjashtuese, të angazhuara në një luftë asgjësuese, në fund të së cilës, nëse do të ketë një pikë fundore, vetëm njëra ideologji do të sundojë. Pra, nuk flasim për një “fund të historisë”, siç parashtron Francis Fukujama. Përkundrazi, qëndrimi më i drejtpeshuar është ai i Xhorxh Lakofit, shkencëtarit konjitiv që pohon se e majta dhe e djathta (progresistët dhe konservatorët në mjedisin politik të SHBA-ve) dallojnë pikërisht për shkak të prioriteteve, apo theksit të vendosur në aspekte të ndryshme të së njëjtës ngrehinë sociale. Për të, dallimet mes të majtës dhe të djathtës janë rrjedhojë e dy sistemeve të ndryshme metaforike që shërbejnë për të konceptualizuar moralitetin. Pikërisht prioriteti që u jepet këtyre metaforave përbën dallimin mes konservatorëve dhe progresistëve. Për ta ilustruar këtë, Lakofi përdor metaforën e familjes, si simbolikë të kombit. Sipas konceptimit konservator, morali është fuqi, ndërsa sipas atij progresist, mbi të gjitha është butësi dhe mirëkuptim. Ndërsa konservatorët mbrojnë modelin autoritar të familjes, me figurën e atit në qendër, progresistët ose liberalët i bëjnë jehonë modelit edukues, ku secili gëzon të drejtën të tentojë dhe të gabojë, pa u ndrojtur nga penalizimi. Sigurisht që këto sisteme konceptuale, të bazuara tek metaforat, reflektohen edhe në sferat e tjera të funksionimit të shoqërisë, si në ekonomi, arsim, shëndetësi, etj.
Humbja epike e socializmit në betejën ideologjike me kapitalizmin u shoqërua me kurorëzimin e këtij të fundit si alternativa e pashoqe, si rendi i vetëm që u krijon individit dhe shoqërisë hapësirën e duhur për të zhvilluar potencialin e tyre. Megjithatë, pos kësaj, diç mbeti nga ndarja historike ideologjike. Kufiri nuk u shua plotësisht. Reflekset e traditës politike vijuan të ruheshin, çka ilustrohet sot jo më nga lufta ideologjike, por nga diferenca në prioritete. Madje, së fundmi, po ka një ripërkufizim më të qartë dhe më të zëshëm të alternativës së majtë, që gjithsesi, për predikuesit e tezave ortodokse mbetet sërish goxha i zbehtë. Zëdhënës të këtij rigjallërimi janë Berni Sanders në SHBA, Xheremi Korbin në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe Siriza në Greqi, pavarësisht këmbënguljes për ta konsideruar atë si një eksperiment të dështuar.
Duke rivizituar sërish hapësirën amë, Shqipërinë, ligjërimi politik është pothuajse steril sa u përket nuancave ideologjike. Një hapësirë kjo e bollshme, që mbushet vrulltazi nga demagogjia politike. Po të vëresh me kujdes premtimet elektorale, qasjen qeverisëse, dhe akoma më në detaj, zgjidhjet konkrete që propozohen për halle nga më kardinalet deri tek ato më banalet, formulat që partitë ofrojnë dallojnë vetëm nga makijazhi politik, pra, nga parullat dhe sloganet me të cilat vishen. Shkërmoqja e themeleve ideologjike përveçse ka çorientuar aksionin politik, i ka dhënë jetë një mënyre të re të të bërit politikë, në shumicën e rasteve kryekëput utilitariste, në shërbim të kënaqësisë së një grupimi të ngushtë njerëzish, duke anashkaluar “lumturinë” e shoqërisë.
Një parti e majtë që trumbeton taksimin progresiv, ndërkohë që koncesionizon shtetin! Apo një parti e djathtë që bëhet flamurtare e kauzave qenësisht të majta, thjesht e vetëm për t’iu kundërvënë qeverisë, meqë ajo po sillet si e djathtë liberale. Biznesmenë që popullojnë partinë kryesore të majtë, e deputetë që e kapërcejnë “ylberin ideologjik” me lehtësinë më të madhe, duke u hedhur nga gjiri i një partie në tjetrën. E gjitha kjo, përpara se të jetë hipokrizi dhe pragmatizëm, siç na pëlqen ta etiketojmë, është mungesë e koherencës ideologjike, apo e alternativave mirëfilltazi të ndryshme. Fakti që këta njerëz bien në krevat “demokratë” dhe gdhihen “socialistë” tregon se sa lehtë mund të fshihet ky makijazh për t’u aplikuar sërish me të tjera ngjyra.
Në këtë kaos ideologjik, ku e vetmja gjë e qartë është dashuria e zjarrtë për kapitalizmin endemik që kemi krijuar këto 25 vjet, po përballemi me një situatë hegjemonie. Një hegjemoni që pamundëson dallimin e ofertave politike, qoftë edhe në nivel prioritetesh. Dhe kur hegjemonia u zë vendin ideologjive, alternativat apo vizionet e ndryshme për ndërtimin e shoqërisë dhe mbarëvajtjen e saj humbasin kuptimin. Për t’i vënë vulën, përderisa jemi në Shqipëri, në tokën e çudirave, hegjemonia, ndryshe nga ç’mund të pritej, nuk është rrjedhojë e mbizotërimit absolut të një ideologjie, por e sundimit të sjelljes politike inkoherente nga të gjitha kahet, që gërshetojnë dhe kokolepsin gjithçka që u del përpara, e që në fund prodhojnë mutacione. Nëse tjetërkund ideologjitë thjesht janë varrosur si rrjedhojë e dështimeve historike, duke lënë gjithsesi gjurmë në botëkuptimet e trashëgimtarëve politikë, në vendin tonë ato njëmend janë vrarë. /tesheshi.com/