Së pari, dëshiroj të falënderoj të gjithë miqtë e ftuar, të cilët i janë përgjigjur dëshirës sonë për këtë event që mbyll Presidencën tonë të SEECP-së me një refleksion. Një refleksion mbi Ballkanin, 15 vjet më parë deri më sot dhe 15 vjet më tutje nga sot. Kjo është arsyeja pse janë këtu të pranishëm edhe disa protagonistë të mëdhenj të momentit të ndryshimeve historike për Ballkanin, si dhe në të njëjtën kohë europeistë të cilësisë më të lartë.
Dua të falënderoj një nga një, ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Joschka Fischer, një njohës i madh i historisë dhe i bashkëkohësisë ballkanike, por edhe një kontributor i paharrueshëm i procesit të transformimit të rajonit tonë nga një zonë dasish, konfliktesh dhe luftërash, në një zonë që sot jeton në paqe dhe punon për paqen; Kryeministrin e Italisë, Massimo D’Alema, një mik i çmuar i yni dhe kur them i yni, kam parasysh jo vetëm ne si shqiptarë, por edhe të gjithë fqinjëve tanë, sot president i fondacionit të socialistëve dhe progresistëve në Bruksel dhe po ashtu, një njohës i hollë i çështjeve ballkanike, i protagonistëve të historisë së Ballkanit në këtë çerek shekulli dhe nga ana tjetër, një zë i fortë në përpjekjen për ta çuar përpara procesin që na ka sjellë deri këtu; Ministrin e Jashtëm të Francës, Hubert Vedrine, i cili gjithashtu ka meritën e veçantë të të qenit një nga protagonistët e ndryshimeve të mëdha për Ballkanin, por edhe një ndër europeistët e mëdhenj të Francës dhe të Europës së sotme.
Jam shumë i lumtur që të tre miqtë e mëdhenj vijnë sot, këtu, si njerëz të lirë, pra, nuk kanë shtrëngesa protokollare, diplomatike, që do t’i pengonin të shpreheshin krejt lirisht mbi Ballkanin dhe mbi Europën, mbi problemet jo vetëm të Ballkanit, por edhe të Europës dhe mbi rrugët për t’i trajtuar dhe për t’i zgjidhur këto probleme.
Nga ana tjetër do të ishin këtu të pranishëm edhe Presidenti Klinton dhe Kryeministri Blair, të cilët përcjellin përshëndetjen e tyre për eventin tonë, por për shkak impenjimesh të marra më parë e patën të pamundur që të ishin të pranishëm.
Kam kënaqësinë po ashtu të falenderoj për praninë e tij ekonomistin e mirënjohur, profesorin Ricardo Hausmann, drejtori i Qendrës për Zhvillim Ndërkombëtar të Universitetit të Harvardit, me të cilin dhe me skuadrën e tij të ekselencës së lartë, qeveria jonë ka nderin të bashkëpunojë qysh në ditën e parë të punës sonë, për të adresuar problemet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Sigurisht që ky eveniment do të ishte i pamundur pa gatishmërinë e mikut tonë, Doktor Erhard Busek, Zëvendëskancelar i Austrisë dhe drejtuesi i paepur i “Vienna Economic Forum”, me të cilin ndamë qysh në takimin e shkuar në Vjenë, dëshirën tonë që në këtë mbyllje të mandatit të Presidencës së Shqipërisë për SEECP-in të përfshinim “Vienna Economic Forum” si një hapësirë dialogu dhe ndërveprimi, për të parë sëbashku nga vijmë dhe ku shkojmë dhe për të trajtuar në një forum ku do të jenë të përfshirë edhe 6 kryeministra të rajonit, problemet e sotme dhe mundësitë për të përshpejtuar zgjidhjen e tyre.
Faleminderit të gjithëve, edhe njëherë dhe vërtetë është një nder i madh për ne që ju jeni këtu të pranishëm dhe një privilegj që ne kemi mundësinë të shfrytëzojmë eksperiencën dhe njëkohësisht kontributin tuaj në një proces ku jemi të vetëdijshëm se mbi të gjitha, ne kemi nevojë për dije, kemi nevojë për të thelluar njohjen. Nga ana tjetër, për të rritur cilësisht ndërveprimin përmes dijes.
Sot, ju e dini që është për vizitën e tij në Tiranë, Kryeministri Vuçiç, i cili erdhi për ndeshjen e kthimit në vizitën dypalëshe, por edhe për të qenë nesër i pranishëm në eventin tonë. Vjet, për herë të parë në fundin e gushtit, ne të gjithë sëbashku si kryeministra të një territori, i cili është identifikuar në sytë e të gjithëve si territor lufte, si fuçia e barutit të Europës, u ulëm jo për të ndarë sherret e të shkuarës, as për të kontestuar kufijtë që ndajnë shtetet tona, por për të folur për të ardhmen. Falë vizionit dhe ftesës së Kancelares Merkel dhe mbështetjes që Gjermania mike i jep atij që tanimë quhet Procesi i Berlinit, ne çelëm një kapitull të ri. Padyshim, ajo që tha Doktor Busek është jo vetëm e vërtetë, por është edhe shqetësimi ynë, sepse ishte historike, ishte e jashtëzakonshme, ishte e paparë që kryeministrat e këtij rajoni të ishin sëbashku në një fotografi familjare. Por kjo nuk do të jetë më as historike, as e pa parë në Vjenë, një vit pas Berlinit, kur jo vetëm ka vlerë të mblidhemi, por më e rëndësishmja është të konstatojmë çfarë progresi është bërë në një vit dhe me çfarë ritmi ka ecur ky proces dhe ku mund të shkojmë nëse ky është ritmi që ne mund të mbajmë.
Kjo është po njësoj edhe për takimin me Kryeministrin e Serbisë. Jam i bindur që kur të takohemi për herën e tretë, nuk do të ketë më asnjë vëmendje të veçantë. Sigurisht që ky është një proces shumë i madh, por plotësisht i pamjaftueshëm për popujt tanë, për njerëzit tanë që i çmojnë këto takime, sepse në to shohin mundësinë për të parë më tutje, realizime konkrete bashkëpunimi dhe ndërveprimi. Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm që nuk kemi arritur vjet të ulemi për herë të parë, sëbashku, në një hapësire të re paqeje, sepse jemi kthyer në engjëj, ndërkohë që paraardhësit tanë dhe paraardhësit e paraardhësve tanë, që luftuan dhe derdhën gjak të njëri-tjetrit, ishin djaj.
Ne jemi po ata, jemi njësoj si ata, por ndryshe nga ata, ne kemi fatin e madh që të drejtojmë popujt dhe vendet tona në një fazë të historisë kur popujt e këtij rajoni janë identifikuar me Europën, janë identifikuar me ëndrrën për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Dhe po të mos ishte kjo ëndërr dhe ky identifikim, edhe paqja do të ishte e pamundur, siç ka qenë e pamundur për 100 e më shumë vite.
E nëse në rajonin tonë, ku 100 vjet përpara takimit në kancelarinë gjermane me Kancelaren Merkel, filloi Lufta e Parë Botërore dhe pastaj, vitet shkuan vetëm përmes luftërave, tensioneve, konflikteve dhe një dasie që është shumë e çuditshme për të gjithë, sot, Kryeministri i Serbisë është i pari vizitor i këtij rangu që shkel Shqipërinë në histori. Kjo ndodhi sepse ka një besim që, falë perspektivës Europiane, paqja vlen.
Nga ana tjetër, nëse në Europë flitet për lodhjen nga zgjerimi, ne jemi të kërcënuar nga lodhja nga durimi. Ballkanasit që nuk janë shquar kurrë për durim nuk e kanë dhe aq të gjatë sistemin e vetëpërmbajtjes, në pritje të realizimit të ëndrrave të tyre. Dhe për më tepër, ne sot nuk jemi pjesë e një kontinenti që është në ditët e veta më të mira. Nga ana tjetër kemi një Europë që përshkohet nga një turbulli jo e vogël brenda saj. Ndërkohë që jashtë nesh, në kufijtë e Europës janë shfaqur kërcënime reale për paqen, për projektin e madh të Bashkimit Europian dhe për perspektivën që popujt tanë kanë identifikuar tek Bashkimi Europian.
Kërcënime të natyrës gjeopolitike nga palë të treta, të cilët janë të gatshme në çdo moment të nxisin tensione dhe t’i fryjën konflikteve të vjetra, me deklarata nga më absurdet, ose kërcënime të terrorizmit dhe të ekstremizmit që, nëse e shqetësojnë një herë Europën, na shqetësojnë ne shumë më tepër sesa një herë, pasi ky është një rajon ku ndërthurja etnike dhe ndërthurja fetare janë pjesë e të qenit sëbashku, por janë pjesë edhe e historive shumë të hidhura deri në të shkuarën e afërt.
Ne jemi të gjithë të vetëdijshëm që pavarësia e Europës në qasjen ndaj ëndrrës, përpjekjes dhe ambicies së popujve tanë, të vendeve tona, për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga e shkuara, është në një kontrast shumë të fortë me shpejtësinë me të cilën rriten kërcënimet në kufijtë e Europës, që për hir të së vërtetës, në këtë rajon mund të gjejnë dhe terrenin më pjellor, edhe terrenin më të gatshëm, sepse më vulnerabël nga shumë pikëpamje, për të bartur dhe për të përhapur çka ne nuk do të donim kurrë të shikonim mes nesh dhe në mes të Europës.
Sigurisht që është shumë e vështirë që të vetëm, ne t’i bëjmë ballë kësaj paqeje. Kjo paqe është shumë e madhe për shpatullat tona dhe bashkëpunimi rajonal mes nesh rrezikon të mbetet një tentativë e parealizuar, nëse nuk mbështet fuqimisht nga Europa dhe Bashkimi Europian. Në një kohë si e sotmja, ku ne jemi të bindur që nuk është më siç ishte 10-15 vjet më parë, kur ne kishim nevojë për Europën dhe Europa mund të bënte dhe pa ne. Sot, ne besojmë që Europa ka nevojë për këtë zonë të trupit të saj, po aq sa popujt e kësaj zone kanë nevojë për Europën.
Ndroja jonë është se mos nesër është shumë vonë. Ekonomitë tona janë shumë të brishta, fuqitë tona buxhetore janë shumë të kufizuara dhe mundësitë tona për të përballuar sfidën e madhe të kësaj paqeje, me mjetet tona financiare, janë jashtëzakonisht të kufizuara. Ndërkohë që njerëzit e duan Europën, duan të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, sepse tek Bashkimi Europian shohin shpëtimin e tyre përfundimtar nga kërcënimet antidemokratike brenda vendeve dhe shoqërive tona, por edhe nga jashtë rajonit tonë. Por padyshim e duan dhe e duam Europën këtu, në rajonin tonë. Që do të thotë, duam që Procesi i Berlinit të transformojë mënyrën tonë të të qenit, padyshim siç edhe po ndodh, por edhe mënyrën tonë të të jetuarit, duke bërë ne, nga njëra anë, maksimumin, por duke marrë atë mbështetje pa të cilën është e pamundur që të ndërtohen rrjedhat e infrastrukturës që do t’i afronin shumë më tepër dhe shumë më shpejt njerëzit me tyre, projektet e përbashkëta për sigurinë energjetike, duke pasur parasysh që rajoni ka një potencial shumë të madh dhe mund të jetë shumë i dobishëm, jo vetëm për vetveten, por edhe për Europën, por po ashtu, edhe të gjitha ndërveprimet e tjera në arsim e deri në kulturë.
Për të gjitha këto arsye, ne e dëshiruam shumë këtë event, ne e dëshiruam shumë këtë bashkëpunim me Forumin Ekonomik të Vjenës, duke pasur parasysh edhe faktin se nuk është vetëm pjesa që i takon fondeve për të mbështetur këto projekte, por është dhe pjesa që i takon rritjes së investimeve të huaja në rajonin tonë. Edhe në këtë drejtim jemi të bindur që mund të bëjmë shumë më tepër, duke ndërvepruar për të krijuar hapësirë shumë më të madhe për kompani të mëdha dhe për investitorë të mëdhenj strategjitë, që ndryshe nga deri dje, kur investojnë në Shqipëri, nuk investojnë vetëm në Shqipëri, por investojnë në një treg shumë më të madh.
Shumë faleminderit për vëmendjen. Me dëshirën e madhe që të gjithë miqtë që do të qëndrojnë këto 24 orë në Tiranë të ndjehen shumë mirë dhe me bindjen e madhe se nesër, ne do t’ju jemi edhe më mirënjohës për kontributin që do të na japin, ju uroj një natë të qetë dhe nesër një ditë pasiononte dhe entuziazmuese për Ballkanin, që sido të vijë puna, ka një virtyt, nuk është kurrë i mërzitshëm.
*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e hapjes së “Vienna Economic Forum”: