U bënë pothuajse dy dekada që institucionet e Republikës së Kosovës veprojnë nën një “garanci” ndërkombëtare, ku garantët e pavarësisë së saj janë po ata që u mobilizian edhe për ta çliruar këtë tokë shqiptare prej gjenocidit serb të fund-viteve ’90. Pas një kujdestarie të gjatë të OKB-së, përmes misionit UNMIK, i cili ushtron kompetenca policore dhe ka trajnuar policinë kosovare, si dhe praninë e vazhdueshme të trupave të NATO-s, nën ombrellën e KFOR, Kosova dhe politika e saj e jashtme është përpjekur që të njihet në arenën ndërkombëtare nga sa më shumë shtete si dhe të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare për të përmbushur qëllimin madhor, atë të të qënit një shtet me të drejta të plota në OKB.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka pasur dy synime themelore: shtet-ndërtimin e brendshëm dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Gjatë viteve të fundit politika e jashtme e Kosovës ka hasur në një rezistencë shumë të madhe, kjo është e dukshme jo vetëm në numrin e njohjeve të pakta që ka pasur si shtet, por edhe ka ndjerë peshën ambige të politikës së jashtme të Kremlinit, e cila pavarësisht se jo hapur, ka mbështetur Beogradin në arenën ndërkombëtare sidomos për çështjen e Kosovës. Përkatësisht politika e jashtme e Kosovës ka bërë shumë pak gjatë viteve të fundit për njohjen e saj prej shteteve të tjera. Kështu prej vitit 2014 e deri më sot, Kosovën e kanë njohur vetëm 9 shtete, prej të cilave 5 në vitin 2014, 1 në 2015, 2 në 2016 dhe vetëm 1 në vitin 2017.
Kjo tregon se nga 114 shtete që e kanë njohur, prej 193 shteteve që janë anëtare të OKB, vetëm 55.95% e anëtarëve të OKB kanë arritur ta njohin. Gjithashtu ajo është njohur vetëm prej 3 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, prej 5 anëtarëve të përhershëm që ka ky Këshill. Nga ana tjetër Kosova është njohur vetëm prej 23 shteteve anëtare të BE, ose thënë ndryshe prej 82% të qeverive evropiane në BE. Më e ndjeshme është përqindja që zë njohja e shtetit të Kosovës prej anëtarëve të NATOS, e cila shkon në 25 nga 29 shtete, ose 88% duke përfshirë edhe Malin e Zi që u bë anëtar pak kohë më parë.
Pavarësisht diskutimeve të shumta dhe problematikave që janë shfaqur sa herë është diskutuar për njohjen e Kosovës prej vendeve arabe, në raport me vështirësitë që janë hasur, njohja ka ecur mirë dhe prej 57 shteteve që janë anëtare në Konferencën Islamike, 36 prej tyre e kanë njohur Kosovën (63%). Duke marrë parasysh edhe vështirësitë që ka kaluar e po kalon rajoni i Lindjes së Mesme, vala e njohjeve ka qenë domethënëse edhe pse mund të bëhet më tepër në këtë drejtim. Ajo që duhet parë me shumë interes prej politikës së jashtme në Prishtinë është që të shtohen përpjekjet në Ligën Arabe, pasi vetëm 50% e vendeve anëtare të saj kanë arritur ta njohin Kosovën si shtet të pavarur (thënë ndryshe, 11 prej 22 shteteve anëtare në Ligë.)
Nëse do bënim një rezyme në formë analize, duket se njohja e Kosovës ka ardhur më shumë prej atyre vendeve që kanë mbajtur edhe peshën kryesore të mbështetjes që i kanë dhënë që në ditët e para të shpalljes së pavarësisë. Kjo sepse 46% e njohjeve të saj janë bërë vetëm gjatë vitit 2008. Pra, ky tregues thekson se vetëm në vitin e shpalljes së pavarësisë (2008), Kosovën e kanë njohur 53 shtete (nga 17 shkurti në 5 dhjetor 2008). Ndërkohë që prej vitit 2008 e deri më sot numri i njohjeve ka ardhur gjithnjë e në ulje, dhe për 9 vjet, Kosovën e kanë njohur vetëm 61 shtete. Pavarësisht se kjo mund të jetë fare lehtë e shpjegueshme, pasi mbështetja ndërkombëtare për Kosovën në 2008 ka qenë shumë herë më e madhe se sot dhe sigurisht Serbia e ka patur më të vështirë ta kontestojë këtë akt në atë kohë, gjithsesi në vetvete njohjet e pakta që kanë pasuar vitin 2008 na tregojnë për një shterpësi në politikën e jashtme të Prishtinës. Situata bëhet edhe më alarmante sidomos në vitet e fundit, ku siç dhe theksova, prej vitit 2014 e gjer më sot janë vetëm 9 shtete që e kanë njohur atë, në një periudhë 3 vjeçare.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010 ka dhënë një mendim të fuqishëm dhe të padiskutueshëm, që pavarësia e Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Një kapitull i ri në shtetësinë e Kosovës u hap kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aprovoi mendimin e GJND-së dhe kërkoi nga Serbia dhe Kosova të angazhohen në zgjidhje të problemeve praktike në mes tyre, si pjesë e proceseve integruese, duke mbyllur një herë e përgjithmonë mundësinë që kufijtë dhe shtetësia e Kosovës të diskutohet me këdo.
Në vitin 2013 (7 shkurt) Parlamenti Evropian me qëllim që të ndihmonte njohjen e Kosovës prej vendeve që ende nuk ishin shprehur ose që kishin ndonjë influencë prej Beogradit, miratoi një rezolutë duke i hapur kështu rrugën marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes BE dhe Kosovës. Në dokumentin për Kosovën të paraqitur nga eurodeputeja Urlike Lunaçek para komitetit për Politikë të Jashtme të PE-së, thuhet se Bashkimi Evropian mund të lidhë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, edhe pse pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Eurodeputetja deklaroi se nuk mund të pranohej ndarja e Kosovës. Projekt-rezoluta po ashtu u bënte thirrje pesë anëtareve evropiane që të pranonin e njihnin shtetin e ri. Ndërkaq, dokumenti për Serbinë kërkonte që këtij shteti t’i jepej sa më parë data e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me kusht që Beogradi të plotësojë kushtet themelore dhe të vazhdojë procesin e reformave. Njëri nga kushtet e BE-së për Serbinë, ishte normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, nëse Beogradi dontë që të avanconte në procesin e integrimit.
Edhe pse ndihma e dhënë prej ndërkombëtarëve nga viti 2010 deri në 2013, për të shtyrë përpara procesin e njohjes së Kosovës ishte e dukshëm shumë e madhe, politika e jashtme e Prishtinës nuk u tregua konkrete. Kjo shfaqet qartazi në numrin e pakët të shteteve që e njohën Kosovën në vitin 2013, vetëm 7 shtete. Ky ngërç diplomatik i dha mundësi të mëtejshme Beogradit për të intesifikuar politikën e vet të jashtme e për të rritur ndikimin tek ato vende që shfaqeshin të lëkundura ndaj njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. Në një kuptim tjetër, mund të thuhet se zëri i Prishtinës ka qenë shumë i dobët në arenën ndërkombëtare dhe se ajo dëgjohej vetëm kur thirrej në tryezën e bisedimeve në Bruksel ose në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Sipas “Strategjisë për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës” të MPJ të miratuar gjatë qershorit 2011, ishin 6 faktorët që kishin penguar gjer në atë kohë ecurinë pozitive të njohjeve të reja, e ato si më poshtë:
- Kundërshtimi i Pakos së Ahtisaarit nga anëtarësia permanente e Këshillit të Sigurimit (Rusia) dhe pamundësia e arritjes së konsensusit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së;
- Mungesa e unitetit në BE rreth pavarësisë së Kosovës, ka krijuar përfytyrimin se Kosova është çështje e pazgjidhur evropiane. Kjo, për shkak të mosnjohjes së deritanishme nga pesë shtetet anëtare: Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja;
- Vlerësimi i gabuar i disa shteteve se pavarësia e Kosovës është rezultat i “shkëputjes” (nga një shtet sovran) dhe jo shtet i krijuar nga shpërbërja e dhunshme dhe jo-konsensuale e një shteti shumëkombësh federativ; Serbia ndez frikë të tilla me propagandim të ashpër për “konsekuencat e njohjes” për shtete me probleme interne;
- Mungesa e interesit të qartë për njohje nga një numër i madh i vendeve që ende nuk kanë qëndrim të prerë për pavarësinë e Kosovës, të cilat janë larg gjeografikisht dhe politikisht me Kosovën dhe Ballkanin dhe nuk e kanë Kosovën në listen e prioriteteve të tyre;
- Zhvendosja e Kosovës nga prioritetet e larta të politikës së jashtme të vendeve mbështetëse dhe zbehja e kujtesës për të kaluarën e Kosovës;
- Largimi nga skena politike ndërkombëtare e personaliteteve me ndikim gjatë procesit për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
pavarësisht nëse këta faktorë shfaqen si relevant e pengues, sërish në rafshin ndërkombëtar është bërë shumë pak prej Prishtinës për ngritjen e mekanizmave të duhur për të influencuar dhe arritur që të ndikojë tek ato vende që ende nuk e kanë njohur atë. Sidoqoftë në situatën aktuale kur politika e jashtme e Prishtinës po përballet me një shterpësi akute, kur Kosova e vetme nuk mund të bëjë asgjë dhe kur as Brukseli nuk duket se është në gjendje të arrijë një marrëveshje përfundimtare Serbi-Kosovë, roli i Shqipërisë bëhet i rëndësishëm, i domosdoshëm dhe pothuajse vendimtar për të mbrojtur pjesën tjetër të kombit shqiptar. Ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm sidomos kur shohim se dy vende si Rumania dhe Greqia ende nuk e kanë njohur Kosovën. Në këtë drejtim, Tirana mund të punojë në bashkëpunim me Prishtinën për të shtuar përpjekjet si në Bukuresht ashtu dhe në Athinë, që këto të fundit të paktën të ndryshojnë kursin e tyre, që të mos bëhen pengesë në Qipro e Moldavi, për njohjen e Kosovës.
Qipro është njëri prej pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njeh Kosovën, si dhe është shteti i vetëm anëtar i BE që nuk kontribuon në forcën e EULEX-it në Kosovë, (në misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë). Qëndrimi i Qipros ndaj Kosovës është aq i prerë sa nuk njeh as dokumentet e Kosovës. Përmes Athinës mund të arrihet që të paktën edhe nëse kjo e fundit nuk e njeh vet Kosovën, të mos pengojë Qipron nga ky proces, sepse si Greqia ashtu dhe Qipro ruajnë një politikë të jashtme të përbashkët mbi çështjen në fjalë. Prej analizave të gjertanishme rezulton se vlerësimet për kapacitetin e BE-së për transformimin e strukturës nxitëse mes palëve dëshmojnë se janë mjaft optimiste, por joreale. Ka një numër pengesash politike, institucionale dhe kulturore që japin pak shpresë për ndryshimin në marrëdhëniet ndërmjet Qipros dhe Kosovës në të ardhmen e afërt, e sidomos pa pasur sinjale pozitive nga Athina. Në këtë pikë, ndikimi i Tiranës, edhe pse jo përcaktues, mund të jëtë shumë i rëndësishëm si mediator fillimisht në Athinë e më pas në Nikosi.
Nga ana tjetër shteti shqiptar mund të jetë organizatori i një tryeze trilaterale bashkëbisedimi mes Tiranës, Athinës e Prishtinës. E gjasat janë të shumta që Greqia të mund ta njohi Kosovën, pasi Athina ka ruajtur kanalet zyrtare të komunikimit me Prishtinën, ka pranuar dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Kosovës, ka lehtësuar komunikimin dhe transportin e qytetarëve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë dhe ka përkrahur tregtinë dhe investimet ndërmjet dy palëve. Përveç kësaj, Greqia është posaçërisht aktive në dhënien e ndihmës ndaj Kosovës përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Prishtinë.
Një ndërhyrje më e madhe e Shqipërisë në politikën e jashtme të Kosovës, nuk duhet të shihet si ndërhyrje në punët e brendshme të saj. Për Kosovën duhet të jetë një ndërhyrje dhe një ndihmë e mirëpritur dhe askujt nuk duhet t’i vijë keq që Tirana përpiqet që të kontribuojë në arenën ndërkombëtare për njohjen e Kosovës. Kjo pasi politika e jashtme e Shqipërisë mund të arrijë dhe të bëjë më shumë se ajo e Kosovës. Një angazhim më i madh i Shqipërisë në këtë drejtim do i shërbente dy qëllimeve: së pari, do të ndihmonte Kosovën dhe do të krijonte një politikë të jashtme të përbashkët Shqipëri-Kosovë; dhe së dyti do të rriste ndikimin e Shqipërisë në Ballkan. Nuk duhet parë si heretizëm ulja në një tavolinë e Shqipërisë dhe Serbisë për të diskutuar për çështjen e Kosovës. Përkundrazi, është një domosdoshmëri që i shërben interesave kombëtare brenda Shqipërisë dhe në Kosovë. Por koordinimi Tiranë-Prishtinë duhet të jetë paraprak (para organizimit të tryezës), si dhe rezultatet të bëhen gjithnjë të ditura. /tesheshi.com/