Aksidenti fatal për një familje të tërë në vozitje të automjetit në hall të vet, shkaktuar nga dëshira e ca të rinjve për të çarë rrugën si të tërbuar, veç hidhërimit që sjell, të jep dhe një pamje të shkurtër të mendësisë të pas ’90-s, formësuar në mungesën e parimeve dhe të moralitetit, apo në qenien e tyre hipokrite.
T’i grahësh një makine luksi me shpejtësi marramendëse, pa pyetur për rregull e për rrezik, në mes të qytetit a jashtë tij, të përplasësh njerëz në trotuar a në rrugë, t’i gjymtosh a t’u marrësh jetën, do të thotë të mos e marrësh fare në konsideratë gjënë tjetër apo krijesat e tjera njerëzore.
A nuk rend shumëkush ndër ne çdo çast si ata të marrë në timon, duke cenuar pa të drejtë pronë të tjetërkujt, hapësirë të tjetërkujt, të drejtë të tjetërkujt, jetë të tjetërkujt?
A nuk e duan shumë ndër ne shpejtësinë në gjithçka?
Shpejtësinë në të fituar…
Shpejtësinë në të pasuruar…
Shpejtësinë në mbërritjen te suksesi…
Shpejtësinë në sigurimin e mirëqenies…
Shpejtësinë në plotësimin e nevojave…
Kjo shpejtësi vjen prej mendësisë që e sheh tjetrin, mikun, komshiun, vëllain, të afërmin, të njohurin e të panjohurin, si asgjë, a veç si interes, si mjet për t’i realizuar dëshirat. Prej mendësisë që nuk ia vë në hesap të drejtat tjetrit, që ia nëpërkëmb nderin, ia rrëmben pronën, ia rrëmben jetën.
Kjo shpejtësi vjen prej mendësisë së të fortit, të cilin nuk ka ligj që e ndal.
Kjo shpejtësi vjen prej mendësisë se nuk ka llogari tjetër veç llogarisë këtu. E llogaria këtu rregullohet shpejt, me para e me pushtet.
Mos prit kështu që ai në rrugë të tregohet i kujdesshëm, të të marrë në konsideratë, të të përfillë ty e mjetin tënd udhëtues pa shkëlqimin dhe luksin e të tijit.
…
E ta mendojë i gjori njeri, që vetja i duket mbi çdo gjë tjetër, se ka një llogari tjetër, së cilës nuk mund t’i shpëtojë… S’do guxojë ta shtypë as mizën!
Sikur ta dijë se nxitimi është prej shejtanit…
Ej, ti, njeri, për ku po shpejton veç shkatërrimit tënd?! /tesheshi.com/