Në historinë e vonë, korriku, një muaj i nxehtë për nga temperaturat, ka rezultuar të jetë po kaq përvëlues sa ka të bëjë me ngjarjet në të. Mijëra njerëz kanë provuar gjenocidin, plumbat mbi trup e spastrimin etnik, ndërkohë që të tjerë janë shtypur nën zinxhirë tankesh, janë shembur nga predha avionësh F-16, apo janë kositur nga armë puçistësh.
Tre ngjarje mbeten epokale për gjakun e derdhur, për mizorinë ndaj civilëve, për pushtetin e rrëmbyer me dhunë, për qëndresën e një populli që me pushtimin e rrugëve dhe sokaqeve për javë të tëra i tha jo një përpjekjeje për grusht shteti, e, në fund, për lënien e fatkeqëve në duar barbarësh, për shtrëngimin e duarve të një vrasësi puçist, dhe për dhënien strehë atyre që do duhej të ishin tani prapa hekurave për krimet e bëra në tentativën për të rrëzuar një qeverisje legjitime.
Për çdo vit, më 11 korrik, përkujtohet masakra e Srebrenicës. Kështu ngjau dhe këtë herë, me të njëjtat pamje që sjellin në vëmendje gjenocidin e 22 viteve të shkuara.
Arkivolë me eshtra të porsagjetura viktimash që presin futjen në dhé, grumbuj njerëzish të mbledhur në Potoçar, gra me shami në kokë që qajnë në heshtje buzë varreve të të afërmve…
Korrikun e 1995-s, serbët do të masakronin mbi 8.000 muslimanë boshnjakë. Krimi do të ndodhte nën hundën e paqeruajtësve holandezë, në një zonë të shpallur të “sigurt”. Madje pikërisht këta paqeruajtës do t’i dorëzonin në duart e serbëve qindra të strehuar në kompleksin e OKB-së; e bënë këtë pabesisht dhe pashpirtësisht.
Veç të vrarëve, do të dëboheshin mijëra në masë, në një akt të pastër spastrimi etnik, aq sa sot Srebrenica ka një kryebashkiak serb, që mohon të ketë patur gjenocid!
Një gjenocid i njohur nga dy gjykata ndërkombëtare, por që ende pak përmendet si i tillë. Deutsche Welle i kushtoi një reportazh këtij 22-vjetori, e quajti ngjarjen si masakrën më të tmerrshme pas Luftës së Dytë Botërore, po askund në rreshta nuk përmendi fjalën gjenocid, askund nuk lexohej se bëhej fjalë për mijëra muslimanë boshnjakë të masakruar, askund nuk citohej fajësia e holandezëve që pretendonin të qenë paqeruajtës, por vetëm të tillë nuk u treguan. Për një media që arrin të gjejë dhe gjilpërën në kashtë mjaftojnë ca kujtime të mbijetuarish!
Katër vite më parë, më 3 korrik të 2013-s, presidenti i i pari i zgjedhur demokratikisht i Egjiptit do ta pësonte nga një i emëruar i tij. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm do të udhëhiqte puçin ushtarak për rrëzimin e presidentit.
Kreu i shtetit do të arrestohej vetëm një vit pasi kishte marrë votëbesimin popullor për të qeverisur vendin. Fati i është përcaktuar tashmë: të qëndrojë në qeli, i dënuar në një numër gjyqesh kundër tij!
Puçi do të shoqërohej me arrestime të mbështetësve të presidentit të larguar me forcë nga detyra, me shtypje, vrasje… Dhuna do ta kishte kulmin në mesin e gushtit të 2013-s, kur sheshet Rabia dhe Nahda do të përmbyteshin nga gjaku i protestuesve të vrarë.
Mbi njerëzit që po kryenin faljen e mëngjesit do të hapej zjarr, buldozerët do të pushtonin sheshet e mbushura prej javësh me mbështetës të presidentit të rrëzuar, me kundërshtarë të puçit.
Të vrarët qenë nga qindra në mijëra; simboli i tyre u bë Esmaja 17-vjeçare, e qëlluar me snajper. Mijëra dënime me vdekje u dhanë në muajt që pasuan. Terrori nuk do të kishte të ndalur. Bota e “qytetëruar” nuk bënte zë…
“Puç apo jo puç?” Kështu e niste materialin e tij te BBC-ja një korrespondent diplomatik i këtij rrjeti, ende i lëkundur në përshkrimin e rrëzimit me dhunë të një presidenti të zgjedhur me votë të lirë. Në të njëjtin artikull citohej sekretari i Jashtëm britanik të ishte shprehur se bëhej fjalë për një “ndërhyrje popullore”!
Puçi u paraqit dendur në mediat botërore si një revolucion; një paralajmërim për qëndrimin e mëtejshëm të zbutur, madje mirëdashës, ndaj kryerësit të tij, që shpejt do ta zëvendësonte të rrëzuarin në detyrë.
Në vend të mosnjohjes, puçistit të kthyer në kryetar shteti iu hapën dyert në kontinentin ku “nuk pranohet” marrja e pushtetit me dhunë. Shtrëngimi i duarve, fërkimi i shpatullave, i sugjeronin gjakderdhësit ta çonte në fund represionin. Puçi ndodh të mos jetë puç kur e do puna!
Një tjetër ngjarje e këtij lloji mbetet ende e freskët, me plagët që vazhdojnë të kullojnë gjak, e me ideatorët akoma në liri. Në mesin e korrikut të një viti më parë, tanket do të zbrisnin në rrugët e Stambollit dhe të Ankarasë, do të bllokonin urat e do të shtypnin çfarëtë gjenin përpara, njerëz e makina, në përpjekjen më të fundit për t’i ndërprerë rrugëtimin qeverisjes më të suksesshme të Turqisë në dekada.
Një plan ogurzi parashikonte mes të tjerash eliminimin fizik të presidentit; një objektiv i kahershëm, fatmirësisht i parealizuar. Do të bombardohej parlamenti, presidenca, do të derdheshin lumë predhash mbi njerëz të dalë në rrugë për të mbrojtur të tashmen dhe të ardhmen e tyre.
Orët e mbrëmjes të 15 korrikut të 2016-s dhe ato të parat e ditës pasuese do të ishin tragjike, por dhe heroike. Qindra njerëz të pafajshëm u vranë në një përpjekje mizore për puç, mijëra të tjerë do të plagoseshin. Falë kurajës njerëzore, falë vetëmohimit qytetar, ndryshe traditës, përpjekja për përmbysjen e pushtetit nuk do të kishte sukses.
Puçi i dështuar u krye nga segmente të shtetit paralel; kanceri nga i cili Turqia ende nuk është shëruar. Faktet e zbuluara përgjatë një viti rrëfejnë se ato nuk kanë qenë pa mbështetje nga jashtë në sipërmarrjen e tyre.
Heshtja që pasoi ndërkombëtarisht linte për të kuptuar më shumë një pikëllim për përpjekjen e çuar dëm, ndryshe nga ç’do duhej të ngjiste. Një heshtje që kishte patur si hap të parë një mizëri gënjeshtrash, burimi i të cilave thoshte mjaft se kujt i përkiste orkestrimi i rebelimit antikushtetues, i pafre në mizorinë e tij.
Turqit ia dolën me barrikadën e tyre trupore ta bënin të pavlefshëm puçin e ta shmangin gjëmën që do të vinte më pas, por martirizimi nuk qe i mjaftueshëm për ta ndaluar fshikullimin absurd perëndimor.
Më shumë se për rendin kushtetues në Turqi, meraku i Perëndimit ishte fati i mëtejshëm i puçistëve. Ja ç’titull kishte The Telegraph tre ditë pas puçit të dështuar: “Udhëheqësit perëndimorë paralajmërojnë presidentin Erdogan të mos e përdorë rebelimin si shfajësim për masa represive ndërsa më shumë se 6.000 njerëz janë arrestuar”!!!
Një vit pas gjakderdhjes puçiste, organizatorët, një pjesë e mirë e kryerësve dhe pjesëmarrësve në puç, kanë gjetur strehë në vendet perëndimore. Që andej goditja nuk resht, e bashkërenduar.
Korrik gjakderdhjesh, puçesh… Ngjasojnë viktimat, ngjasojnë qëndrimet…/tesheshi.com/