Pothuajse njëqind vjet më parë, mes datave 6-8 nëntor 1917, u zhvillua një prej revolucioneve që do të linte gjurmë të thella në historinë botërore. Ishte Revolucioni Bolshevik i udhëhequr prej Vladimir Iliç Lenin.
Në 100-vjetorin e këtij revolucioni, Vladimir Putin deklaroi se Rusia që ai udhëheq do të kthehet edhe njëherë në atë epokë të lavdishme, si dhe do të mëkëmbë “perandorinë sovjetike”. Duke lexuar rresht pas rreshti deklaratat e liderit të Kremlinit, kupton se Rusia nuk mund (dhe nuk do) të luaj më lojën e udhëhequr dhe orkrestruar prej Uashingtonit, por synon qartazi që të jetë një lider i diplomacisë botëtore. Përpjekjet në këtë rrugë kanë filluar shumë vite më pare, kur V. Putin filloi të sponsorizonte “ekspansionin rus” drejt Perëndimit. Sot, ky ekspansion nuk shfaqet vetëm si mjet ushtarak, por dhe si ndikim ekonomik, kulturor e diplomatik (njohur ndryshe si Soft Power).
Sipas disa raportimeve mediatike (“The Guardian”) në fillim të vitit 2017, deklarohej se ekzistonte një “lavatriçe” shumë e madhe e pastrimit të pareve ruse në Ballkan, e cila në hartën e saj përfshinte disa shtete primare si Serbia, Kroacia dhe Bullgaria, e disa shtete të tjera sekondare, si Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Mali i Zi, ku paret e “pastruara” investohen në turizëm, industri ushqimore, minerare, ndërtim, politikë dhe fusha të tjera. Bëhet fjalë për pastrimin e mbi 20 miliard dollarëve që kanë lëvizur prej bankave ruse drejt këtyre vendeve. Në fakt kjo skemë është zbuluar shumë vonë. Ajo daton që nga viti 2010 dhe vetëm para pak kohe u arrit që të gjurmohej me ndihmën e “Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit” (OCCRP) që në bashkëpunim me disa gazetarë ivestigativë rusë, arritën të zbulojnë rrugëtimin e këtij fluksi parash.
Organizata kërkoi që në hetim të ekspozoheshin bankat, kompanitë dhe biznesmenët e përfshirë në transferimin kriminal të parave nga bankat ruse në mbi 70,000 transaksione në 96 vende midis viteve 2010 dhe 2014. Vendi ballkanik me numrin më të madh të transaksioneve ishte Bullgaria, ku gjithsej 1.3 milionë euro u transferuan në 14 transaksione. Në Serbi, ishin 9 transaksione me vlerë 800,000 euro në total dhe 7 transaksione me vlerë 470,000 euro në Kroaci. Ka pasur 4 transaksione të tilla me vlerë 84,000 euro në Rumani dhe i transaksion, me vlerë 5,800 euro, në Bosnje dhe Herzegovinë. Prej këtyre “transfertash” asnjë transaksion i dyshimtë nuk është regjistruar në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Zagrebi pak ditë më parë përjetoi një “shock” ekonomik kur pas hetimeve të shumta, doli se Moska është thellësisht e përfshirë në skandalin e falimentimit të një prej kompanive më të mëdha në Kroaci me financim rus, atë të “Agrokor”, pasi dy nga kreditorët kryesorë të saj ishin banka shtetërore ruse. Autoritetet kroate, muajin e kaluar lëshuan një urdhër-arresti ndërkombëtar për pronarin e kërkuar të “Agrokor”, Ivica Todoriç, i dyshuar për falsifikimin e llogarive për të fshehur borxhet e paqëndrueshme të vlerësuara në total prej të paktën 5.4 miliardë euro. “Agrokor” nga mënyra sesi ka funksionuar është tërësisht një kompani e zhytur në borxh, në veçanti tek “Sberbank” dhe “VTB”, dy banka ruse të kontrolluara nga shteti, të cilave u detyrohet rreth 1.1 miliardë euro dhe 300 milionë euro respektivisht.
Me rreth 60,000 vende pune, dy të tretat e tyre në Kroaci, “Agrokor” është punëdhënësi më i madh në një rajon ku papunësia prej vitesh është shumë e lartë. Rrjeti i saj i furnitorëve nënkupton që dhjetëra-mijëra vende pune janë në rrezik. Të ardhurat e kompanisë me qendër në Zagreb përbëjnë rreth 15 përqind të produktit të brendshëm bruto të Kroacisë (PBB) – kështu që kur u përball me rënien potencialisht katastrofike, qeveria kroate në prill të këtij viti krijoi një Task Forcë për të menaxhuar krizën e për të udhëhequr një proces ristrukturimi. Ndërkaq duhet theksuar se një pjesë e produkteve të kësaj kompanie kanë furnizuar tregun ballkanik për vite me radhë, tregëti prej së cilës nuk ka shpëtuar as Shqipëria.
Dokumentet e zbuluara (prej “Organizatës për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit” – OCCRP), tregojnë se qëllimi i Kremlinit është që t’u ndalojë vendeve të Ballkanit bashkohimin me NATO-n dhe t’i largojnë ato nga influenca perëndimore. Në realizimin e këtij projekti janë përshfirë, biznesmenë, spiunë dhe shumë diplomatë rusë, në një përpjekje gati dhjetëvjeçare për të përhapur propagandën dhe për të provokuar mosmarrëveshje në Maqedoni, Mal të Zi, e Bosnje Hercegovinë. Dosjet gjithashtu tregojnë përpjekjet e inteligjencës serbe për të mbështetur nacionalistët pro-rusë dhe anti-perëndimorë në Maqedoni. Dokumentet tregojnë se Moska ka kërkuar të rrisë ndikimin e saj në të gjithë vendet e ish-Jugosllavisë. Qëllimi i Kremlinit është t’i ndalojë ato të hyjnë në NATO dhe t’i largojnë nga influenca perëndimore në të gjitha mënyrat e mundshme.
Në fakt Maqedonia ka qenë një prej vendeve ballkanike që ka ndjerë më shumë ndikimin rus. Që prej vitit 2008 kur Greqia bllokoi përpjekjen e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n, situata përshkallëzoi dhe kjo gjë i dha mundësi elementëve të ndryshëm të krijojnë destabilizim të situatës në vend. U duk sikur pati një harmonizim të agjendave mes Rusisë dhe Greqisë, pavarësisht faktit se secila prej tyre kërkonte të arrinte një synim të përcaktuar qartë e të pavarur nga tjetri. Por në përfundim, prej pothuajse 9 vitesh, Maqedonia, prej atëherë e gjer pak muaj më parë, përjetoi një situatë shumë të vështirë politike. Për pothuajse nëntë vite (nga 2008), Maqedonia ka qenë “duke i’u nënshtruar një aktiviteti të fortë subversiv propagandistik të inteligjencës së drejtuar nga ambasada ruse”. Kjo deklaratë u dha publikisht e zyrtarisht prej Vladimir Atanasovski, drejtori i Administratës (Agjencisë) së Maqedonisë për Siguri dhe Kundër Inteligjencë (UBK).
Rusia gjithashtu ka rritur në mënyrë drastike shtrirjen e saj kulturore në Maqedoni, duke nxitur debate e diskutime mbi identitetin “pan-sllav” dhe besimin e përbashkët ortodoks. Ambasada e saj ka mbikëqyrur krijimin e rreth 30 shoqatave miqësore Maqedoni-Rusi. Ajo ka hapur një qendër kulturore ruse në Shkup dhe sponsorizon ndërtimin e disa kishave. Ndërkaq sipas dokumenteve dhe artikujve të botuar në shtypin e përditshëm ballkanik, konsullatat ruse në qytetet e Manastirit dhe të Ohrit janë akuzuar shpesh se funksionojnë si “baza të inteligjencës”. Rezultatet e përpjekjeve të influencës së Moskës herë duken si përpjekje të lavdishme e herë si dështim, por sido të jetë, ndikimi rus nuk ka përjetuar asnjëherë zbritje gjatë dhjetë viteve të fundit. Rusia ka qenë një përkrahës i rëndësishëm i Gruevskit, i cili u detyrua të japë dorëheqjen si kryeministër në janar, pas akuzave se kishte përgjuar mijëra qytetarë maqedonas.
Një sërë konferencash ndërkombëtare, tryezash apo takimesh mes studiuesve e vendimmarrësve të ndryshëm janë mbajtur e organizuar në institucionet më të njohura në botë dhe Evropë për politikat globale e ato rajonale, kryesisht për të marrë në analizë situatën në Ballkan dhe ndikimin rus. Një prej tyre ishte edhe ajo e marsit 2015 organizuar prej London School of Economics me temë “Ballkani në Strategjinë e Politikës së Jashtme të Rusisë; Rusia dhe Zgjidhja e Konflikteve në Ballkan: Dimensioni Ekonomik – Soft Power-i rus”. Fokusi i kësaj konference ishte analizimi i rritjes se ndikimit rus në Ballkan përmes botës financiare, investimeve, pastrimit të shumave të mëdha të parave të pista si dhe investimet ruse në nyjet strategjike rajonale.
Kështu mund të thuhet se Rusia prej kohësh është kthyer në Ballkan për të fituar pikë kundër Perëndimit duke shfrytëzuar zbrazëtirat dhe “zonat gri” të krijuara prej BE apo NATO-s. Ajo po përpiqet që të ndikojë në të gjitha ato vende që janë në proces aderimi për në NATO ose BE, në mënyrë që përmes destabilitetit t’u krijojë vështirësi në anëtarësim dhe proceset integruese. Në fakt Shqipëria ka qenë një ndër vendet ku Rusia nuk është përpjekur gjatë të ndikojë, duke qenë se vendi një dekadë më parë u anëtarësua në Paktin e Atlantikut të Veriut dhe kjo i dha stabilitet situatës politike. Por nga ana tjetër, prishja e rendit publik përmes kanabizimit të territorit si dhe krijimi i një vakuumi të madh në mungesën e ligjit gjatë viteve të fundit, ka dhënë mundësi të shumta për të ndikuar mbi politikën e dobët dhe politikanët e korruptuar.
Rusia mund të mos ketë një vizion afatgjatë, por ajo përdor një taktikë ndryshe nga konkurrentët e saj. Ajo merr vendime të shpejta dhe vepron në mënyrë fleksibile. Kremlini nuk beson në elitat lokale, por përmes politikave monetare dhe korrupsionit ajo merr gjithnjë atë çfarë kërkon. Në një Ballkan të goditur nga kriza, i mbushur me klientelizëm, kapja e shtetit kryesisht përmes blerjes së elementëve politikë me para, është një mundësi gjithnjë për ndikim në çdo situatë.
Duke filluar nga fundi i viteve 1990, firmat ruse të energjisë si “Lukoil” dhe “Gazprom” kanë bërë goditje të shumta financiare në Bullgari, Rumani, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë. Me kalimin e kohës, Kremlini ka shfrytëzuar ndërvarësinë ekonomike. Megjithatë, një pozicion udhëheqës në sektorin e naftës dhe një monopol në gaz nuk garantojnë shpeshherë përdorim të mirë të levave politike. Psh., Mali i Zi, vend pritës i një të tretës së investimeve me ndikim rus në Ballkan, nën ndikimin e SHBA dhe BE, i’u bashkua sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pak kohë më parë dhe njëkohësisht u pranua në NATO (në muajin prill). Sidoqoftë gazi dhe investimet e tjera ruse, vijojnë të mbeten problematike për jetën ekonomike dhe atë politike rajonale.
Kremlini prej kohësh e ka kthyer çështjen e Kosovës në një pikë të nxehtë debati në arenën ndërkombëtare, duke e marrë atë si shembull të prishjes të parimeve rregulluese dhe nocioneve të gjithë-pranuara me krijimin e rendit të ri botëror të pas Luftës së Ftohtë. Bazuar mbi këtë ngjarje, një sërë lëvizjesh ushtarake të kombinuara politikisht e diplomatikisht nisën nga fundi i viteve 2000 në Evropën Lindore, duke kulmuar me ngjarjet në Krime dhe Ukrainë disa vite më parë. Destabiliteti, korrupsioni, blerja e politikanëve të ndryshëm, financimet në projekte industriale, strategjike dhe kulturore janë disa nga mënyrat për të penetruar në Ballkan.
Ideja e një Ballkani të hapur ndaj investimeve të ndryshme, ka qenë gjithnjë terheqëse për biznesmenët rusë, të ardhurat e të cilëve është shumë vështirë për t’i gjurmuar se nga vijnë e si janë fituar. Mjafton këtu për t’u përmendur rasti i Malit të Zi, i cili siç theksova dhe më lart është “shtëpia” e 1/3 së investimeve ruse në rajon. E në këto investime nuk ka si të mos spikasë dhe “industria e lojërave të fatit – kazinove”. Prej vitit 2009, Korston është një nga kompanitë e para (e më të mëdha) të kazinove ruse që kanë hyrë në Mal të Zi. Grupi Korston, i cili zotëronte Korston Hotel & Casino në Moskë, u transferua në Mal të Zi, pas vendimit të presidentit Putin për të mbyllur një pjesë të madhe të kazinove në Rusi. Prej vitit 2009 Korston ka ndërtuar në vendin fqinj parajsën e lojrave të fatit e cila çdo vit pret në tavolinat e saj jo vetëm biznesmenë por dhe personalitete të ndryshme të botës, artit e kulturës.
Aq i fort ka qenë ndikimi dhe financimi rus në Mal të Zi, sa producentët e James Bondit, njërën prej serive të fundit të filmit të luajtur prej Daniel Craig në vitin 2006, vendosën ta quajnë “Casino Royal” (Hotel Splendid), vend i njohur në Mal të Zi, ku lojrat e fatit ndërthuren e shfaqen në skenar si pllaka tektonike të përplasjes mes agjenturave të ndryshme, e në rastin konkret mes CIA-MI5 dhe miliarderëve globalë që duan të përmbysin rendin botëror. /tesheshi.com/