Diku në një qytet të vogël të Shqipërisë jeton një drejtor. Përpara dy vitesh ai nuk ishte drejtor prandaj s`kishte as makinë, as shoqëri, as rroba të reja, as parfume të shtrenjta…ups, ndjesë, në fakt as tani nuk ka parfume, po ç’rëndësi ka kjo.
Përpara dy vjetësh drejtori ishte i palumtur, kurse këto kohë po jeton ditet më të bukura të jetës së tij. Në qytetin e vogël ku ai jeton të gjithë i njohin të gjithë, kështu që është e pamundur t’u shpëtosh gojëve të liga. Për drejtorin flasin turli fjalësh. P.sh thonë që ai merr ryshfet për punësimet dhe, e paskan vënë re këtë tek makina që drejtori kishte blerë menjëherë pas emërimeve të para.
Në shëtitoren e mbrëmjës ku dalin xhiro qytetarët, drejtori është më i palodhuri, zbret dhe ngjet shëtitoren pa pushim. Në këtë qytet gjendet vetëm një shëtitore prandaj njerëzve u bie të shkëmbehen me njëri-tjetrin të paktën 20 herë në ditë.
Të ardhurit nga qytetet e tjera apo emigrantët e kthyer për pushime bien menjëherë në sy, por nuk mund të rrijë pa rënë në sy edhe drejtori për të cilin po flas.
Për t’u treguar njerëzve që atë darkë ka ngrënë mish e mban kunjin e dhëmbëve në cep të gojës gjatë gjithë xhiros së mbrëmjes. Kur dikush e thërret, ai i ndërron vendin kunjit mes dhëmbëve dhe pastaj i kthen përgjigje.
Fytyrën e ka të rreshkur nga dielli, por kjo nuk e pengon atë të sillet si drejtor. Madje ai shumicën e rasteve mban kravatë: të gjërë e të lidhur shkurt që i qëndron mbi bark. Makiaton e mëngjesit e porosit gjithmonë në të njëjtën mënyrë: pështynë gishtin tregues dhe i thotë kamarierit që pa u tharë pështyma në gisht e do makiaton mbi tavolinë. Ndërsa kamarieri i mësuar tashmë me batutën e drejtorit nxiton t’i sjellë makiatone tij, por dhe një pije të mirë të cilën e ka nga tavolina përballë.
Drejtori është në dijeni të gjërave që fliten në lidhje me të, por nuk shqetësohet për këtë. Ai është i bindur që e bëjnë nga xhelozia për suksesin e tij. Madje ndodh që nga goja e drejtorit të dalë ndonjë e sharë për ndonjërin që ka thashethemuar mbi aftësitë e tij.
Po prapë se prapë nuk shqetësohet shumë për këto thashethemet lokale. Stresi i vërtetë për të është kur i vjen dikush i rëndësishëm nga Tirana. Angazhohet me mish e me shpirt t’i lënë të kënaqur vizitorët nga kryeqyteti.
Zhvillimet për prishje koalicionesh dhe thashethemet për rënie qeverie a zgjedhje të parakohshme që vijnë nga Tirana, ai i ndjek me shumë shqetësim. “Sa gjeti miza pak gjak e ngriti kali bishtin”, është dëgjuar të ketë thënë drejtori.
Me këto radhë nuk dua kurrsesi t’ju bëj të mendoni gjëra negative për drejtorin. Në fund të fundit populli thotë: “Mos i shiko gunën por punën!”.
Nëse dëshironi se s`bën ta bëni një gjë të tillë, bëjeni për drejtorin që keni në qytetin tuaj. /tesheshi.com/