Në Kosovë reagimet janë të ndryshme, shumica me vlerësime se forcohet shteti e sovraniteti, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë sebe, për të cilin u nënshkrua mbrëmë marrëveshja Prishtinë-Beograd në Bruksel, në raundin e 28-të kryeministror, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian e mbështetjen e SHBA-së në procesin dialogut drejt nomalizimit të marrëdhëneve.
Një analist tha sot se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është “një model i autonomisë së gjerë në Kosovë”.
Në Kosovën e pavarur, edhe para formimit të Asociacionit komunat serbe kanë përgjegjësitë nga Paketa Ahtisaari e procesi i decentralizimit, i nisur para shtatë viteve e zhvilluar më tej, dhe kanë lidhje e bashkëpunime me komunat në Serbi dhe Serbinë.
Në tekstin e marrëveshjes te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.
Te “Buxheti dhe përkrahja” theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.
Në Kosovën shtet i pavarur, Asociacioni i komunave serbe, që do jetë i hapur për bashkëpunime përtej kufirit, mund të shihet edhe si kompromis për serbët që e donin “Kosovën Serbi”.
Presidentit historik Ibrahim Rugova para më shumë se dy dekadave përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtetin e Kosovës, të hapur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”, theksonte Rugova, ndërsa pavarësinë e shihte si kompromis për shqiptarët e Kosovës që e duan bashkimin me Shqipërinë, si e drejtë e natyrshme e vetëvendosjes.
Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova edhe në 6 tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë. Paketa Ahtisaari u pasua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurtin historik 2008.
Në kohët e okupimit e dhunës, të thirrjeve të serbëve se “Kosova është Serbi” kundërpërgjigja e urtë shqiptare ishte se “Kosova është e shqiptarëve, aq sa është e shqiptarëve, Kosova është e serbëve, aq sa është e serbëve”, duke pasur parasysh statistikat për numrin e përqindjen e shqiptarëve dhe të serbëve në Kosovë.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Në Kosovë, Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Në marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel mbrëmë, e para pikë është kjo: “1) Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës”.
Marrëveshja 15 pikëshe për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar para mëse dy vitesh, në 19 prill 2013, nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton, në 6 pikat e para ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë:
“1. Do të ketë një Asociacion/Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen.
- Bashkësia/Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).
- Strukturat e Asociacionit/Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues iAsociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.
- Në pajtim me kompetencat e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi në gjendje të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë/Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
- Asociacion/Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
- Bashkësia/Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues”.
Procesi i decentralizimit në Kosovë ka nisur zyrtarisht në shtator 2008 në vitin historik të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt. Pat nisur me vizitën në komunën e Novoboërdës (e cila me zgjerim do bëhej me shumicë serbe) të Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar (ISG), të përbërë nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, dhe me një takim në Prishtinë të njëjtën ditë të grupit ndërministror të decentralizimit, ku morën pjesë edhe kryeministri i vendit atëherë, Hashim Thaçi, dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO), Pieter Feith.
Paketa Ahtisaari, e cila është edhe marrëveshje e Prishtinës zyrtare me faktorin ndërkombëtar, parashihte formimin e gjashtë komunave të reja me shumicë serbe.
“Marrëveshja krijon gjashtë komuna të reja apo komuna me kompetenca shtesë me shumicë serbe të Kosovës”, thuhej në dokumentin e Ahtisaarit, në të cilën është bazuar edhe Kushtetuta e Kosovës, dhe saktësohej se këto komuna do të jënë: Mitrovica veriore (veriu i vendit), Graçanica (afër Prishtinës, Kosova qendore) dhe Ranillugu (rrethina e Kamenicës), Parteshi (rrethina e Gjilanit), Kllokoti/Vërboci (rrethina e Vitisë) e Novobërda, e cila edhe atëherë ishte komunë, por do të zgjerohej (këto të fundit në rajonet lindore-jugore të vendit).
“Komuna e tanishme e Mitrovicës do të ndahet në dy komuna, në Mitrovicën veriore dhe Mitrovicën jugore, me një bashkëpunim dhe bashkërendim mes veti të ndihmuar nga një këshill i përbashkët i ri i formuar”, thuhej në Paketën Ahtisaari.
Sa u përket kompetencave, sipas Paketës Ahtisaari, të gjitha komunat do të kenë përgjegjësi për fushat që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve kosovarë përfshirë: arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm; kujdesin shëndetësor primar publik; zhvillimin ekonomik vendor; planifikimin urban dhe rural; banimin publik; emërtimin e rrugëve dhe vendeve tjera publike; dhe ndër të tjera sigurimin e shërbimeve publike dhe komunale.
“Përveç kësaj, komunat serbe të përcaktuara të Kosovës do të kenë përgjegjësitë shtesë”, thuhej në dokument, dhe saktësohej:
“Komunat e Mitrovicës veriore, Graçanicës dhe Shtërpcës do të qeverisin me spitale dhe me sigurimin e kujdesit mjekësor sekondar në komunat e tyre. Komuna e Mitrovicës veriore do të ketë përgjegjësitë e caktuara lidhur me universitetin në gjuhën serbe në Mitrovicë”.
Më tej thuhej se të gjitha komunat serbe në Kosovë “do të jenë përgjegjëse për mbrojtjen dhe avancimin e çështjeve kulturore dhe religjioze në nivel lokal” dhe “do të kenë një rol të avancuar në përzgjedhjen e komandantëve të stacioneve policore lokale”.
Lidhur me financimin në dokumentin Ahtisaari thuhej se “të gjitha komunat do të jenë përgjegjëse për buxhetin e tyre dhe kanë të drejtën për burime financiare vetanake” dhe se “do të krijohet një sistem i drejtë dhe transparent i pakos së grandeve, i cili do të siguroj autonomi më të madhe komunale për dhënien dhe shpenzimet e fondeve qendrore”.
Ndërsa, rreth bashkëpunimit “ndërkomunal dhe ndërkufitar” thuhej se “komunat do të kenë të drejtën e krijimit të shoqatave dhe partneriteteve me komunat tjera në Kosovë për kryerjen e funksioneve me interes të dyanshëm” dhe se “komunat do të kenë të drejtën e bashkëpunimit me komunat dhe institucionet në Serbi, përfshirë edhe të drejtën e pranimit të donacioneve financiare dhe ndihmës teknike nga Serbia, në kuadër të parametrave të qarta përkatëse të cekura në Marrëveshje”.
Kosova dhe Serbia arritën marrveshje për katër çështjet mbrëmë në Bruksel. Kryeministrat e Kosovës e Serbisë janë takuar në raundin e 28-të, të pestin të Isa Mustafës e Aleksandar Vuçiçit, të tretin për katër çështje: Parimet themelore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kodi telefonik, energjia dhe ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini fillimisht takoi veçmas kryeministrin kosovar Mustafa, pastaj kryeministrin serb Vuçiç, për të vazhduar me takimin e përbashkët trilateral.
Shefja e diplomacisë evropiane, Federcia Mogehreni, ka njoftuar për arritjen e katër marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Katër marrëveshjet e nënshkruara pas një dite të gjatë në dialogun me Serbisë dhe Kosovës. Arritje historike në procesin e normalizimit”, ka thënë ajo në profilin e saj në Twitter.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, zhvilluan dje takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 28 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
/tesheshi.com/