Këtyre ditëve shtëpia botuese Logos-A sërish me një sihariq për opinionin lexues shqiptar, me librin nga lëma e antropologjisë kulturore, Turku imagjinar. Përmbledhja e katërmbëdhjetë artikujve shkencorë e punimit të përmendur, redaktuar nga etnologu slloven Bozhidar Jezernik – autor edhe i Lufta për mbijetesë dhe Europa e egër – përbën një vepër të rëndësishme lidhur me perceptimin dhe vetëperceptimin e popujve ballkanikë në korrelacion me “Tjetrin historik”, kryesisht me turkun, osmanlliun, por edhe me muslimanin e orientalizuar nga ligjërata arsimore, kulturore, politike e shteteve të krijuara në ish-hapësirat osmane.
Në fakt, punimi analizon procesin e tjetrizimit (formimit të tjetrit) apo të paraqitjes uniforme dhe stereotipe të Tjetrit turko-osman nga e kaluara deri në ditët e sodit, nacionalizimin e të së kaluarës, projektimin e së tashmes dhe të së ardhmes me motive ideologjike të klisheizuara, përmes një forme të racizmit implicit në fusha të ndryshme si letërsia, teatri, filmi, tregimet popullore, ligjëratat fetare, kronikat gazetareske, tekstet shkollore e deri te politikbëria që shpesh i referohet periudhës osmane për të treguar progresin e arritur apo “shkaktarin e ngecjes”.
Turku imagjinar në mënyrë shumë të gjallë dhe ilustrative analizon armikun e trashëguar (Simonič, 2010), të tekstualizuar, të fabrikuar, të narratizuar, portretizon “historitë e mentalitetit” përjashtues që krijon mite e legjenda lidhur me tjetrin “kundër të cilit mund të ndërtohen identitete fetare, etnologjike dhe identitete të sapolindura kombëtare”. E në këtë drejtim nuk zgjidhen metodat, faji dhe mëkatari janë “të paketuar”: Orienti dhe orientalët, pjesë e së cilëve është edhe turku, dhe shpërfaqjet kulturore të tij në Europë përfshirë boshnjakët, shqiptarët dhe të tjerë. Shkolla orientaliste, siç shprehet kolosi Edward Said, nuk e ndryshon asnjëherë qëndrimin e vet për dy entitetet e sipërpërmendura: statikë, të egër, barbarë… ndërsa veten e përshkruan me lajleluje dhe tipare hiperpozitive, shpeshherë tejempirike, imagjinare. Ja një shembull konkret: Në mars të vitit 1910, në Shtepanje Vasi të Lubjanës, një pronar toke me emrin Florian Lisjak, duke punuar në fushën që shtrihej përgjatë shtratit të vjetër të Lubljanicës, ra në gjurmët e një varreze të mbushur plot me “kafka” misterioze.
Drejtori i muzeut, Dr. Joseph Mantuan, e vizitoi personalisht vendin dhe e mori me vete një të tillë për studime të mëtutjeshme. Gazeta e asaj kohe Slovenec pati shkruar se bëhej fjalë për koka të prera nga osmanët, meqë francezët nuk e aplikonin dekapitimin (prerjen e kokës). Pas analizave shkencore, doli në shesh se nuk bëhej fjalë për kafka njerëzore, por vetëm për ca zhguaj breshkash (Jezernik, 2010). Kjo frymë është determinante edhe në kombndërtimet në hapësirën e Ballkanit – ku jeton pjesa më e madh e kombeve që kanë jetuar nën pushtetin osman – dhe më tej, ku kanë qejf të pozicionohen sllovenët dhe kroatët, duke e quajtur veten si pikë kufitare ku mbaron Ballkani dhe fillon “Europa e vërtetë”, si antemurale christianitatis.
Homo Balkanicus-i (ballkanasi) i pas-Pax Ottomana-s (paqës osmane), ndonëse i njohur për bëmat negative, për luftërat e përgjakshme, në veçanti në dekadat e fundit, që kanë hyrë edhe në fjalorë përmes termave si ballkanizim dhe bosnizim, sidoqoftë mundohet që ta shpëlajë veten, duke ia hedhur fajin Tjetrit, “mëkatit lindor”, dhe në këtë drejtim krijon skema ksenofobike, turkobike, islamofobike, alibi si neoosmanizmi e të ngjashme, duke mos vetëreflektuar, duke mos e lexuar objektivisht të kaluarën dhe duke krijuar mekanizma apologjetike irracionale për dështimet në kontekstin e garës globale, të shoqërisë së dijes së shekullit XXI kur bëhen më tepër se njëqind vite prej shkëputjes nga “turku i tmerrshëm”, “turku mizor”, “anadollaku”, “obskurantizmi osman”, “injoranca orientale” (Kadare, 1981) etj.
Ky botim përbën një material të rëndësishëm për fushat sociale dhe humanitare, për hulumtuesit, studentët dhe profilet e ndryshme për ta kuptuar e shikuar ndryshe veten dhe tjetrin, për të menduar me kokë të kthjellët, për ta parë veten në pasqyrë, për të arsyetuar në bazë të gjetjeve, pa hipoteka, për të parë edhe jorganin, byrekun, çarshinë, kalatë, urat shumëharkëshe, Arkitekt Sinanin, Evlija Çelebinë, Hoxhë Tahsinin, jo vetëm haraçin, jeniçerët, haremin dhe sulltanin.
Meqë teksti origjinal përfshinte autorë nga vende të ndryshme si Sllovenia, Turqia, Polonia dhe Serbia, botuesi shqip vendosi që të shtojë edhe perspektivën shqiptare, pra tre artikuj shkencorë të autorëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia që merren me diadën turku-shqiptari, ku trajtohen edhe tema shumë aktuale si integrimet euro-atllantike, serialet (“1001 net”), sporti (Galatasaray), muzika turke (Tarkan), segment ky që besojmë që veprës do t’i japë një frymë tjetërfare, më tërheqëse për lexuesin shqiptar, do të gjenerojë një fotografi më të plotë lidhur me subjektin e trajtuar. /tesheshi.com/