Partia e Popullit dhe Partia e Lirisë FPO në Austri kanë gjetur gjuhën e përbashkët për disa pika të rëndësishme që mund të sjellë bashkëqeverisjen e tyre pas zgjedhjeve të fundit. Kancelari Kruz dhe drejtuesit e partisë me rrënjë neo-naziste janë pajtuar për politika të tilla si angazhimi ndaj Bashkimit Europian dhe buxheti si politika themelore për koalicionin e ri qeverisës të vendit.
Konservatorët e udhëhequr nga Sebastian Kurz dhe ekstremistët e djathtë të udhëhequr nga Heinz-Christian Strache, gjithashtu kanë gjetur gjuhën e përbashkët edhe në shkurtimet për përfitimet e mirëqenies për emigrantët, një premtim kryesor i fushatës së Partisë së Popullit.
Ulja e taksave dhe reduktimi i joefikasitetit në shpenzimet shtetërore janë të tjera pika për të cilat liderët Kurz dhe Strache kanë rënë dakord.
Bisedimet për krijimin e koalicionit të ri udhëheqës të Austrisë mes Partisë së Popullit dhe FPO nisën një javë më parë. Disa liderë europianë kanë shprehur shqetësim për rikthimin e mundshëm në pushtet të FPO-së, që për herë të parë u bë forcë madhore politike në vitet ’90, nën udhëheqjen e Joerg Haider, i cili vlerësonte politikat e punësimit të Adolf Hitler. /tesheshi.com/